Kryefaqja Aktualitet Zbatimi i rekomandimeve dhe vendimeve të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të...

Zbatimi i rekomandimeve dhe vendimeve të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut sjell ndryshim pozitiv në jetën e qytetarëve

0
Shpërndaje

Promovimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut në një vend demokratik dhe ku mbizotëron shteti i të drejtës është themelor për atë vend. Brenda arkitekturës shtetërore, Parlamenti luan një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo sepse, së pari, Parlamenti ka përgjegjësinë të mbrojë, respektojë dhe plotësojë detyrimet ndaj të drejtave të njeriut dhe, së dyti, si përfaqësues i zgjedhësve, anëtarët e tij kanë detyrimin të sigurojnë interesin më të mirë të zgjedhësve. Po ashtu, Parlamenti është institucion lider për të siguruar se qeverisja nuk shkel të drejtat e njeriut, ligji i brendshëm nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe se mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave ekzistojnë dhe funksionojnë në mënyrën e duhur.

Pjesë e rëndësishme e këtij mekanizmi ja Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut: Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminim dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Këto institucione janë pjesë e rëndësishme e qeverisjes demokratike dhe luajnë rol të rëndësishëm në kontrollin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjshmërisë në vend në fushën e të drejtave të njeriut. Së bashku me pushtetin ekzekutiv, legjislativin dhe gjyqësorin, IKDNj kontribuojnë për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtave të njeriut nga të gjitha institucionet publike dhe jopublike.

Performanca e institucioneve të pavarura lidhet ngushtë me nivelin e pavarësisë që gëzojnë këto institucione, por jo vetëm. Ngritja e një mekanizmi të posaçëm nga Kuvendi, që i jep kompetenca këtij të fundit të kërkojë informacion dhe të monitorojë zbatimin e rekomandimeve të institucioneve të pavarura, për fshi IKDNJ, nga ana e institucioneve publike dhe e administratës shtetërore, rrit shpresat se performanca e institucioneve të pavarura do të rritet në vijimësi dhe situata e të drejtave të njeriut do të vijë në përmirësim.

Krijimi i këtij mekanizmi u bazua në dy nevoja:

  1. Së pari, në nevojën për të forcuar kontrollin parlamentar mbi qeverinë dhe për të zbatuar më mirë rekomandimet e institucioneve të pavarura nga ana e institucioneve publike; dhe
  2. Së dyti, në nevojën e monitorimit efektiv të veprimtarisë së institucioneve të pavarura nga Kuvendi.

Mekanizmi, referuar edhe rekomandimeve të lëna nga Progres Raporti i Bashkimit Europian, u parashikua t’i shërbejë rritjes së llogaridhënies të organeve të ekzekutivit dhe administratës publike në tërësi për zbatimin në kohë dhe në mënyrë të plotë të rekomandimeve të institucioneve të pavarura.

Prej vitit 2017, kur u ngrit Mekanizmi Parlamentar i Monitorimit, Kuvendi ka rritur presionin ndaj institucioneve përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit dhe ka kërkuar prej tyre të jenë më bashkëpunuese me institucionet e pavarura, duke iu përgjigjur në kohë, kërkesave, rekomandimeve apo vendimeve që u vijnë nga këto institucione. Po ashtu, Kuvendi ka kërkuar nga institucionet shtetërore, veçanërisht ato qendrore që t’i përgjigjen në kohë institucioneve të pavaruara dhe të marrin masa për t’i informuar ato brenda afatit për vënien në vend të të drejtës së shkelur prej tyre.

Për të kuptuar se si ka ndikuar ngritja e Mekanizmit Parlamentar të Monitorimit në përmirësimin e performancës së institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Evropa mbron të Drejtat e Njeriut”, mbështetur nga mbështetur nga EU Albania, nëpërmjet programit IPA 2015, menaxhuar nga Ministria e Financave (CFCU Albania), realizoi një raport studimor ku përfshinte analizimin e performancës së IKDNJ në vitet 2016, 2017, 2018.

Nga të dhënat e studimit bie në sy se, gjatë vitit 2017 performanca e institucioneve të pavarura ka qenë më e lartë, falë rritjes së presionit të Kuvendit ndaj institucioneve ligjzbatuese për zbatimin e vendimeve dhe rekomandimeve të IKDNJ.

Megjithatë, edhe pse vërehet rritje e nivelit të përgjigjeve të institucioneve qendrore ndaj kërkesave, vendimeve, rekomandimeve dhe urdhërimeve të IKDNJ, shqetësues konsiderohet fakti i venë në dukje nga këto të fundit se shpesh përgjigjet janë të paplota, ose jashtë objektit. Kjo pengon punën hetuese e IKDNJ-ve për të vërtetuar shkeljen e të drejtës/ve duke mos lejuar garantimin dhe gëzimin e të drejtave nga individët apo grupet e individëve.

Në rastin e Avokatit të Popullit është konstatuar ulje e numrit të rekomandimeve të pranuara nga ana e institucioneve qendrore, por në të njëjtën kohë edhe rritje e rekomandimeve të pranuara e të zbatuara. Edhe pse Kuvendi e ka konsideruar rritjen e rekomandimeve të pranuara të zbatuara si një sinjal pozitiv i ndërgjegjësimit të institucioneve publike, për Avokatin e Popullit ‘vetëm rekomandimet e zbatuara janë ato që sjellin ndryshim në jetën e qytetarëve’.

Pra, vetëm ulja deri në zerim e kërkesave, rekomandimeve, urdhërimeve dhe vendimeve të papranuara, të refuzuara dhe/ose të pazbatuara nga ana e institucioneve publike do të sjellin ndryshim pozitiv në jetën e qytetarëve duke u garantuar atyre gëzimin e të gjitha të drejtave që u takojnë me ligj. Pikërisht ky duhet të jetë edhe fokusi i punës së Kuvendit, nëpërmjet Mekanizmit Monitororues,  në të ardhmen.

Ky shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Evropa respekton të drejtat e njeriut”, zbatuar nga organizata “Together for Life” dhe “Act For Society”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e TFL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here