Elena Beta
Grupe të rinjsh, pjesë e fushatës mbarëbotërore “Youth Voice”, u mblodhën për të pastruar katër zonat më të ndotura të kryeqytetit, për të dhënë një shembull për të gjithë banorët e Tiranës për mbrojtjen e mjedisit, por edhe për të qenë edhe ata vetë pjesë e ndryshimit.
Pasi u pajisën me mjetet e nevojshme, grupet e të rinjve u shpërndanë nëpër zona të ndryshme, si Piramida, sheshi “Nënë Tereza”, si dhe zona të tjera përreth. Destinacioni i fundit i planifikuar ishte pastrimi i zonës së Parkut të Autobuzëve.
Duke marrë lëvdata dhe falënderime të ndryshme nga qytetarë të pranishëm, të rinjtë dhanë kështu mesazhin sensibilizues për të gjithë kryeqytetasit për një mjedis më të pastër.
Rëndësia e një mjedisi të pastër është e njëjtë në çdo stinë e në çdo kohë. Shumë flitet për nivel të lartë të ndotjes së ajrit. Kjo ndotje sipas të dhënave të OBSH-së shkakton 2.4 milionë vdekje çdo vit. Pa një mjedis të shëndetshëm, nuk mund të ketë jetë të shëndetshme.
Tendenca për të ndotur ambientin, na ka privuar nga e drejta për të jetuar në një mjedis të gjelbër. E pikërisht nëpëmjet nismave të tilla u bëhet me dije qytetarëve rëndësia e të qenit të kujdesshëm me mjedisin përreth. Gjithkush ka përgjegjësinë të mbrojë dhe të rregullojë mjedisin për të mirën e të tashmes dhe të ardhmes për brezat që do të vijnë.
Megi Shuke, një nga organizatoret e këtij aktiviteti, shprehet se “Tirana është qyteti i katërt më i ndotur në Evropë dhe me këtë aktivitet AIESEC synoi të ndërgjegjësojë sadopak banorët e kryeqytetit.
“Ne dëshirojmë ta organizojmë sërish këtë event në muajt e ardhshëm, duke përfshirë edhe qytete të tjera të ndotura, si Elbasani apo Korça”, tha ajo. “Mendojmë që duke pasur parasysh se “Ndryshimi fillon nga unë”, do të jemi edhe një shembull për gjithë qytetarët e vendit tonë”.
Sigurisht, edhe për Megin puna e ndërgjegjësimit nuk është e lehtë, por, siç thotë edhe ajo vetë “edhe sikur një person të ndërgjegjësohet për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet këtyre aktiviteteve, do të përkthehet në ndotje më të vogël”.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës ndërkombëtare “Youth Voice” (Zëri i të rinjve) dhe kishte si qëllim vendosjen në praktikë të “Qëndrueshmërisë Mjedisore”, duke dhënë shembullin që secili prej nesh luan një rol shumë të madh në ambjentin që e rrethon dhe në të ardhmen e mjedisit.
“Youth Voice” është një fushatë mbarëbotërore e mbështetur nga UNFPA që ka për qëllim që Rinia të shprehë qartë shqetësimet e të kërkojë llogari për shqetësimet e veta. Përfshirja e Rinisë nuk bëhet thjesht për të ndërgjegjësuar qeveritë dhe shoqërinë për Rininë dhe çështjet e saj, por mbi të gjitha, të ndërgjegjësojë Rininë që të ketë zë dhe të marrë pjesë aktive në zhvillim, të kërkojë llogari për shqetësimet apo çështje të patrajtuara etj, si edhe të kontribuojë si duhet në këtë zhvillim.


