Kryefaqja Dieta Ushqimi magjik i radhës: 1 gotë selinoje

Ushqimi magjik i radhës: 1 gotë selinoje

0
Shpërndaje

Blerina Bombaj, dietologe

Çdo muaj dhe nga një ushqim të ri dëgjojmë, me veti magjike. Pa dyshim, edhe selinoja është një perime me plot vlera ushqyese, por sa qëndrojnë pretendimet se “të pish një lëng në ditë do të ulësh tensionin”?

Pas hulumtimit tim ne librarinë mjekësore online (PubMed), nuk gjeta asnjë kërkim shkencor që të ketë provuar lëngun e selinos në njerëz me hipertension, dhe të ketë rezultuar në reduktim të presionit të gjakut. Te vetmet studime që ekzistojnë, janë ato që kanë përdorur ekstrakte nga farat e selinos, dhe kujdes: NË MINJ! Pra, këto efekte nuk janë ende të vërtetuara në njerëz, dhe nëse dikush do dëshironte t’i provonte, do duhet të dijë se duke konsumuar lëng selinoje, nuk merr lëndët e farave të saj.

Ku e bazojnë partizanët e lëngut të selinos, pretendimin e tyre?

Selinoja përmban kalium dhe magnez, dhe si shume perime dhe fruta te tjera që përmbajnë këto elemente, ndikon pozitivisht në rregullimin e elasticitetit të mureve të enëve të gjakut. Por studimet nuk janë të mjaftueshme sa të këshillojmë të konsumoni një lëng selinoje çdo ditë. Për të arritur këtë efekt, fare mirë mund të merrni një larmi fruta perimesh, legumesh, përfshirë edhe selinon.

A është e shëndetshme selinoja?

Patjetër që po, ajo është e pasur në acid kafeik, acid p-kumarik, acid ferulik, apigjenin, luteolin, taninë, saponinë, dhe kaempferol, të gjithë antioksidues të çmuar që luftojnë radikalet e lira të cilat “çjerrin” enët e gjakut. Mjafton të shtoni në menynë tuaj te përditshme fruta dhe perime, dhe mund te përfitoni nga këto fitokimikate me vlerë.

Përse nuk duhet të konsumoj 1 gotë plot me lëng selinoje çdo ditë?

Sepse, sikurse kemi shprehur gjithmonë, doza përcakton rezultatin. Nuk kemi akoma fakte bindëse apo prova në njerëz për efektin që mund të ketë konsumi i një gote lëng selinoje në ditë. Përveç kësaj, nuk dimë nëse marrja e fitokimikateve me forcë antioksiduese në një gote lëng selinoje, nuk është aq e tepërt sa të kthehet në pro-oksiduese. Dimë që edhe antioksiduesit më të çmuar, apo polifenolët, kur merren me shumicë mund të kalojnë në të kundërtën e asaj që duam, dhe të bëhen pro-oksidues. Dhe arsyeja më kryesore, perse unë nuk ju rekomandoj një gotë lëng selinoje çdo ditë, (për të cilën duhen sasi të mëdha selinoje), është se kjo perime është në top listën e ushqimeve të kontaminuar me pesticide, pasi ka një përthithshmëri shumë të lartë të tyre (për të qenë të sinqertë, më të lartën). Nëse ne do të shtrydhim disa kilogramë selino për të përftuar një gote të madhe lëng, të jeni të sigurt që do të gëlltisim edhe gjithë helmet që do të jenë përdorur në të.

Si mund te perfitoni nga selinoja?

  • Shpëlajeni mirë, me ujë të bollshëm dhe mundësisht lëreni në ujë me sodë.
  • Hiqini me një qëruese një pjesë të holle të lëkurës së jashtme.
  • Vendoseni në gatimet tuaja të ndryshme si fasule, supa, thjerrëza, tava.
  • Konsumojeni të gjallë në sallata

Lëng me selino:

Shtrydhni 2 kërcej selino, pak xhenxhefil, 2 portokaj ose mollë, dhe pak limon. Konsumojeni sa herë të keni dëshirën për të filluar ditën edhe më shëndetshëm!

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here