Truri kontrollon gjithçka që bën trupi, megjithatë edhe trupi ndikon tek truri përmes sinjaleve që i dërgon sistemit nervor. Në fakt, trupi dhe mendja punojnë bashkë për të krijuar perceptimin tonë rreth botës që na rrethon. Studiuesit kanë parë se si truri interpreton sinjalet që vijnë nga i gjithë trupi. Më poshtë keni disa këshilla se si mund ta përdorni trupin për të përmirësuar mendjen tuaj.
Buzëqeshja qetëson dhe lumturon
Të buzëqeshësh pa pasur arsye mund ta ngacmojë trurin dhe t’i qetësojë njerëzit, thonë studiuesit. Në një eksperiment, pjesëmarrësve iu kërkua të mbanin në gojë shkopinj ngrënieje, duke aktivizuar kështu muskujt e fytyrës që përdoren për buzëqeshjen. U zbulua se këta pjesëmarrës i realizonin më mirë punët nën stres sesa të tjerët që ishin seriozë. Një studim i ngjashëm është realizuar edhe në vitin 1988.
Hapini krahët që të ndiheni të fortë
Disa lloj qëndrimesh (pozicionesh të trupit) mund të krijojnë ndjesinë e fuqisë. Hulumtuesit thonë se të qëndrosh në një pozicion që zgjeron trupin dhe hapësirën personale, mund të rregullojë nivelin e hormoneve, duke e bërë një njeri të ndihet më i fuqishëm dhe t’i pranojë më lehtë rreziqet.
Në një studim, pjesëmarrësve iu kërkua të rrinin në pozicione të ndryshme për disa minuta dhe iu dhanë dy dollarë për t’i mbajtur ose për t’i luajtur kumar. Rezultoi se personat të cilët e mbanin trupin në një pozicion më të “gjerë”, ishin më të prirur për të rrezikuar. Për më tepër këta persona perceptoheshin nga femrat si më tërheqës dhe i bënin edhe ato të ndiheshin më të fuqishme.
Dremitja të bën të zgjuar
Të dremisësh bën më shumë sesa t’i japë trurit të lodhur një pushim. Studimet kanë treguar se, si gjumi i natës, edhe dremitja gjatë ditës përmirëson kujtesën, aftësitë nxënëse dhe sistemin mendor.
Qëndrimi në pozicionin Zen ju qetëson
Duket sikur meditimi ka lidhje vetëm me mendjen, por disa kërkues thonë se në fakt, ta vësh trupin në pozicion meditimi dhe të marrësh frymë thellë, rregullon dhe qartëson trurin./ Arlinda Gjypi


