1 në 4 fëmijë të prekur nga astma

astma

“Ju mund ta Kontrolloni Astmën tuaj”, ishte dje motoja që shoqëroi aktivitetet në Ditën Botërore të Astmës. Shoqata e Mjekëve Alergologë organizoi një sërë aktivitetesh me qëllim sensibilizimin e popullatës për këtë sëmundje, e cila në vendin tonë ka pësuar një rritje progresive të prevalencës në moshat 6-14 vjeç.

Emisioni “Kolor”, në TVSH i kushtoi sot një hapësirë të veçantë kësaj teme, duke ngritur një panel me profesionistë të shëndetit dhe gazetarë.

Eris Mësonjësi, mjeke alergologe në QSUT, Eugerta Dilka mjeke pneumologe pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, Enertila Bekteshi psikologe, Erjon Skëndaj, gazetar social, dhe Denisa Canameti, gazetare shëndetësie, ishin të ftuar për të folur për sëmundjen e astmës dhe rolin e medias në përcjelljen e informacionit te njerëzit.

Pneumologia Dilka përmendi disa nga simptomat e kësaj sëmundje, prevalencën si dhe theksoi se mjekimet mund ta kontrollojnë astmën. Evitimi i faktorëve nxitës të astmës mund të ulë gravitetin e kësaj sëmundje, u shpreh mjekja .

Alergologia Mësonjësi midis të tjerash tha se në një studim të kryer në shkolla, me fëmijë të rastësishëm, në rezultate u pa se 1 në 4 fëmijë ishin të prekur nga astma.

Enertila Bekteshi, psikologe në QSUT, foli lidhur me ndikimin që ka kjo sëmundje në psikologjinë e njerëzve të cilët jetojnë gjithë jetën me të.

Gazetarët Skëndaj dhe Canameti treguan se sa hapësirë iu kushton media çështjeve të tilla, duke theksuar që punën më të madhe në drejtim të sensibilizimit të njerëzve e bën media e shkruar.

Astma në Shqipëri

Në vendin tonë astma ka pësuar një rritje progresive të prevalencës në moshat 6-14 vjeç, bazuar kjo në të dhëna nga studime epidemiologjike ndërkombëtare e kombëtare (ISAAC, Alb ISAAC), gjithashtu dhe sensibiliteti alergjik ndaj alergenëve është në rritje dhe e krahasueshme me vendet evropiane (grafikët).

Bazuar në të dhënat nga Shërbimi i Alergologjisë në QSU “Nënë Tereza” Tiranë është vënë re:
a. ulje e paraqitjes së astmave në urgjencën e QSUT me 75% krahasuar me vitin 1986.
b. përmirësim i dukshëm i kontrollit të Astmës si pasojë e përdorimit të gjerë të mjekimeve të reja lokale (steroide inhalatore), por nuk kemi arritur akoma kontroll të plotë të saj.
c. Implementimi i protokolleve bashkëkohore dhe edukimi në vazhdim i stafit mjekësor të specializuar të alergologëve, zgjerimi i mbulimit me specialistë në çdo rreth./ https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

A mund të jesh obez pa komplikacione shëndetësore? Ja çfarë thotë mjekja
“Video të manipuluara me inteligjencë artificiale në emër të mjekut Flamur Topi”/ AMA ngre alarmin: Dyshohet për mashtrim me të dhënat bankare
Rasti i 13-vjeçarit me autizëm në QSUT, KMD nis verifikimet
VIDEO/ A është obeziteti i pashëndetshëm në të njëjtën formë?
Këto 8 ushqime mund të ulin rrezikun e goditjes në tru
Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë