Ultimatumi i ministres së Shëndetësisë: ‘Pushtimi’ mbi 25-vjeçar i spitaleve do të marrë fund një herë e mirë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një deklaratë për media ne Ministrinë e Shëndetësisë, ka bërë me dije se do të nise një aksion për lirimin e territorit të spitaleve në të gjithë Shqipërinë nga aktivitete dhe biznese që nuk kanë lidhje me spitalet.

Duke e konsideruar këtë si një hap të parë për rimëkëmbjen e shërbimit spitalor, Manastirliu tha:

“Kthim pas nuk do të ketë! ‘Pushtimi’ mbi 25 vjeçar i spitaleve dhe qendrave shëndetësore do të marrë fund një herë e mirë dhe qytetarët shqiptarë, kudo ku ata e marrin shërbimin, do të trajtohen në mjedise të denja”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpalli gjithashtu hapjen e konkursit publik për përzgjedhjen e 17 drejtuesve të rinj të spitaleve Universitare dhe Rajonale, me të cilët do të vihet në zbatim plani i veprimit për transformimin e kujdesit shëndetësor.

Deklarata e plotë

“Jam sot këtu, për të shpallur aksionin e Qeverisë shqiptare, për çlirimin e hapësirave në brendësi të mjediseve spitalore, në të gjithë territorin e vendit. Angazhimi ynë është që brenda 100 ditëve, hapësirat e jashtme të të gjithë spitaleve dhe qendrave shëndetësore, të pastrohen nga çdo ngrehinë apo aktivitet tjetër, që nuk kanë lidhje me veprimtarinë e përditshme të këtyre strukturave shëndetësore.

Katër vjet më parë, besoj të gjithë e mbani mend, “Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza” ishte shembulli më i keq i mjediseve që duhet të rrethojnë një spital, ku marrin përditë shërbim me mijëra qytetarë. Sot, katër vjet më vonë, QSUT është shembulli më i mirë, i rëndësisë që këto mjedise dhe ruajtja e tyre, kanë për mbarëvajtjen e veprimtarisë së një institucioni shëndetësor. Objektivi ynë është që brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, këtë model ta eksportojmë me sukses në të gjithë spitalet, në të katër anët e vendit.

Ne jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë, për të pastruar një herë e mirë spitalet dhe qendrat shëndetësore, nga aktivitete dhe ndërtime, që jo vetëm nuk kanë kurfarë lidhje me to, por më keq akoma, në shumë raste pengojnë veprimtarinë e tyre, duke u kthyer në një faktor që dëmton ndjeshëm cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Aksioni ynë, i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Një gjë është e sigurt: Kthim pas nuk do të ketë! “Pushtimi” mbi 25-vjeçar i spitaleve dhe qendrave shëndetësore do të marrë fund një herë e mirë, dhe qytetarët shqiptarë, kudo ku ata e marrin shërbimin shëndetësor, do të trajtohen në mjedise të denja. Ky është hapi ynë i parë, për rimëkëmbjen e tyre. 

Në vazhdim, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e rinj të spitaleve në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të përzgjidhen pas një konkursi publik që ne do të kryejmë brenda 35 ditëve, ne do të vëmë plotësisht në zbatim planin tonë për transformimin e tyre, në institucione të denja të kujdesit shëndetësor”.

Postime të ngjashme

'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Qetësia mendore në punë: 6 mënyra për të ulur stresin dhe për t’u përqendruar
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin