Kryeqyteti i vuan më shumë pasojat e zhurmave të pafundme, por edhe qytetet e tjera të Shqipërisë janë gjithashtu me probleme jo vetëm gjatë ditës, por edhe natën
Aishe Thartori
U ndodh të gjithëve të dalin nga shtëpia të qetë për të vajtur në punë apo shkollë dhe kur mbërrijnë atje, e ndiejnë veten tepër të acaruar. Boritë e makinave që bien vend e pa vend (sidomos kur ndonjë shofer autobusi tregohet “bujar” me zhurmën e borisë së tij), trafiku i rënduar etj. ushtojnë në kokë ndërsa ecim, duke na bërë që mbërritja në destinacion të jetë më tepër se e lodhshme.
Në fakt, ndotja akustike (apo e thënë në gjuhën e përditshme: zhurmat) është një ndër shumë problemet që ende nuk kanë gjetur zgjidhje në vendin tonë. Madje edhe në mbrëmje kur çdo gjë duket se ndalon, zhurmat mbesin. Për të dhëna zyrtare lidhur me nivelin e ndotjes akustike nuk mund të flasim. Kjo për faktin se institucioni përgjegjës për nxjerrjen e të dhënave përkatëse ka reshtur së bëri këtë gjë në dy vitet e fundit. Kërkesa nga gazeta “Shëndet+” lidhur me faktin pse ky studim nuk është bërë vitin e fundit, nuk ka marrë asnjë përgjigje, pavarësisht këmbënguljes
Por duke iu referuar raportit të fundit të bërë publik në vitin 2011, ndotja akustike në vendin tonë është shumë herë më e lartë se ajo e vendeve të tjera jo vetëm Evropë, por edhe në rajon, duke e tejkaluar kështu edhe kufirin e vënë nga ligji shqiptar.
Dhe si çdo gjë tjetër që në masë të tepruar të dëmton, edhe zhurmat kanë pasojat e tyre të rënda në shëndet. Në një intervistë për gazetën “Shëndet +” mjeku otorinolog Xhevahir Hoxhallari, shpjegon dy efektet kryesore negative që sjellin këto zhurma.
“Zhurmat janë të karaktereve të ndryshme dhe na shoqërojnë kudo: në shtëpi, në punë, në rrugë. Në përgjithësi zhurmat kanë dy efekte të rëndësishme që japin ndikim në organizëm. E para, është dëmtimi që ka të bëjë me dëgjimin. Zhurmat e forta mund të sjellin probleme në dëgjim si ulje të nivelit të dëgjimit, dobësim të nervit të dëgjimit apo dëmtim të veshit të brendshëm”, thotë mjeku Hoxhallari.
Sipas tij, “zhurmat nën 50 decibel nuk mund të thuash që japin dëmtime. Kur këto zhurma kalojnë mbi 50-60 decibel, atëherë rritet edhe mundësia për të pësuar dëmtime në dëgjim. Zhurmat mbi 50 decibel janë zakonisht zhurma që mund t’i gjesh në ambientet e punës, si: në zdrukthëtari, gjatë punës me makineri, në fabrika, uzina dhe sidomos në kohët e sotme zhurmat e larta të ambienteve të argëtimit, të cilat mund të shkojnë mbi 70-80 decibel.
“Këto janë zhurma që kalojnë pragun e dhembjes, pra mund të shkaktojnë dhembje në vesh. Jo në pak raste ndodh që të çojnë në një shurdhim të plotë. Këto janë defekte që rrallëherë mund të qëllojë që t’i rikuperosh.
“Qëndrimi në zhurma për kohë të gjata, pavarësisht se mund të mos jenë të një intensiteti shumë të lartë, siç mund të jenë zhurmat përshembull e ambienteve argëtuese, por që luhaten midis 60 decibelëve e dëmton dëgjimin duke dhënë dalëngadalë një ulje graduale të dëgjimit, e cila bëhet evidente pas 10 -15 vjetësh. Duke qenë një proces i cili ndodh ngadalë, në përgjithësi njerëzit ambientohen me zhurmën dhe nuk janë në gjendje të kuptojnë arsyen pse dëgjimi ka ardhur duke rënë me kalimin e viteve”.
Depresioni
Por ulja e dëgjimit apo shurdhimi nuk është efekti i vetëm negativ që shkaktojnë zhurmat e përditshme të cilave u nënshtrohemi. Mjeku Hoxhallari thotë se “efekti i dytë që shkaktojnë zhurmat është efekt psikologjik, i cili shoqërohet me uljen e nivelit intelektual, uljen e gjendjes emocionale, me çrregullim nervor etj. Kjo ndodh sepse zhurmat bëjnë që të humbasë përqendrimi dhe për pasojë krijohet irritimi tek individët”.
Sipas mjekut, në vendin tonë njerëzit kanë vite që nuk kujdesen më për zhurmat dhe efektet e tyre negative në shëndet. “Ndodh që në ambientet e punës, kur u thua punëtorëve që duhet të mbash kufje për t’u ruajtur nga intensiteti i lartë i zhurmës, sepse të dëmton, i duket si çudi dhe bezdi. Pra, në vendin tonë nuk ekziston një edukatë e të ruajturit të shëndetit vetjak. Shpeshherë puna është ambienti i parë që mund të na shkaktojë dëmtime në dëgjim.
“Kur tek ne paraqiten raste me probleme në dëgjim, pyetja e parë që ne i drejtojmë është se ku ka punuar, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm ndaj vetes”.
Sipas mjekut, një target grup shqetësues mbeten të rinjtë. Studime të veçanta të realizuara rreth tyre tregojnë se edhe dëgjimi i muzikës me kufje në nivele të larta volumi sjell dëmtim në dëgjim.
“Sipas studimeve të kryera, është vënë re një shtim i rasteve me dëgjim të ulët dhe dëmtim të nervit të dëgjimit tek të rinjtë që dëgjojnë muzikë me volum të lartë për një kohë të gjatë. Dëmtimet në dëgjim janë dëme të pariparueshme që shoqërohen me zhurma në vesh dhe pacienti irritohet aq sa nuk mund të flejë gjumë ose janë dëmtime që ulin kapacitetin intelektual dhe i bëjnë të rinjtë nervozë. Këto irritime i shoqërojnë ata përgjatë gjithë jetës dhe individët nuk kanë më një sjellje normale në familje apo në shoqëri etj”.
RAPORTI 2011
Ndotja akustike, situata në vend
Raporti në lidhje me ndotjen akustike në vend, i bërë publik nga Instituti i Shëndetit Publik në vitin 2011, mbetet ende sot e kësaj dite i vetmi burim zyrtar i të dhënave. ISHP-ja nuk ka realizuar asnjë studim tjetër që lidhet me ndotjen akustike përsa i takon viteve 2012-2013. Duke iu referuar raportit të dy viteve më parë, ndotja akustike në vend dhe sidomos në Tiranë, përbën problem serioz, pasi kjo ndotje i tejkalon disa herë normat e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe ligji shqiptar, duke e renditur kështu Shqipërinë të parën në rajon me nivelin më të lartë të zhurmave urbane.
Kryeqyteti është ai që regjistron shifrat më të larta të ndotjes akustike, përkatësisht 71.1 decibel nga 55 decibel që është norma e lejuar prej Bashkimit Evropian. Sipas këtij raporti, pikat më të ndotura të kryeqytetit janë Rruga e Elbasanit, kryqëzimi “Vasil Shanto”, kryqëzimi i Zogut të Zi, Ushtari i Panjohur, Stacioni i Trenit dhe Lapraka. Duke iu referuar raportit i i cili vë të dhënat e fundit përballë atyre të 4 viteve të kaluara, nuk ka pasur asnjë ndryshim apo përmirësim përsa i takon ndotjes akustike.
Në Tiranë niveli i ndotjes akustike nuk ndryshon nga dita në mbrëmje. Kështu Tirana regjistron si ndotje gjatë ditës shifrën 71.1 decibel, ndërsa natën 59.3 decibel.
Sipas ISHP-së, burimet kryesore të zhurmave urbane janë: trafiku urban, trafiku rrugor, trafiku hekurudhor, trafiku ajror, industria (zhurmat profesionale dhe mjedisore), aktivitetet argëtuese (koncertet e hapura, diskoteka lokale dite apo nate) etj.
Faktor tjetër me një peshë shumë të konsiderueshme është lëvizja e mjeteve të rënda mbi 10 ton, prania e tyre në nyje të tilla problematike vështirëson shpejtësinë e lëvizjes, manovrimin dhe rrit në rreth 30% nivelet e zhurmave. Mungesa e theksuar e vendparkimeve të përkohshme apo të përhershme përbëjnë një tjetër faktor i cili ndikon në rritjen e niveleve të ndotjes nga zhurmat. Po ashtu, problem përbëjnë edhe mungesa e rrugëve dytësore apo tretësore, të cilat do të ulnin ndjeshëm përqendrimin në akset kryesore, gjendja motorike e automjeteve në qarkullim (mosha e vjetër e tyre ) sjellin gjithashtu probleme të ndotjes akustike në vend.
Niveli i zhurmave në qytet e mëdha, statistika
Tirana regjistron 71.1 decibel nga 55 (norma e lejuar prej BE-së)
Durrësi regjistron 64.2
Fieri regjistron 62.9
Shkodra regjistron 64.8
Vlora regjistron 61.8
Saranda regjistron 63.9
Korçë regjistron 62.7
Konkluzione nga studimi
Monitorimi tregoi se vendi ynë ka tendencë të jetë ndër vendet e para në Evropë me një ndotje akustike urbane në këto parametra. Problematike po bëhet situata sidomos gjatë natës, pra në kohën e gjumit. Si vlerat mesatare të ditës, ashtu edhe ato të natës janë mbi vlerën standarde të BE-së dhe ligjit shqiptar.