18 viktima nga tërmeti, mes tyre 2 fëmijë

Ishte ora 03:54 e mëngjesit. Një tërmet i fortë, një prej më të fuqishmëve që ka goditur ndonjëherë vendin, tronditi mbarë Shqipërinë.

Disa ndërtesa u shembën në Durrës e Thumanë nga lëkundjet me magnitudë 6.4 në shkallën Rihter, e intensitet 9 ballë në epiqendrën e regjistruar 32 kilometër larg Durrësit, që u ndjenë edhe në Itali, Greqi, Kosovë, Serbi, Mal të Zi e vendet e tjera të rajonit.

Bilanci, 18 viktima3 prej të cilëve fëmijë dhe mbi 600 të plagosur.

12 janë viktimat në Durrës. Një e moshuar humbi jetën në një pallat në lagjen 18 që u shemb plotësisht.

Në hotelin Vila Palma që po ashtu u shemb, u nxorrën trupat e pajetë të dy personave. Dy të tjerë humbën jetën nga shembja e hotelit Mianmar, që të dy në zonën e plazhit.

Një oficer policie u gjet i pajetë nga shembja e një ndërtese tek Kavaleshenca. Ndërsa dy pjestarë të një familje mbetën nën rrënojat e një vile trekatëshe në zonën e Kënetës.

Në Thumanë bilanci i viktimave është 5. Mbetën në rrënojat e tre pallateve të shembura tërësisht.

Një tjetër humbi jetën në Kurbin.

Operacionet e shpëtimit nisën menjëherë në këto zonat e prekura.

Deri tani, ekipet e emergjencës kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat 41 të mbijetuar. Edhe mes të mbijetuarve ka fëmijë.

Punonjës të emergjencës, forca të ushtrisë dhe të policisë janë në luftë me kohën.

Kërkimet për të mbijetuarit vazhdojnë papushim, teksa toka vazhdon të dridhet.

Në orën 07:08 minuta vendi u godit nga një tjetër tërmet i fortë. Lëkundjet ishin 5.4 të shkallës Rihter, sërish me epiqendër Durrësin.

Me qindra lëkundje të tjera kanë qenë më të vogla, pa dëme, por duke shtuar panikun tek qytetarët në mbarë vendin, në mënyrë të vecantë në Durrës, Fushë – Krujë e Tiranë.

Të gjitha shkollat dhe universitetet në vend janë mbyllur deri në një njoftim të dytë.

Edhe Gjykatat dhe institucionet e tjera shtetërore në Tiranë dhe Durrës janë mbyllur.

 

Postime të ngjashme

Pse duhet të hani kikirikë në mëngjes
3 ushqime që duken të shëndetshme, por nuk janë të tilla
53% e vdekjeve nga zemra, u shtuan ato nga dëmtimet dhe endokrinet në 2025
Rishikimi i Buxhetit 2026: Financime shtesë për shëndetësinë
Temperaturat e larta, Brataj: Vapa rrit infarktet, trombozat dhe vdekjet e papritura
Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025
Inaugurohet materniteti ‘Mbretëresha Geraldinë’, Sala: 1.2 mld lekë investim
Paradoksi i shëndetësisë shqiptare: Të parët në Ballkan për shpenzimet spitalore, të fundit për financimin publik