Dhjami akumulohet në pjesën e barkut më lehtë se në pjesët e tjera të trupit. Ndërsa nuk ka zgjidhje të menjëhershme dhe të shpejta, ju duhet të bëni disa ndryshime në mënyrën e jetesës dhe të ushqyerit. Zakonet që do t’ju rendisim më poshtë duhet të eliminohen nga rutina e përditshme në mënyrë që të përmirësoni shëndetin e përgjithshëm, të humbisni peshë dhe të reduktoni dhjamin rreth pjesës së barkut.
Alkooli dhe pijet e gazuara: nëse konsumoni kanaçe me pije të gazuara dhe alkool, ka gjasa që të fitoni peshë dhe dhjamë rreth barkut. Hulumtimet kanë gjetur se konsumimi i një ose dy kanaçeve kola (ose pije tjetër e gazuar) në ditë do të rrisin 5 herë më shumë masën dhjamore në bark sesa një person tjetër që nuk i konsumon ato. Këto lloje pijesh ju shtojnë oreksin më shumë.
Ushqimet me shumë sheqer: ekziston një lidhje e fortë midis konsumit të sheqerit, rezistencës ndaj insulinës dhe rritjes së yndyrës në bark. Ushqimet me shumë sheqer rrisin nivelin e insulinës dhe për pasojë edhe dhjamin rreth zonës së barkut.
Konsumimi i ulët i yndyrës në ushqim: disa njerëz supozojnë se ushqimet me shumë yndyrë çojnë në depozitimin e yndyrës në trup. Në fakt, kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Yndyrnat e shëndetshme, si: vaji i ullirit, avokados, kokosit apo acidet yndyrore omega 3 janë shumë të rëndësishme për funksionimin e organizmit në mënyrë të duhur. Ushqimet e tilla, si: arrat, bajamet, avokado dhe vajrat si ai i kokosit, ullirit etj. ju ndihmojnë të reduktoni yndyrën në trup. Duhet të jeni të kujdesshëm në përdorimin e tyre, por jo t’i mënjanoni plotësisht.
Nuk hani proteina në mënyrë të mjaftueshme: proteinat ndihmojnë në ekuilibrimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe mban lart nivelin e metabolizmit. Proteinat ju mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë dhe nuk lejojnë që t’ju depozitohet yndyrë në trup. Duhet të konsumoni proteina në çdo vakt.
Nuk flini sa duhet: në rastet kur nuk bëni gjumë të mjaftueshëm, rriten nivelet e kortizolit dhe ju rritet dëshira për të ngrënë. Ngrënia në orët e vona të natës sjell akumulim të dhjamit në trup, kryesisht në zonën e barkut.
Mungesa e aktivitetit fizik: aktiviteti fizik ndihmon për të mbajtur një peshë të qëndrueshme dhe në reduktimin e yndyrës. Nëse jeni pasiv, do të merrni energji më shumë seç do digjni dhe do të shtoni masën dhjamore në trup.
Përshtati në shqip për “Shëndet+”: Daniela Bardhi


