1 dekadë dhurues gjaku, qytetari tregon rrugëtimin vullnetar

Emanuel Smaka

Adriatik Kapaj është ndër qytetarët që çdo vit kujtohet për 14 Qershorin, Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut. Ky është i dhjeti vit që ai dhuron gjak. Kapaj tregon se para një dekade, me lindjen e të birit, kuptoi rëndësinë e këtij vullnetarizmi.

“Ç’është e vërteta para 10 vitesh nuk e njihja dhurimin e gjakut, por ne si familje kishim nevojë, sepse më lindi djali. Mjekët kërkonin gjak për bashkëshorten dhe pikërisht nga kjo ndodhi unë kuptova rëndësinë e vërtetë të dhurimit të gjakut. Që nga ajo ditë u bënë 10 vite që dhuroj në ditën ndërkombëtare më 14 qershor. Kur ka nevoja dhuroj gjak edhe 2 herë në vit. Mendoj se të gjithë ata që janë përballur me nevojën për gjak e njohin rëndësinë e dhurimit”, thotë Kapaj.

Është një gjest i vogël, thotë ai, ku secili mund të kontribuojë për shëndetin publik.

“Gjatë verës është edhe nevoja më e madhe për gjak. Tani janë të gjithë me makina dhe aksidentet janë rritur, rrjedhimisht nevoja për gjak është më e madhe. Dhurimi I gjakut është shumë I rëndësishëm edhe për fëmijët talasemikë. Dhurimi i gjakut ka edhe një avantazh tjetër, sepse sa herë dhuroj gjak jepen edhe analizat. Kjo është edhe një mënyrë e mirë”, përfundon Adriatik Kapaj.

Këtë vit ai zgjodhi që dhurimin ta kryente në stendën e ngritur nga Kryqi i Kuq shqiptar në qendër të Tiranës. Koordinatorja e dhurimit të Gjakut në Tiranë Antigoni Qystri thotë se Shqipërisë i duhen shumë shembuj të tillë në mënyrë që të mbulohen nevojat për gjak.

“Fakti që Adriatiku dhuron gjak prej 10 vitesh në mënyrë të rregullt duhet të shërbejë si shembull pozitiv për të tjerët. Shembuj të tillë i duhen shoqërisë tonë. Sa më shumë dhurues vullnetarë të gjakut të kemi, aq më mirë do të mbulohen nevoja për sasi gjaku”, argumenton Qystri, koordinatore e projektit të dhurimit vullnetar të gjakut në Tiranë.

“Mos prisni derisa të ndodhë fatkeqësia: Dhuro gjak, Dhuro shpejt, Dhuro Tani”. Është ky slogani i përzgjedhur për vitin 2018 në kuadër të Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut.

14 Qershori i kushtohet ndërgjegjësimit të popullatës për të pasur sa më shumë  dhurues vullnetarë të gjakut . Në kuadër të kësaj nisme edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur prej ditësh në mbarë vendin fushata sensibilizuese për dhurimin e gjakut. / Pro Pacientit

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni