25% e grave nga 15 deri 49 vjeç në Shqipëri vuajnë nga anemia, përkeqësim në dekadën e fundit

Plot 25% e grave të grup moshës nga 15 deri 49 vjeç në Shqipëri vuajnë nga anemia për shkak të mungesës së hekurit.

Të dhënat në rang global përfshirë edhe për Shqipërinë janë publikuar në raportin më të fundit të UNICEF i cili vlerëson progresin global dhe rajonal në përmbushjen e Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 për ushqyerjen të fëmijët deri 5 vjeç dhe grupmoshat e tjera të popullatës.

Për reduktim të anemisë te gratë të dhënat më të fundit pasqyrohen për 2023 krahasuar me ato të 2012-s.

Sipas raportit, Shqipëria ka pësuar përkeqësim, me një rritje prej 5% të rasteve të anemisë nga viti 2012 në 2023. Kjo e vendos vendin në kategorinë e shteteve që nuk kanë bërë progres drejt objektivave të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara.

Mesatarja globale e grave me anemi është 31%. Në Europën Qendrore dhe Lindore mesatarja është 21%. Shqipëria është mbi këtë mesatare me 25%

Përkeqësim të dhënave ka pasur edhe për shumë shtete të tjera ballkanike, europiane. Në Malin e Zi nga 21% që ishte numri i grave me anemi në 2012 për 2023 arriti në 26%. Në Maqedoninë e Veriut nga 17% numri i grave me anemi ka arritur në 22%. Në Serbi nga 21 në 25%. Në Kroaci nga 20 në 23%.

Në Greqi po ashtu nga 12 është rritur në 16 përqindja e grave me anemi. Në Itali për 2023 numri i grave që vuajnë nga anemia është 16% nga 12% që ishte në 2012. Edhe në këtë shtet raporti është përkeqësuar. Në Francë po ashtu në 2012 numri i grave që vuanin nga anemia ishte 8% ndërsa në 2023 arriti 13%.

Edhe në rang global rezulton përkeqësim të treguesve në dekadën e fundit, ku nga 28% që ishte në 2012 në 2023 arriti në 31% mesatarja e grave që vuajnë nga anemia.

Vjet Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka dhënë një sërë këshillash për parandalimin dhe trajtimin e kësaj gjendjeje shëndetësore, e cila prek veçanërisht gratë, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje afatgjata.

Sipas ISHP-së, trajtimi varet nga lloji dhe shkalla e anemisë. Në shumicën e rasteve jo të komplikuara, anemia trajtohet me ndryshime në dietë dhe suplemente hekuri.

Për të ndihmuar në rikthimin e niveleve të hemoglobinës, ISHP këshilloi Konsumi i produkte ushqimore të pasura me hekur, si mish, veza, mëlçia, susami, manaferrat dhe fasulet./ monitor

Postime të ngjashme

5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm