Krimi makabër i ndodhur dje në Vlorë ka tronditur mbarë opinionin publik. Ngjarja e tmerrshme kishte si protagonist një të sëmurë mendor, i cili preu kokën e kushëririt 12-vjeçar. Ky krim makabër solli edhe njëherë në vëmendje të publikut problemin e personave me sëmundje mendore, të cilët lëvizin lirisht në rrugët e Shqipërisë.
Ish-shefi i komisariatit të policisë së Vlorës, Agim Basha, nëpërmjet një statusi në Facebook deklaron se “krimi makabër i ndodhur në Palasës ekspozon indiferencën kolektive dhe institucionale ndaj personave me shëndetin mendor të dëmtuar”. Sipas tij, vetëm në Vlorë janë 1600 persona me probleme mendore, të cilët mund të shfaqin rrezikshmëri për shoqërinë.
“Kambana e Palasës
Krimi makabër i ndodhur në Palasës ekspozon indiferencën kolektive dhe institucionale ndaj personave me shëndetin mendor të dëmtuar. Sëmundjet mendore, që prekin jo pak njerëz, nuk janë vetëm një problem individual. Disa nga këta tê sëmurë janë rrezik publik. Në një nga detyrat e mia si shef i Komisariatit të Policisë, në një rreth konstatova se shumë zënka e konflikte, me ose pa pasoja, kishin protagonistë personat me probleme mendore.
Kjo më nxiti të bëj identifikimin e numrit të përgjegjshëm dhe të përcaktoja kush përbënte rrezik. Shifra ishte befasuese, rreth 1600 persona kishin probleme me shëndetin mendor. Kishte dhe disa qindra që e mbanin të fshehtë. Dhjetëra prej tyre ishin agresivë që për publikun dhe policinë do te thotë rrezik. Edhe pse identifikuam personat , adresat e banimet , vendosëm komunikim me familjarët, duke i udhëzuar dhe aksesuar për çdo rast, kuptova pamundësinë e Policisë. Është përgjegjësi e Institucioneve të shëndetit dhe pushtetit vendor zgjidhja e përhershme e trajtimit të personave me shëndetin mendor të dëmtuar. Nuk mund të shpërfillen më”, shkruan ai në Facebook. / https://shendeti.com.al/

