Bisedoi: Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+”
Një fëmijë i cili sapo ka nisur të forcojë imunitetin e tij, mund të jetë fare i brishtë përballë rreth 200 virozave që qarkullojnë, ndërkohë që çerdhja, kopshti, si dhe ambientet me shumë njerëz mund të jenë terren më i përshtatshëm për shfaqjen e tyre.
Por çfarë duhet të dijë një nënë? Çfarë mund të bëjë ajo në kushtet e shtëpisë dhe kur duhet t’i drejtohet mjekut? Këto dhe detaje të tjera interesante tregon për gazetën “Shëndet+” mjekja pediatre pranë Qendrës Shëndetësore Nr.8 në Tiranë, Nevila Shtino.
Doktoreshë, cilat janë shenjat e virozave tek një fëmijë?
Shenjat e virozave fillojnë me rrugët e sipërme respiratore, nga pjesa nazale, me rrufë, me një gjendje të debuluar, me një fëmijë që grindet, me ndërprerje oreksi. Gjithashtu, si shenjë të dytë kemi një temperaturë të moderuar që mund të shkojë nga 37-390C, pak kollë dhe sekrecione të cilat zakonisht fëmijët, sidomos moshat e vogla, nuk dinë t’i menaxhojnë mirë.
Në cilat rrugë mund të merren virozat dhe sa ndikojnë ndryshimet klimaterike?
Çerdhja, kopshti, shkolla, kontakti me njerëz nga komuniteti i tyre janë një terren i gatshëm për shfaqen e virozave tek fëmijët. Qoftë dhe për fëmijën me një imunitet të mirë, por edhe për atë i cili mund të jetë prekur nga një dalje dhëmbi apo një mbivendosje virozash. Ndryshimet klimaterike sigurisht që ndikojnë, por çdo periudhë ka virulencat e veta, në verë kemi të tjera e në dimër të tjera.
Cilat janë virozat që qarkullojnë në këtë periudhë tek fëmijët?
Qarkullojnë rreth 200 viruse nga të cilat fëmija mbrohet deri në muajin e gjashtë nga imuniteti i nënës dhe qumështi i gjirit. Mbi këtë moshë, mbi muajin e gjashtë fëmija nis të bjerë në kontakt me këto viruse që qarkullojnë. Më të shpeshtat janë ato të rrugëve të sipërme respiratore, por duhet të theksojmë se gjatë kësaj faze fëmija mund të marrë edhe dy viroza njëherësh, gjersa të fillojë të forcojë imunitetin e vet.
Rreth sa fëmijë paraqiten gjatë një ditë në pediatrinë tuaj?
Prurja në pediatri përsa i përket sistemit parësor ambulator është e madhe. Mesatarisht, unë pres rreth 25-30 fëmijë në mënyrë të përditshme.
Pse disa fëmijë janë të prirur për t’u sëmurë më shpesh?
Një fëmijë që ka tendencë alergjike, imuno deficencë apo është kronik në ndonjë sëmundje tjetër, e kthen menjëherë virozën e thjeshtë në komplikacion. Tek ky fëmijë edhe atëherë kur nuk duhet t’ia japësh antibiotikun, ai bëhet parësor për ta marrë, pasi e ka të nevojshme për të mos lejuar që sëmundja të agravojë më tej.
Ndonjëherë nënat, të mësuara tashmë me problemet e shpeshta të shëndetit të fëmijëve, nuk i drejtohen mjekut, por farmacisë. Çfarë mund të themi në këtë rast?
Totalisht e gabuar, ligjërisht e gabuar. Me një rëndesë dhe përgjegjësi totale për nënën që i kërkon diagnozë një farmacisti që vetë shkolla nuk ia autorizon terapinë.
Në kushtet e shtëpisë, çfarë mund të bëjë një nënë pa u drejtuar ende tek mjeku?
Në kushtet e shtëpisë një nënë duhet të përdorë terapi antivirale. Hidratimi duhet të jetë parësor. Marrja e multivitaminave, si suplemente ushqimore, antipiretikët si paracetamoli, lavazhi nazal me ujë fiziologjik, etj.
A ka ndonjë ushqim që mund të forcojë imunitetin e fëmijëve?
Nënat duhet të kenë kujdes me frutat stinore pasi janë të pasura më shumë vitamina. Aktualisht të bombarduara me vitaminë C janë frutat e kuqe, si: shega, luleshtrydhja, boronica, por edhe agrumet, si portokallet, mandarinat etj. Do të preferoja që nënat të angazhoheshin ta mernin gjithçka të freskët.
Një këshillë që nënat duhet ta kenë gjithmonë parasysh?
Nëna duhet të dijë ta menaxhojë mirë për dy 24 orët e para virozën tek fëmija në kushtet e shtëpisë, ku përfshihet rehabilitimi i temperaturës, rehidrimi i mirë i fëmijës, sa më shumë lëngje, qëndrimi i ngrohtë, të ketë kujdes të mos ia thajë shumë ajrin, por as shumë lagështirë nuk do të ishte në favor të fëmijës.


