Zyra e gjinekologut është vendi ku ju mund të flisni për të gjitha gjërat e sikletshme që e keni të vështirë t’i ndani me miqtë apo prindërit. Për të marrë kujdesin e duhur shëndetësor, duhet të shmangni këto gabime:
Të jeni shumë nervoze për të lënë një takim tek gjinekologu
Është normale të jeni pak nervoze, megjithatë kjo gjë nuk duhet t’ju stepë që të vizitoni mjekun. Pyetni miqtë ose familjarët që t’ju rekomandojnë një doktor të mirë, dhe konsultohuni me të për çdo problem.
Të prisni deri sa të jeni seksualisht aktive për të bërë një vizitë
Edhe nëse nuk keni kryer akoma marrëdhënie seksuale, vizitat tek gjinekologu janë të rëndësishme për shëndetin. Vizita e parë këshilohet të bëhet midis moshës 13 dhe 15 vjeç. Në këtë rast vajzat mund të këshillohen me gjinekologun për probleme të ndryshme me menstruacionet.
T’i fshihni gjëra gjinekologut
E dimë se është e sikletshme të diskutoni për vaginën me një person që e shihni njëherë në vit,megjithatë, duhet të keni parasysh se gjinekologu nuk do të çuditet nga asgjë që ju do t’i thoni.
E rëndësishme është që të tregoheni të hapur me mjekun dhe t’i bëni çdo pyetje që ju shqetëson, pa u vënë në siklet.
Të besoni në trendin e “higjienës femërore”
Qëndroni larg produkteve që premtojnë ta bëjnë zonën tuaj intime të mbajë erën e një kopshti me trëndafila. Produkte të tilla shkaktojnë irritime, reaksione alergjike ose edhe infeksione. Nëse shqetësoheni nga era e pakëndshme, lini një takim me mjekun për t’u siguruar që nuk keni ndonjë infeksion. Përndryshe, higjena e vetme që ju duhet është pastrimi i jashtëm me një sapun, siç bëni gjithmonë.
Të shqetësoheni për depilimin
Gjinekologut nuk i intereson nëse keni bërë depilim brazilian apo jo. Nuk i bën fare përshtypje.
Të merrni “shtruar” infeksionet e traktit urinar
Nëse vëreni simptoma të infeksionit të traktit urinar (si nevoja e shpeshtë për të urinuar apo djegie) mos humbisni kohë me trajtimet në kushte shtëpie, pasi infeksioni mund të kalojë në veshkat tuaja.
Të kërkoni në “Google” për çdo problem që ju shqetëson në lidhje me shëndetin
Përveç faktit që do të trembeni për vdekje, askush në internet nuk e di historikun tuaj mjekësor.
Të duroni dhembjet e forta paramenstruale
Nuk keni pse të vuani aq shumë çdo muaj, duke qenë se mjeku mund t’ju ndihmojë për këtë.
Të mos pyesni rreth seksit të sigurt
Mund të ndiheni në siklet për të pyetur për mënyrat e mbrojtjes, por kujtohuni që gjinekologu juaj flet për këto gjëra gjatë gjithë ditës.
Të anulloni takimin sepse jeni me menstruacione
Nuk është e nevojshme të anuloni takimin sepse jeni me menstruacione, pasi kjo nuk krijon problem për gjinekologen. Gjithsesi, mund ta merrni fillimisht në telefon dhe t’i tregoni për problemin. Në rast se ajo ka mundësi të shtyjë takimin, atëherë do të jetë më mirë për të dyja palët.
Përshtati për “Shëndet+”: Blertina Koka/ Burimi: Marie Claire


