Vlerat e cilësisë së ajrit në Shqipëri, Jo reale. 7 stacione monitorimi, të pa akredituara, të pakalibruara

Denisa Canameti

Instituti i Shëndetit Publik dhe Agjensia Kombëtare e Mjedisit, janë dy institucione që shpesh herë konfuzojnë opinionin publik për përgjegjësitë që kanë lidhur me çështjet e mjedisit. “Kjo është përgjegjësi e ISHP-së”, thotë AKM sa herë që “gjendet ngushtë” dhe e anasjellta. Megjithatë diçka mund të thuhet me siguri: As ISHP dhe as AKM e as institucionet e tjera përgjegjëse nuk kanë një angazhim të atij niveli që kërkojnë çështjet e mjedisit sot. Në auditimin e performancës të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me temë “Cilësia e Ajrit” përmendet se “ekziston në një farë mase një fragmentizim i përgjegjësive ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) në veçanti sa lidhet me arritjen e objektivave të CAM-it (Strategji e Cilësisë së ajrit në Mjedis)”.

Raporti gjithashtu evidenton mungesën e bashkëpunimit midis institucioneve kryesore si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati shtetëror i Mjedisit e Pyjeve si dhe Instituti i Shëndetit Publik, “bashkëpunim që jo gjithmonë ka qenë i frytshëm dhe në nivelet e duhura“. “Një fakt i rëndësishëm është që Instituti i Shëndetit Publik nuk ka akses në të dhënat e monitorimeve për cilësinë e ajrit që bën Agjencia Kombëtare e Mjedisit”, thuhet në Raportin e KLSH.

Sa i takon performancës së këtyre institucioneve raporti shprehet se:

“… praktika e tanishme e monitorimit nuk është në linjë me kërkesat e BE-së; kontrolli i shkarkimeve të gazeve nga automjetet është i pamundur të kryhet nga institucionet përkatëse përgjegjëse; kontrolli dhe reduktimi i shkarkimeve të substancave ndotëse nga impiantet industriale nuk mund të arrihet për sa kohë nuk kryhet inspektimi i kontrollit të monitorimit të shkarkimeve industriale nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit;

“ Kontrolli dhe reduktimi i ndotjes së shkaktuar nga industria e ndërtimit është një sfidë e madhe në rastin e Shqipërisë; mungojnë Plani Kombëtar dhe planet lokale për menaxhimin e cilësisë së ajrit; sistemi i inspektimit mjedisor ka një mungesë të kapaciteteve profesionale; mungon një sistem efektiv për ndjekjen penale të thyerjeve të legjislacionit mjedisor; transpozimi i ligjit të krimit mjedisor është një domosdoshmëri për Shqipërinë”.

Probleme të tjera që janë evidentuar nga ky auditim janë si më poshtë:

Qeveria nuk ka të dhëna konkrete mbi pasojat që ka ndotja e ajrit në shëndetin human dhe në mjedis; asnjë analizë nuk është kryer mbi pritshmëritë e politikave të cilësisë së ajrit lidhur me përfitimet ekonomike, sociale e mjedisore.

Aktualisht, vlerat e cilësisë së ajrit në vendin tonë nuk janë reale pasi ato nuk janë gjithëpërfshirëse.

Sot, në të gjithë Shqipërinë kemi vetëm 7 stacione monitorimi të cilësisë së ajrit, të cilat monitorojnë pa ndërprerje, por 2 prej tyre për një periudhë 2 vjeçare nuk kanë qenë në gjendje pune. Të gjitha këto stacione janë të pa akredituara, një pjesë e tyre të pakalibruara çka dëshmon qartë për nivelin e ulët të besueshmërisë së të dhënave që ato paraqesin.

Institucionet përgjegjëse për cilësinë e ajrit në vendin tonë janë: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM); Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM); Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit (ISHMP); Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Në lidhje me pyetjen kryesore të këtij auditimi, A kanë qenë efektive dhe efiçiente masat e marra nga qeverisja lokale dhe qendrore për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe a janë këto masa në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar?

U arrit në këtë mesazh auditimi: “Masat e marra nga qeverisja qendrore dhe lokale për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vendin tonë nuk kanë qenë efektive dhe eficiente.

“Strategjia Kombëtare për Cilësinë e Ajrit (SKCA) e miratuar në vitin 2014, ende nuk është zbatuar. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka raportuar asnjëherë mbi zbatimin e SKCA – së. Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit nuk është miratuar dhe si rrjedhojë asnjë Bashki në Shqipëri nuk ka miratuar Planet Vendore të Veprimit të Cilësisë së Ajrit.

“Monitorimi i cilësisë së ajrit nuk i përmbush plotësisht standardet e vendosura nga direktivat përkatëse të BE-së. Vlerat e publikuara për Tiranën, ashtu si edhe për qytetet e tjera të Shqipërisë nga stacioni i lëvizshëm i AKM-së nuk janë përfaqësuese si vlera mesatare të tyre.

“Numri i stacioneve fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit në Shqipëri nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhëna përfaqësuese dhe të besueshme për qytetet përkatëse. ISHMP nuk kryen inspektime sa i përket tejkalimit të normave të shkarkimeve të elementëve ndotës të ajrit sepse nuk zotëron asnjë mjet/laborator për matjen e këtyre shkarkimeve në terren. ISHP nuk ka kryer asnjë studim epidemiologjik që të vlerësojë lidhjen shkak pasojë mbi ndikimin e cilësisë së ajrit në shëndetin e popullatës.”

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit