Kryefaqja Lajm kryesor Zhvillimi gjuhësor në fëmijërinë e hershme 1-6 vjeç dhe shenjat e alarmit

Zhvillimi gjuhësor në fëmijërinë e hershme 1-6 vjeç dhe shenjat e alarmit

0
Shpërndaje

Gentjana Sinaj, mjeke logopede, pedagoge në Universitetin e Mjekësisë Tiranë! 

Çfarë është gjuha dhe si zhvillohet ajo?

Komunikimi zhvillohet nëpërmjet ndërveprimit dhe lidhjeve që krijon fëmija me persona të tjerë. Sa më stimulues të jetë mjedisi ku rritet fëmija dhe sa më e fuqishme lidhja mes tij dhe prindërve, aq më i madh është motivimi i fëmijës për të komunikuar fillimisht nëpërmjet gjesteve e më pas nëpërmjet gjuhës së folur. Loja ndërvepruese dhe leximi janë përforcuesit më të mirë për zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës.

Zhvillimi i gjuhës ka tri elementë kryesore:

  • E folura e cila është aftësia për të prodhuar tinguj, një koncept që përfshin dhe ritmin, rrjedhshmërinë e të folurit dhe artikulimin;
  • Gjuhën ekspresive (aftësia për të përçuar informacion, ndjenjat, mendimet dhe idetë nëpërmjet të folurit dhe shprehjeve të fytyrës, gjestikulacioneve të dorës dhe të shkruarit;
  • Gjuha receptive ka te bëj me te kuptuarin e situatave te ndryshme që krijohen

Si zhvillohet gjuha deri në moshën 6 vjeç?

  • Mosha 2 muaj, fëmija fillon t’u qesh njerëzve, gugat dhe kthen komën nga burimi i zërit.
  • Mosha 4 muaj, fillon të belbëzoj dhe ka ekspresion facial, e qara është formë komunikimi.
  • Mosha 6 muaj, fëmija i përgjigjet emrit të vetë, fillon te artikuloj tinguj bashtingëllor(M, B, D).
  • Mosha 9 muaj, tregon me gisht, kupton “Jo”
  • Mosha 12 deri 18 muajsh, fëmija në këtë moshë kalon nga imitimi i tingujve dhe gugatja në thënien e disa fjalëve me kuptim si mama, baba, dada, imja etj. Femija fillon të kuptojë gjithnjë e më shumë dhe komandat e thjeshta (si, p.sh.: thuaj mirupafshim) dhe emrat e njerëzve të afërm si dhe të objekteve familjare.

Fëmijët në këtë moshë e zgjerojnë repertorin e tyre komunikativ nëpërmjet një numri të gjerë gjestesh (p.sh.: tregojnë me gisht, tundin dorën për të thënë mirupafshim, etj..), të shoqëruara ose jo me vokalizime.

Zhvillimi i gjuhës dhe komunikimit në fëmijërinë e hershme ka rëndësi themelore për zhvillimin e mëvonshëm social, akademik dhe konjitiv në vitet në vazhdim.

  • Në moshën 2 vjeç, gjuha ekspresive e fëmijëve në pjesën më të madhe të rasteve përfshin fjali me dy fjalë, kryesisht kombinime dyshe fjalësh pa folje, p.sh.: pi lëng, ose mami jep.
  • Mosha 2 deri në 3 vjeç, fëmijët flasin me fjali që përmbajnë 4 deri në 5 fjalë. Ata janë në gjendje të tregojnë ndodhi në të cilën përdorin pyetje si “çfarë̈?” dhe “ku?”.
  • Mosha 3 deri 4 vjeç, fëmijët mësojnë rregullat thelbësore të gramatikës. Ata kanë një fjalor që i kalon 1,000 fjalë.
  • Mosha 5 deri 6 vjeç – pjesa më e madhe e 5-6 vjeçarëve e përdorin mirë gjuhën e folur, por përsëri pjesa më e madhe e tyre mund të kenë vështirësi në shpjegimin e ngjarjeve komplekse edhe kur arrijnë ti shpjegojnë ato mund të lënë pa treguar pjesë të rëndësishme të ngjarjes.

Në këtë moshë fëmijët mund të thonë emrin, mbiemrin, adresën, moshën dhe ditën e lindjes së tyre. Mund të pyesin për kuptimin e fjalëve të ndërlikuara, mund të tregojnë histori, të thonë vjersha, etj…

Në këte moshë deri 80% e të folurës duhet të jetë e kuptueshme për një të huaj.

Cilat janë shenjat e alarmit dhe kur duhet te reagojmë?

  • Mosha 2- 4 muaj nuk reagon ndaj tingujve të fortë. Nuk sheh gjërat që lëvizin në ambientin e tij dhe nuk u qeshin njerëzve.
  • Mosha 6- 9 muaj nuk lëshon zanore si: A, E, O. Nuk belbëzon ma..ma, ba..ba. Nuk përfshihet në lojra. Duket i ngurtë në tonusin muskular. Nuk provon të kap sendet e arritshme. Nuk shikon në drejtimin nga jeni ju.
  • Mosha 12-18 muaj nuk thotë fjalë teke dhe nuk i shoqëron me gjestikulacione. Nuk tregon sende me gisht. Nuk imiton të tjerët dhe në fjalor nuk numëron as 6 fjalë.
  • Mosha 2- 3 vjeç, nuk përdor fjali me dy fjalë dhe nuk di përdorimin e sendeve të ndryshme si: piruni, telefoni etj. Nuk ndjek komanda te thjeshta. Nuk realizon lojën “sikur”. Ka salivacion të shtuar (jargë) dhe flet fjalë të pashqiptuara saktë.
  • Mosha 4- 5 vjeç, fëmija është i tërhequr dhe jo aktiv, ka vështirësi për dhënien e emrit dhe mbiemrit. Nuk përdor shumësin dhe kohën e shkuar siç duhet. Nuk flet për aktivitet e përditshme.

Ku duhet të drejtohemi në këto raste?

Etapat e zhvillimit të fëmijëve na ndihmojnë të njohim zhvillimin e tyre dhe te jemi në gjendje te monitorojmë ecurinë e tyre. Sa më herët të evidentojmë situata që kërkojnë më tepër vëmendjen tonë aq më herët i japim ndihmën fëmijëve. Në rastet që do evidentoni situata ku fëmija juaj ka vështirësi ne nxjerrjen e tingujve, artikulimi, e fjalëve apo fjalori i tyre nuk është në masë e fjalorit të bashkëmoshatarëve të tij, duhet te kontaktonin me patologun e gjuhës, pra Logopedin. Logopedi është specialisti që vlerëson zhvillimin gjuhësor të fëmijës tuaj , përcakton bilancin gjuhësor dhe harton plan-këshillimin i cili zbatohet nga prindërit dhe kujdestarët ose plan-trajtimin kur është vlerësohet situata për ndërhyrje.

A janë gjithmonë vonesat gjuhësore të lidhura me çrregullime apo patologji të tjera?

Zhvillimi gjuhësor në fëmijë të ndryshëm mund të jetë i ndryshëm, kjo sepse ka dhe faktorë ambiental dhe familjar që ndikojnë në zhvillimin e gjuhës. Dhe pikërisht sepse gjuha varet edhe nga këto eksperienca individuale të fëmijëve, ky zhvillim ka ecuri të ndryshme në fëmijë te ndryshëm dhe jo domosdoshmërisht këto vonesa janë te lidhura me çrregullime në zhvillimin e fëmijëve. Por mbetet për t’u vlerësuar nga patologu i gjuhës në bazë te indikatorëve të zhvillimit gjuhësor dhe më pas vendosjen e një diagnoze gjuhësore./ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here