Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Ju mendoni se i njihni shenjat e kancerit. Mirëpo nuk e dini se ekspertët po inkurajojnë njerëzit që të jenë më të vetëdijshëm për simptomat më pak të njohura, të cilat mund të jenë sinjale të hershme të sëmundjes. Kërkimet nga “London School of Hygiene dhe Tropical Medicine” tregojnë se nga të gjitha vendet perëndimore, Anglia ka normat më të ulëta të mbijetesës për disa nga llojet e kancerit, si ai i zorrës së trashë, gjirit, mushkërisë, vezoreve dhe stomakut.
Në Britani, një në dy persona mund të diagnostifikohen me kancer gjatë jetës së tyre, dhe kjo sëmundje ka qenë përgjegjëse për një të katërtën e vdekjeve. Sipas “National Institute of Clinical Excellence”, rreth 5000 jetë njerëzish mund të shpëtohen çdo vit nëse sëmundja diagnostifikohet që në fillim.
Ekspertët e mjekësisë kanë publikuar një listë me 10 simptomat e para me të cilat shfaqet kanceri, të cilat nuk duhet të injorohen.
Zëri i ngjirur
Zakonisht zëri ngjiret kur jeni ftohur, por nëse nuk përmirësohet brenda dy ose tre javësh, atëherë duhet të kontrolloheni tek një mjek. “Ngjirja e vazhdueshme e zërit mund të tregojë se po zhvillohet një lloj kanceri i kurueshëm në kokë ose qafë, siç është ai i kordave zanore, thotë Dr Bloomfield. Nëse kapet që në fazat e para, kjo sëmundje mund të shërohet shpejt, sidomos me teknikat moderne që na ofron mjekësia në ditët e sotme.
Kolla e fortë duhet të kontrollohet gjithashtu me rreze X në gjoks, sidomos nëse ajo zgjat më shumë se tre javë, pasi mund të jetë një tregues i kancerit të mushkërive.
Djersitje të shumta natën
Gjatë periudhës së menopauzës femrat djersisin shumë natën. Djersitjet e shumta natën mund të jenë edhe një shenjë e një tumori që zhvillohet në qelizat limfatike.
“Njerëzit me tumorin limfoma kanë një metabolizëm të lartë, pasi qelizat limfatike harxhojnë shumë energji, duke shkaktuar djersitje gjatë natës,” thotë Dr. Shankara Paneesha.
Urth i vazhdueshëm
Nuk është e pazakontë të ndjeni dhimbje ose parehati pas një ushqimi pikant ose me shumë yndyrë, por nëse kjo zgjat më shumë se dy ose tre javë dhe duket të merrni ilaçe për të, atëherë kjo mund të jetë një shenjë për kancer të stomakut ose ezofagut thotë Prof. Johnson. Me raste, ajo mund të jetë shenjë paralajmëruese e kancerit të pankreasit dhe vezoreve, thotë ai.
Dhimbjet e shpinës
Në Britani, rreth 2.5 milionë njerëz vuajnë nga dhimbja e shpinës. 99% e tyre kanë dhimbje muskulare, megjithatë dhimbja e shpinës mund të jetë edhe një simptomë e kancerit të pankreasit. Dhimbjet e shkaktuara nga lodhja ose nga pesha përqendrohen zakonisht në pjesën e fundit të shpinës, ndërsa ato që lidhen me kancerin e pankreasit janë më lart. Tek këta njerëz shfaqen edhe sipmtoma të tjera, si mungesa e oreksit, lodhje dhe humbje në peshë.
Gjakderdhje pas menopauzës
Gjakderdhja pas menopauzës duhet t’i raportohet një mjeku, pasi mund të jetë një shenjë e hershme e kancerit, thotë Dr. Bloomfield. Nëse kapet që në fazat e para, ai mund të shërohet.
Probleme me urinimin
Me kalimin e moshës tek meshkujt, rriten gjëndrat e prostatës, duke bërë që ato të urinojnë më shpesh, sidomos gjatë natës. “Nëse urinoni shpesh ose keni vështirësi për të urinuar, kjo mund të jetë një shenjë e kancerit të prostatës,” thotë Prof. Johnson. Në këtë rast duhet patjetër që të bëni analizat.
Vështirësi në të gëlltitur
Goditjet apo dëmtimet në tru mund të shkaktojnë vështirësi me gëlltitjen. Në rase më të rralla, vështirësia në të gëlltitur mund të jetë shenjë e ndonjë lloj kanceri në kokë ose qafë, si kordat zanore, kanceri i ekzofagut, i gojës ose gjuhës. Nëse kapen që në fazat e para, ato mund të shërohen.
Zakonisht këto lloj kanceri shkaktohen kur konsumohet shumë alkool ose duhan, por nuk përjashtohen as mundësitë nga transmetimi i Human Papilloma Virus (HPV) nga seksi oral.
Diarrea
Nëse vëreni ndryshime në ngjyrën e urinës, ndryshim të shpeshtësisë së të shkuarit në banjë, ose keni dhimbje të cilat zgjasin më shumë se dy javë, atëherë duhet të kontrolloheni tek mjeku. Kjo mund të jetë shenjë e kancerit të zorrëve, dhe në raste më të rralla, të kancerit të vezoreve ose pankreasit.
Një plagë që nuk shërohet
Një shenjë e kancerit të lëkurës janë puçrrat e vogla në trup, të cilat zmadhohen dhe nuk hiqen për një kohë të gjatë. Shpesh janë të pa dhimbshme, por mund të shkaktojnë gjakderdhje dhe acarime.
Ulçer në buzë ose në gjuhë
Një pjesë e madhe e njerëzve i kanë ulçerat nga infeksionet virale, por zakonisht ato zhduken pas disa ditësh. “Por një ulçer që zgjat 3-4 javë, me ose pa dhimbje, duhet të kontrollohet pasi mund të jetë një kancer,” thotë Prof. Johnson. Ai këshillon që të tregoni kujdes dhe për zbardhjen e gjuhës për një kohë të gjatë pasi mund të çojë drejt kancerit.
Shënim: Nëse keni një apo disa simptoma të tilla, jo detyrimisht keni kancer. Por është mirë të konsultoheni me mjekun tuaj.
Burimi: The Telegraph / shëndeti.com.al


