22-vjeçarja humb betejën me leuçeminë

Humbi betejën me leuçeminë akute, nga e cila u prek në mënyrë të befasishme në janar të vitit 20172, 22-vjeçarja Anxhela Nocka.

Studentja e vitit të katërt të Arkitekturës ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes në Spitalin e Budapestit.

Anxhela Nocka u bë e njohur një vit më parë, kur një solidaritet i jashtëzakonshëm qytetar pasoi në mënyrë të rrufeshme thirrjen që familjarët dhe shokët e saj bënë në rrjetet sociale, gazeta dhe televizione, për mbledhjen e fondeve që do të bënin të mundur kurimin e saj jashtë vendit.

Nisma e studentëve të Arkitekturës “Bëje për Anxhin”, që përfshiu organizimin e dhjetëra aktiviteteve të bamirësisë, shënoi një rast unik që bashkoi mijëra qytetarë të thjeshtë, biznese private dhe institucione shtetërore, në një aksion të përbashkët humanitar që mundësoi qëndrimin e saj 1-vjeçar në një qendër të specializuar në Budapest të Hungarisë.

Bashkë me dëshirën e madhe për të jetuar, kjo dashuri e madhe njerëzore inkurajoi studenten e re për të luftuar fort, megjithë vështirësitë e mëdha me të cilat do të përballej ditë pas dite.

Pasi iu nënshtrua kimioterapisë intensive, duke mos humbur shpresat deri në momentet e fundit, Anxhela Nocka nuk ia doli t’i mbijetojë sëmundjes së rëndë, duke lënë në mes ëndrrat dhe dëshirat e saj.

Numri i personave që vuajnë nga sëmundjet malinje të gjakut ka ardhur duke u rritur. Shkaktarët ende mbetën në hije. Specialistët e shëndetit konfirmojnë se janë shtuar faktorët agresivë që godasin kodin tonë gjenetik, duke sjellë dëmtim të gjeneve dhe lindjen e qelizave malinje apo kancerogjene

“Sfida më e madhe mbetet mbyllja e ciklit të trajtimit të sëmundjeve të gjakut, sipas standardit më të mirë, përfshirë dhe transplantin e palcës së kockave. Të gjitha mundësitë ekzistojnë përveç vullnetit për të mposhtur konceptin e mosdashjes dhe frikën e suksesit të tjetrit, konceptin se dhe vetë ne mund të arrijmë në nivelet më të mira, frikën nga vetë suksesi që mbizotëron në disa nivele të caktuara të drejtimit dhe jo vetëm” është shprehur mjeku hematolog Arben Ivanaj, më herët në një intervistë për median e shkruar./  shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
11 ushqime që ndihmojnë në kontrollin e tensionit të lartë të gjakut
4 shenja që tregojnë se keni mungesë magnezi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha