“Urgjenca Mjekësore e Tiranës drejt rrënimit – 120 punonjës me 7 ambulanca”

Nga Bardh Spahia, deputet i PD-së

Urgjenca Mjekësore e Tiranës drejt rrënimit të plotë: 120 punonjës punojnë në 7 autoambulanca të shkatërruara, ndërkohë që kompani private përfitojnë pagesa të majme nga taksat e qytetarëve për të ofruar këtë shërbim. Në ajsbergun e korrupsionit në shëndetësi, shërbimi kombëtar i Urgjencës sigurisht qe zë një vend të konsiderueshëm. Kjo për faktin që lidhet me një shërbim aq të prekshëm e aq pranë qytetarëve në nevojë, për shkak të mbingarkesës që krijohet në QSUT nga mosfunksionimi i urgjencës së Tiranës. Nga një shërbim mjaft efikas që u shërbente mbi 1 milion qytetarëve në banesë apo në ndërtesën e urgjencës së Tiranës, është kthyer në një shërbim taksi dhe ai në kushte aspak dinjitoze e me rrezik për jetën.

Në këtë shërbim funksionojnë vetëm 7 autoambulanca dhe ato të amortizuara e të keqpajisura. Kanë qenë të shpeshta rastet kur pacientët kanë humbur dhe jetën për shkak të mungesave në pajisjet thelbësore për trajtimin e urgjencave, si defibrilator, bombola oksigjeni, etj,etj. Në këto rrangalla që ecin shërbejnë 120 vetë personel (mjekë, infermierë, shoferë). Vetëm ky krahasim mjafton për të treguar sa qesharake është situata. Një llogari e thjeshtë nxjerr që për çdo autoambulance shërbejnë 8 veta personel, çka është praktikisht e pamundur. Deri në shkurt 2016, kur filloi i ashtuquajturi projekt i Urgjencës Kombëtare, shërbimi i Urgjencës së Tiranës numëronte 63 vete personel dhe 12 autoambulanca. Pa llogaritur këtu personelin e tejfryrë të QKUM rreth 90 veta personel që paguhen me rreth 60000 lekë të reja në muaj e që presin thirrjet telefonike. Këtë shërbim në urgjencën e Tiranes dikur e mbulonin një infermier dhe 1 mjek në çdo turn. Të gjitha këto shpenzime për paga të njerëzve që nuk kryejnë asnjë punë, madje as nuk dalin fare në punë, të pajisjeve të blera me shifra stratosferike në QKUM janë para nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Që paguajnë për një shërbim qe ka njohur vetëm përkeqësim në 4 vitet e fundit.

Qytetarët sërish duhet t’i bartin të sëmurët me makina personale drejt QSUT, e aty të mbajnë radhë me orë të tëra. Mjafton të shohim radhët në urgjencën e pediatrisë dhe të infektivit muajt e fundit që vendi ndodhet në qendër të epidemisë së fruthit.
Qershia mbi tortë e këtij lëmshi korrupsioni është kompania “Era”, një kompani fantazmë që shfrytëzon të dhënat e QKUM e që ofron shërbim në të njëjtat zona.

Kjo kompani u paraqit si një fondacion bamirës që do të trajnonte personelin shëndetësor, por në fakt shërbimet e Eres paguhen plot 15000 lekë të reja për çdo rast vizite apo emergjence nga buxheti i shtetit. Çuditërisht janë pikërisht autoambulancat e kësaj kompanie private të cilat lajmërohen të parat dhe shfaqen të parat, edhe pse mund të jenë më afër autoambulancat shtetërore, sigurisht përkundrejt pagesës se majme dhe shërbimeve të privilegjuara.

Postime të ngjashme

“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj