Aishe Thartori
Mungesa e ushqyerjes optimale me gji, veçanërisht ndërprerja parakohe e gjirit, kushton qindra –mijëra jetë, duke rritur sëmundshmërinë nga si diarretë, pneumonitë dhe infeksionet e të porsalindurve, që janë vrasësit kryesorë të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël. Fatkeqësisht kjo dukuri po vihet re edhe në Shqipëri.
Bazuar në një studim të UNICEF-it të kryer në Shqipëri, ushqyerja suboptimale me gji shkakton një humbje ekonomike vjetore prej 4,8 milion dollarë.
Rreth 30 % e vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç në Shqipëri lidhen me kequshqyerjen, dhe 18 % prej tyre mund t’i atribuohen ushqyerjes suboptimale me gji.
Ligji
Sipas ketij raporti Ligji nuk synon të ndalojë tregtimin e këtyre produkteve, por të ndalojë praktikat e tregtimit të tyre që minojnë besimin që nënat kanë tek qumështi i tyre, duke i nxitur ato të përdorin zëvendësues të qumështit të gjirit në mënyrë të padrejtë ose të panevojshme. Kjo sepse, siç pohohet tashmë nga studimet shkencore dhe rekomandimet e OBSH-së dhe UNICEF-it, ushqyerja me gji e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël ka përfitimet e pazëvendësueshme për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve: shpëton jetën e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, redukton kequshqyerjen, nxit shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, i mbron ata nga sëmundjet, dhe sjell përfitime në shëndetin dhe jetën e individit gjatë gjithë jetës së tij, duke ulur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, mbipeshës/obezitetit si dhe duke ndikuar pozitivisht në inteligjencën e tyre.
Monitorimi
Rezultatet e monitorimit të zbatimit të Ligjit tregojnë se praktikat e tregtimit të kompanive prodhuese të zëvendësuesve të qumështit të gjirit shkelin Ligjin në forma nga më të ndryshmet dhe se këto kompani nënvleftësojnë dhe anashkalojnë Ligjin në mënyrë të dukshme.
Monitorimi tregoi se ka një përmirësim në praktikat e personelit shëndetësor në maternitete ku qëndrimi në një dhomë i nënës me foshnjën, ditën dhe natën, është një praktikë që tashmë, pas trajnimeve që janë bërë në maternitetet e të gjithë vendit, dhe zgjerimit të rrjetit “Spital Mik i Fëmijës”, është pranuar dhe zbatohet si praktikë gjerësisht. Kemi rezultate të larta (> 95%) të aplikimit të kësaj metode në pothuajse gjithë maternitetet e vendit.
Shkeljet e ligjit
Nga shkeljet kryesore të konstatuara përmendim promocionin/nxitjen agresive në sistemin shëndetësor, të shprehur me shpërndarjen e dhuratave për mjekët, kampioneve falas për nënat, zhvillimin e seminareve të shpeshta për mjekët, neonatologët dhe pediatrit, marrëveshjes me maternitetet private, dhe nxitjes në pikat e shitjes, sidomos farmacitë. Kompanitë përpiqen të depërtojnë nëpërmjet personelit shëndetësor, i cili përdoret si kanal komunikimi me nënat, për shpërndarjen e kampioneve falas dhe nxitjen e shitjeve të formulave. Risi negative është botimi i broshurave për nënat nga spitalet private, të cilat janë të bashkësponsorizuara nga kompanitë e formulave, duke bërë që në brendësi të tyre të ketë reklamë për të gjithë produktet e kompanisë.
Materialet promocionale të kompanive vazhdojnë të kalojnë në qarkullim, shpesh duke anashkaluar filtrat e kontrollit, dhe ato shpesh kanë përmbajtje që shkel Ligjin apo rrezikon/nënvleftëson ushqyerjen me gji dhe synon të bindë nënat që formula është po aq e mirë apo e barabartë me qumështin e gjirit. Etiketat e produkteve janë burimi më i madh i shkeljeve të Ligjit, duke përcjellë informacion të padrejtë, të mangët dhe duke nxitur një imazhi ideal të zëvendësuesve të qumështit të gjirit.
Kompanitë, praktikat e të cilave janë konstatuar gjatë këtij monitorimi në shkelje me ligjin janë: NUTRICIA (MILUPA), NESTLE, HIPP, PLASMON, NUTRIBEN, NOYNOY, HUMANA, FRIESLAND, MELLIN, PHILIPS AVENT, CHICCO.
Ligji shqiptar për «Nxitjen dhe Mbrojtjen e të Ushqyerit me Gji » është ndër legjislacionet më të mira në këtë fushë në Europë. Fatkeqësisht, raporti tregon se ka mungesa në zbatimin e Ligjit, si rrjedhojë e mungesës së zbatimit të akteve nënligjore dhe mungesës së monitorimit të zbatimit të tij,
Vënia e plotë në zbatim e Ligjit kërkon një bashkëpunim mes sektorëve të përcaktuar nga Ligji: Sistemit Shëndetësor, Inspektoriatit të Shëndetit, Inspektoriatit të Ushqimit.




