“Zë dhe Impakt: Fuqizimi i Këshillave Rinorë për Ndryshim në Komunitet” u finalizua me sukses në katër bashki të jugut të Shqipërisë: Ersekë, Sarandë, Tepelenë dhe Gjirokastër. Zbatuar nga Shoqata “Përtej Barrierave”, ky projekt u realizua si pjesë e programit Erasmus+, në kuadër të Pojektit Rajonal të Dialogut të të Rinjve për Europën (RYDE), i iniciuar nga Fondacioni i Qendrës per Demkraci në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Projekti kishte për qëllim fuqizimin e të rinjve si aktorë të rëndësishëm në proceset e vendimmarrjes lokale, duke i kthyer ata nga pjesëmarrës pasivë në qytetarë të angazhuar dhe përfaqësues aktivë të brezit të tyre.
RYDE nisi si përgjigje ndaj ndjesisë së përhapur mes të rinjve në rajon se zëri i tyre nuk dëgjohet mjaftueshëm dhe se përfshirja e tyre në proceset me ndikim në të ardhmen është e kufizuar. Ky projekt synoi të përforcojë demokracinë pjesëmarrëse, të nxisë dialogun ndërmjet të rinjve dhe vendimmarrësve, si dhe të forcojë bashkëpunimin mes të rinjve dhe organizatave të shoqërisë civile në nivel kombëtar dhe rajonal.
Në këtë kontekst, “Zë dhe Impakt” është një ndër iniciativat mbështetëse të RYDE, për të nxitur aktivizmin dhe për të thelluar pjesëmarrjen e të rinjve në qeverisjen lokale në Shqipëri. Duke vendosur në qendër këshillat rinorë lokalë, projekti synoi jo vetëm t’i forconte ato institucionalisht, por edhe t’i pajiste me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ndikuar realisht në politikat lokale. Kjo krijoi mundësi konkrete për të rinjtë që të shprehnin perspektivat e tyre, të komunikonin me autoritetet dhe të përfaqësonin në mënyrë të strukturuar nevojat e bashkëmoshatarëve të tyre.

Gjatë zbatimit të projektit, të rinjtë u angazhuan në një sërë aktivitetesh për rritjen e kapaciteteve të tyre si pjesë aktive e jetës publike dhe vendimmarrjes lokale. Nëpërmjet trajnimeve intensive dhe simulimeve të vendimmarrjes, ata fituan aftësi konkrete në fushat e lidershipit, avokimit dhe planifikimit strategjik. Kjo përvojë u dha atyre jo vetëm njohuri praktike, por edhe vetëbesimin e nevojshëm për të luajtur një rol të rëndësishëm në komunitetet e tyre.
Një pjesë kyçe e projektit ishin konsultimet me komunitetin dhe institucionet lokale, përmes të cilave u identifikuan prioritetet kryesore të të rinjve në secilën bashki. Në bashkëpunim me ekspertë dhe përfaqësues vendorë, u hartuan plane konkrete veprimi që pasqyrojnë në mënyrë të qartë zërin e brezit të ri dhe që synojnë të integrohen në politikat publike të ardhshme.
Në funksion të rritjes së ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së komunitetit, projekti përfshiu edhe një fushatë avokimi që vendosi të rinjtë në qendër të debatit publik. Ata patën mundësinë të ndajnë idetë e tyre në forume të hapura, të komunikojnë me autoritetet dhe të prezantojnë publikisht planet e veprimit te hartuar, duke fituar mbështetje dhe interes konkret nga bashkitë.
Përtej rezultateve të menjëhershme, projekti solli një ndikim afatgjatë duke krijuar një model funksional dhe të qëndrueshëm për përfshirjen rinore në vendimmarrje. Pjesëmarrësit e trajnuar u kthyen në burime të çmuara për komunitetet e tyre, të aftë për të kontribuar në ndërtimin e një qeverisjeje më gjithëpërfshirëse dhe më afër qytetarëve. Planet e Veprimit të hartuara ofrojnë një udhërrëfyes të qartë për zhvillimin rinor dhe janë shembuj konkret se si pjesëmarrja e të rinjve mund të përkthehet në politika efektive dhe të matshme.
Projekti “Zë dhe Impakt” u vlerësua edhe nga përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile si një praktikë e mirë që mund të replikohet në bashki të tjera të Shqipërisë dhe rajonit. Ai përputhet plotësisht me strategjitë e Bashkimit Europian për rininë dhe kontribuon në procesin e integrimit europian të vendit, duke treguar se të rinjtë shqiptarë janë të gatshëm jo vetëm të marrin pjesë, por edhe të udhëheqin ndryshimin.
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit “Zë dhe Impakt: Fuqizimi i Këshillave Rinorë për Ndryshim në Komunitet”, zbatuar nga organizata Përtej Barrierave nëpërmjet Pojektit Rajonal të Dialogut të të Rinjve për Europën (RYDE), i iniciuar nga Fondacioni i Qendrës per Demkraci me mbështetjen e Bashkimit Europian. Për më shumë informacion vizitoni: www.beyondbarriers.org