Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete UNFPA prezanton raportin “Gjendja e Popullsisë së Botës 2018”

UNFPA prezanton raportin “Gjendja e Popullsisë së Botës 2018”

0
Shpërndaje

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë – UNFPA ka publikuar raportin vjetor “Gjendja e Popullsisë së Botës 2018: Fuqia për të zgjedhur numrin, kohën dhe hapësirën midis fëmijëve mund të shtyjë përpara zhvillimin ekonomik dhe social”.

Tendencat globale drejt familjeve më të vogla në numër është reflektim i faktit që njerëzit po bëjnë zgjedhjet e tyre për riprodhimin dhe kërkojnë të kenë më pak apo më shumë fëmijë, sipas preferencës së tyre për numrin dhe kohën kur duan ta bëjnë këtë. Kur njerëzve u mungon kjo mundësi zgjedhjeje, pasojat mund të jenë afatgjata mbi normën e fertilitetit, duke e bërë këtë normë më të madhe ose më të vogël se sa ajo që duan njerëzit, analizon raporti mbi Gjendjen e Popullsisë së Botës 2018, publikuar sot nga UNFPA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Përfaqësuesja e UNFPA në Shqipëri, Dr. Manuela Bello, prezantoi sot për mediat rezultatet e këtij raporti për Shqipërinë.

Raporti i klasifikon të gjitha vendet e botës sipas dinamikave aktuale të fertilitetit të popullsive të tyre. Shqipëria përfshihet në grupin e vendeve që për disa vjet me radhë ka pasur ulje të normës së fertilitetit.

“Tranzicioni historik i një fertiliteti të ulur,” tha Dr. Manuela Bello, përfaqësuese e UNFPA në Shqipëri, “ka ardhur si rezultat i njerëzve që kërkojnë të drejtën e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur për jetën e tyre riprodhuese dhe për të pasur aq fëmijë sa duan dhe kur i duan ato.”

Sipas të dhënave të INSTAT, të prezantuar nga drejtoresha e këtij institucioni, Delina Ibrahimaj, që pas vitit 2001, indeksi i lindshmërisë në Shqipëri ka rënë nën nivelin e zëvendësimit, i cili përcaktohet si 2.1 fëmijë për grua.

Sot gratë që lindin fëmijën e parë janë më të mëdha në moshë sesa nënat e tyre. Mosha mesatare në lindjen e parë ka pësuar rritje vitet e fundit, duke shënuar 25.1 vjeç në vitin 2017.

“Që nga vitet ‘60, numri i lindjeve është reduktuar, dhe sipas projeksioneve të  Institutit të Statistikave, kjo do të jetë tendenca edhe për 50-60 vitet e ardhshme”, deklaroi Ibrahimaj.

Zëvendësdrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, z. Genc Byrazeri përmendi disa nga nismat që qeveria ka ndërmarrë për rritjen e lindshmërisë në vend, si bonusi për çdo lindje, ndryshimi i strukturës patriarkale nëpërmjet emancipimit të grave, si dhe rimodelimit të shoqërisë shqiptare në mënyrën e të rimenduarit të gjërave, rolit social dhe familjar etj, ku parashikohet edhe dhënia e lejes së lindjes për baballarët.

Madhësia e familjes është e lidhur ngushtë me të drejtat riprodhuese, ashtu si edhe me shumë të drejta të tjera të njeriut, përfshirë të drejtën për shëndet, arsim dhe punësim.  Aty ku njerëzit i gëzojnë këto të drejta, zhvillimi lulëzon. Aty ku këto të drejta ndrydhen, shpesh njerëzit nuk e arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke penguar kështu progresin ekonomik dhe social, sipas raportit të ri të titulluar “Fuqia e Zgjedhjes: Të drejtat Riprodhuese dhe Tranzicioni Demografik.”

Raporti bën edhe rekomandime specifike për politika dhe programe që do ta ndihmonin secilin vend të rriste mundësitë e zgjedhjeve riprodhuese.

 

Për ta bërë zgjedhjen e lirë një realitet, citohet në raport, vendet mund të prioritizojnë aksesin universal në kujdesi shëndetësor, përfshirë kontraceptivë modern; të sigurojnë arsim më të mirë, përfshirë edukatën seksuale të përshtatshme për moshën; të advokojnë për një ndryshim në sjelljet e burrave në mbështetje të të drejtave dhe aspiratave të grave dhe vajzave; dhe ta bëjnë më të thjeshtë për çiftet të kenë më shumë fëmijë, nëse duan, duke u mundësuar një balancë më të mirë midis punës dhe jetës, përmes masave të tilla si kujdes i përballueshëm për fëmijët.

“Rruga përpara është realizimi i plotë i të drejtave riprodhuese, për çdo individ dhe çift, pa marrë parasysh ku dhe si jetojnë, apo sa fitojnë”, tha Dr. Bello. “Kjo përfshin heqjen e të gjitha barrierave, qoftë ekonomike, sociale apo institucionale, që pengojnë zgjedhjen e lirë dhe të informuar”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here