Kryefaqja Turizem mjekësor 10 vendet më të famshme për turizëm mjekësor

10 vendet më të famshme për turizëm mjekësor

0
Shpërndaje

Sipas autorit të librit “Patients Beyond Borders (Pacientë përtej kufijve), Josef Woodman, shumë amerikanë po udhëtojnë drejt Meksikës për të rregulluar dhëmbët, shërbim ky që në SHBA shkon më shumë se 20 mijë dollarë. Ai shprehet se vendosi të shkonte së bashku me të atin dhe ashtu si shumë amerikanë të tjerë, priste të përballej me doktorë të pakualifikuar, instrumente mjekësore të ndryshkura dhe klinika jo të pastra. “Por në fakt nuk ishte aspak ashtu, – përshkruan ai. – Në shumë vende, cilësia e kujdesit shëndetësor ishte fantastike dhe babai im kurseu 13 mijë dollarë, duke përfshirë edhe shpenzimet për udhëtimin dhe qëndrimin në hotel”. Amerikanët mund të kursejnë deri në 75 për qind nëse i kryejnë shërbimet dentare në fqinjin e tyre jugor. Sigurisht, jo kushdo mendon se të udhëtosh në vende të largëta për të marrë shërbim mjekësor është një ide e mirë. Sipas doktorit amerikan Allen Lechtman, “asnjë prej këtyre procedurave nuk është aq e thjeshtë sa mendojnë njerëzit.

Në çdo kohë, kushdo që bën operacion, apo qoftë edhe procedura më e thjeshtë dentare, mund të pësojë komplikacione. Dhe çfarë ndodh nëse dikush kthehet në vendin e tij dhe përballet me komplikacione, pasi ka kryer një ndërhyrje në një vend çfarëdo të globit?” Natyrisht që turizmi mjekësor ka rreziqet e tij. Është shumë e rëndësishme që turistët mjekësorë të dinë se në çfarë disiplinash mjekësore janë të specializuara vendet drejt të cilave nisen. Brazili, për shembull, është i specializuar për ndërhyrje kozmetike, Meksika është e njohur për shërbimet dentare dhe sidomos për zbardhjen e dhëmbëve. Dhe ndërkohë që disa vende si India, kanë një histori të gjatë të trajnimit mjekësor të vendasve të tyre jashtë shtetit, vende të tjera si Tajlanda, Singaporit, Koreja e Jugut dhe Tajvani e kanë vënë në krye të prioriteteve prej vitesh, sistemin e tyre shëndetësor.

Singapor: Singapori ka shumë spitale impresionuese dhe shumë doktorë të trajnuar më së miri, shoqëruar me staf mjekësor që është në gjendje t’i ofrojë shërbime mjekësore popullatës prej 4.5 milionë banorësh. Pikërisht për këto arsye, ky ishull i vogël mirëpret më shumë se 200 mijë njerëz të sëmurë nga çdo vit, të cilët mbërrijnë nga e gjithë bota. Çmimet janë në mënyrë të veçantë të arsyeshme. Mbajtësit e ritmit apo stimuluesit kardiakë instalohen vetëm për 550 dollarë.

Meksikë: Shumë doktorë në Meksikë janë specializuar në procedura që s’mbulohen nga shërbimet shëndetësore në SHBA, siç janë disa lloj operacionesh kozmetike, për humbje peshe, shërbime dentare etj. Amerikanët sidoqoftë mund të kursejnë 50-70 për qind në shërbimet dentare në Meksikë. Specialistët shprehen se sistemi shëndetësor në Meksikë nuk ka ndonjë cilësi të admirueshme, por për shkak të çmimeve, në kufijtë me SHBA-në janë vendosur shumë qendra shëndetësore dhe ekonomia mjekësore është rritur nga vizitat ndërkombëtare.

Kosta Rika:Specialistët vlerësojnë se 14 për qind e turizmit ndërkombëtar të Kosta Rikës ka natyrë mjekësore. Pjesa më e madhe e këtyre shërbimeve ofrohet në klinika private në San Joze dhe në periferinë e “amerikanizuar”, Eskazu. Edhe pse shumë turistë vijnë për shërbimet kozmetike dhe dentare, Kosta Rika dallon për qendrat mjekësore të pajisura me të gjitha aparaturat më të mira dhe luksoze. Me stafe të mëdha dhe atmosferë festival, këto qendra mjekësore të tipit të hoteleve shërbejnë për të tërhequr pacientë.

Çeki: Më parë, sistemi shëndetësor në atë që dikur quhej Çekosllovaki mund të cilësohej pa frikë si i parregullt. Por sot, kryeqyteti i Çekisë është gjithnjë e më shumë në rritje si destinacion për turistët mjekësorë. Prej shumë vitesh turistët anglishtfolës udhëtojnë nga Britania e Madhe dhe SHBA drejt klinikave ceke. Ato janë më të interesuar për ndërhyrjet kirurgjikale plastike dhe injeksionet kozmetike, siç është botox. Çekia gjithashtu po formon reputacion të admirueshëm për heqjen e tatuazheve.

Brazil: “Femrat braziliane kanë trupat më të bukur të botës”, shprehet Michael Boeckle, pronar i kompanisë kozmetike të udhëtimit “CosmeticVacations. com”. “Shumica e këtyre femrave i kanë nga natyra trupat të tillë, por nëse ndonjëra prej tyre ka nevojë për ndihmë, hyn në lojë kirurgjia plastike”. Brazili i merr shumë seriozisht procedurat mjekësore kozmetike. Një kirurg plastik duhet të kryejë pesë vite praktikë përpara se të marrë certifikatën, ndërsa në SHBA një kirurg mjafton të bëjë 36 muaj kirurgji të përgjithshme.

Hungari: Prej kohësh destinacion i preferuar i gjermanëve dhe austriakëve për shërbimet dentare, Hungaria po fiton terren edhe ndër vendet e tjera. Nëse për një ndërhyrje kirurgjikale në rastin e kancerit të gojës, në një prej këtyre vendeve duhen 30 mijë dollarë, në Hungari mund të mbarosh punë me gjashtë mijë dollarë. Një qytet që është në kufi me Austrinë po kthehet në një destinacion të lakmuar për turistët mjekësorë dhe ka filluar të njihet si “qyteti dentist” për shkak të gjithë këtyre vizitave. Për klientët që kanë komplikacione pas trajtimeve, dentistët ofrojnë shërbim falas për rregullimin e problemit.

Malajzi: Si një koloni angleze deri në vitin 1957, infrastruktura e Malajzisë është e shkëlqyer dhe gjuha angleze është mjaft e përhapur. Çmimet janë 30-50 për qind më të lira se në Singapor. Ndërhyrjet e kockave të legenit mund të arrijnë deri në 6.800 dollarë. Për operacione serioze këshillohet që turistët mjekësorë të interesohen më shumë dhe të marrin opinione në masë të gjerë. Gjithashtu, të këshillueshme janë konsultat e përsëritura dhe testet e kryera më shumë se një herë.

Afrika e Jugut: Afrika e Jugut mund të duket shumë larg, për të marrë rrugën deri atje për një doktor, por për shumë pacientë kjo është dhe arsyeja pse zgjedhin këtë destinacion. Për ata që duan trajtime kozmetike ose për varësinë nga alkooli ose droga dhe nuk duan që ta dijë njeri, ky vend është më se i përshtatshëm. Çmimet nuk janë më të ulëtat në botë, por ky vend tërheq më shumë njerëzit e famshëm që duan të kurohen në kushte private, ndaj çmimi përfshin edhe këto lehtësi. Dhe ajo çfarë është shumë e rëndësishme, është se shumë prej këtyre shërbimeve përfshijnë edhe ekspedita gjuetie.

Tailandë: Për shumë vite, Tajlanda ka qenë e njohur si destinacioni ku mbërrije si “ai” dhe largoheshe si “ajo”. Kur ekonomitë aziatike u dobësuan përpara dhjetë vitesh, komuniteti mjekësor tajlandez përfitoi nga valuta e tyre e lirë dhe përmirësoi infrastrukturën mjekësore për të tërhequr vizitorët ndërkombëtarë, më së shumti në fushën e neurologjisë, sëmundjeve kardiovaskulare, ortopedi dhe okulistikë. Qershia mbi tortë është spitali “Bumrungrad”, i cili përbëhet nga 900 mjekë dhe dentistë.

Indi: Turizmi mjekësor është shpikur në Indi, thonë ekspertët. Ka filluar para dhjetë vitesh kur radha e njerëzve në Britani për ndërhyrje kardiovaskulare dhe osteografi ishte aq e gjatë, saqë njerëzit vdisnin përpara se të arrinin në tavolinën e operacionit. Sot, India tërheq më shumë se 150 mijë pacientë ndërkombëtarë në vit. Ky volum i lartë pacientësh ka avantazhet e tij. Ndërkohë që një kirurg amerikan s’ka pasur mundësinë për të kryer shumë operacione, një kirurg indian ka kryer 550 të tilla dhe shkalla e suksesit është 95%.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here