Kryefaqja Box 1 Zemra, sëmundjet që shfaq me moshimin

Zemra, sëmundjet që shfaq me moshimin

0
Shpërndaje

Manjola Liko, kardiologe pranë Qendrës së Specialiteteve nr.3, Tiranë

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaqet kryesore për vdekshmërinë e popullsisë mbi moshën 65 vjeç. Moshë e avancuar quhet mosha 60-69 vjeç, ku jo shumë të moshuar konsiderohen ata në grupmoshën 65 -74 dhe të moshuar ata mbi 75 vjeç. Të moshuarit në risk më të lartë janë ata mbi 70 vjeç, por edhe ata të moshës 60 ose mbi 60 që kanë probleme me shëndetin. Ushqyerja jo e mirë ndikon negativisht, si: konsumimi i yndyrnave të ngopura, ulja e konsumit të proteinave, frutave dhe perimeve, marrja vetëm e çajit apo kafes në vend të mëngjesit, aktiviteti fizik i ulët dhe vesi i duhanit.

Sëmundjet që prekin të moshuarit, më shumë janë sëmundjet kockore në rreth 56%, hipertensioni afro 54%, stroke 20%, sëmundjet e zemrës rreth 16%, diabeti në rreth 4% dhe tumoret rreth 9%.
Sëmundjet e zemrës vijnë përgjithësisht si rezultat i bllokimit të enëve koronare. Sëmundjet e enëve koronare më shpesh janë sëmundje multivazale dhe përfshijnë arterien kryesore të majtë dhe prek njësoj si femrat, si meshkujt e moshës mbi 65 vjeç.
Në risk më të lartë janë pacientët me nivel të lartë të kolesterolit në gjak, pacientët obezë dhe hipertonikët.

Vetë hipertensioni rrit probabilitetin për probleme me aterosklerozën koronare, që mund të shfaqet me dhimbje gjoksi apo infarkt të miokardit. Hipertensioni shfaqet në mbi gjysmën e pacientëve mbi 65 vjeç, por edhe insuficenca kardiake është një diagnozë e shpeshtë në emergjencat e kësaj grupmoshe. Hipertensioni në këtë grupmoshë karakterizohet prej rritjes së presionit sistolik që jep rritje të presionit të pulsit dhe rritje të probabilitetit për evente kardiovaskulare veçanërisht tek gratë. Insuficenca kardiake me ruajtje të funksionit sistolik është më e shpeshtë tek moshat e vjetra dhe kryesisht te gratë.

Po ashtu deri në moshën 80 vjeç preken njësoj si femrat si meshkujt nga infarkti i miokardit, ndërsa mbi 80 vjeç preken më shumë femrat. Një sëmundje kardiake që prek moshën e tretë është edhe amiloidoza sistemike senile që prek afro 25% të pacientëve mbi 80 vjeç. Kjo sëmundje mund të çojë në insuficencë kardiake fibrilacion atrial apo edhe çrregullime të tjera të ritmit kardiak. Kardiomiopatia restriktive është sëmundja kryesore në prekjen kardiake nga amiloidoza, kjo vjen si rezultat i zëvendësimit të elementeve kontraktile me amiloid.

Ndryshimet që pëson zemra me moshën

Vetë zemra është një sistem përçimi që kontrollon rrahjet e zemrës. Disa rrugë përçuese të këtij sistemi mund të zhvillojnë fibrozë indore apo depozitime yndyrore dhe humbje qelizore. Të gjitha këto ndryshime çojnë në ulje graduale të frekuencës kardiake. Me moshën ka një rritje graduale të madhësisë së zemrës, sidomos ventrikulit të majtë, gjë e cila çon drejt ngadalësimit të mbushjes kardiake. Shpesh tek të moshuarit janë të pranishme aritmitë dhe sidomos fibrilacioni ventrikular. Ndryshimet normale të zemrës përfshijnë depozitim të pigmenteve të moshës në qelizat kardiake, gjë që çon në një degjenerim gradual të qelizave kardiake. Edhe valvulat e zemrës me kalimin e moshës trashen dhe janë më rigide dhe tek të moshuarit janë të shpeshta dëgjimi i zhurmave kardiake.

 

 

Ndryshimet në nivelin e enëve të gjakut

Receptorët e quajtur baroreceptor monitorojnë presionin kardiak dhe ndihmojnë në mbajtjen e një presioni të qëndrueshëm kur një person ndryshon pozicionin e trupit apo gjatë aktivitetit. Me moshën baroreceptorët bëhen më pak të ndjeshëm. Kjo mund të shpjegojë pse shpesh tek të moshuarit ka hipotension ortostatik, pra rënie të presionit të gjakut kur ndryshon pozicion nga shtrirë në ngritur. Kjo gjë shkakton turbullim të pamjes nga pakësimi i fluksit të gjakut në tru. Aorta bëhet me mure më të trasha dhe më pak elastike, edhe indi lidhor i enëve të gjakut ndryshon. Në përgjithësi, shumica e të vjetërve kanë një rritje të moderuar të presionit të gjakut.

Ndryshimet e gjakut

Vetë gjaku ndryshon me moshën. Plakja normale jep reduktim të ujit total në trup dhe si rezultat rënie të volumit qarkullues të gjakut. Shpejtësia më të cilën prodhohen rruazat e kuqe të gjakut në përgjigje të stresit apo sëmundjeve është e ulët. Kjo krijon një përgjigje më të paktë për humbjen e gjakut dhe anemi. Disa nga qelizat e bardha që lidhen me imunitetin (neutrofilet) bien në numër dhe japin rënie aftësie për të luftuar bakteriet, duke dhënë ulje të reziztencës ndaj infeksioneve. Normalisht zemra vazhdon të pompojë gjak për të furnizuar të gjitha pjesët e trupit, por ajo nuk mund të punojë po me aq forcë sa zemra e re.

Problemet më të shpeshta janë dhimbja e gjoksit, ataku kardiak, çrregullime të ritmit kardiak, arterioskleroza, sëmundja koronare, hipertensioni arterial, tromboflebiti, sëmundje vaskulare periferike.

Parandalimi

Kontrolli i faktorëve riskues kardiak, si vlerat e larta të tensionit arterial, diabeti, obeziteti, duhanpirja, nivelet e larta të yndyrave dhe ngrënia e ushqimeve të shëndetshme. Kryerja e aktivitetit të rregullt fizik dhe kontrollet e rregullta të zemrës.

Për dozat e medikamenteve.
Në përgjithësi duhen të përdoren doza më të ulta tek të moshuarit dhe tek femrat më të ulta se te meshkujt. Për medikamentet me eliminim renal duhet të vlerësohet filtrimi glomerular dhe koha midis dozave duhet të jetë më e madhe.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here