Prof. Asc. Rilinda Klosi
Infeksionet e rrugëve urinare janë ndër infeksionet më të zakonshme në mbarë botën, me incidencë më të lartë te gratë për shkak të faktorëve anatomikë dhe fiziologjikë që lehtësojnë infektimin. Ato mund të ndodhin në pjesën e sipërme të traktit urinar, duke çuar në infektimin e uretereve dhe të veshkave ose në pjesën e poshtme të këtij trakti, duke shkaktuar patologji më pak serioze si cistiti dhe uretriti. Sipas një klasifikimi të ri, infeksionet grupohen në infeksione të lokalizuara dhe infeksione sistemike. Agjenti mikrobik më i zakonshëm në infeksionet e lokalizuara është Escherichia coli. Në të gjitha rastet rekomandohet shpëlarje e rrugëve urinare, së pari duke pirë shumë lëngje. Fitoterapia ka një rol të rëndësishëm mbështetës. Në fazat e para të zhvillimit të infeksioneve të traktit të poshtëm urinar gjejnë përdorim përgatesat bimore me veprim aquaretik, të cilat në ndryshim nga diuretikët tradicionalë nxitin ekskretimin e ujit pa ndryshuar balancën elektrolitike (ekuilibrin e lëndëve minerale). Ndër bimët me veprim akuaretik renditet edhe Equisetum arvense (këputja), gjerësisht e studiuar, për të cilën ka botime të shumta në literaturën e specialitetit. Një numër i madh bimësh mjekësore përdoren për të njëjtin qëllim, midis tyre dëllinja, mështekna, hithra, gjuhënusja, luleshurdha. Prania në to e flavonoideve, antocianave, acideve fenolike, triterpenoideve etj. kontribuojnë gjithashtu në veprimin antioksidant dhe anti-inflamator.
Disa bimë mjekësore të tjera, të pasura në komponime glikozidike, kanë veprim dizinfektues të traktit urinar. Në këtë grup bëjnë pjesë Arctostaphyllos uvae ursi (gërdeci) dhe Vaccinum macrocarpon (boronica e kuqe). Studime të viteve të fundit, që krahasojnë aktivitetin antibakterial të ekstrakteve bimore të pasura në polifenole ndaj trajtimit me antibiotik, tregojnë se përbërësit e pranishëm në ekstraktet bimore ndërhyjnë në faza të ndryshme të zhvillimit të biofilmit bakterial, i cili bëhet shkak për infeksione të përsëritura. Biofilmi, në saje të strukturës specifike, paraqet një barierë mbrojtëse për bakteret nga veprimi i antibiotikëve. Mekanizmat e veprimit biologjik janë të ndryshëm. Kështu për shembull, veprimi i proantocianidinave, që ndodhen me shumicë te dëllinja e kuqe, lidhet me frenimin e ngjitjes së patogjenëve mikrobikë në qelizat uroepiteliale, për pasojë në kufizimin e formimit të biofilmit dhe të inflamacionit, po ashtu në rregullimin e mikrobiotës. Sipas studiuesve, ekstraktet e boronicës së kuqe ndikojnë në kufizimin e shkallës të përsëritjes së infeksionit, fenomen ky që ndeshet shpesh. Për të parandaluar infeksionet e përsëritura rekomandohet që pacienti dhe mjeku të angazhohen në diskutimin e opsioneve të mundshme të menaxhimit, duke përpiluar një plan individual.
Përgatesat bimore mund të përdoren për trajtimin e infeksioneve të lehta të traktit të poshtëm urinar, që shoqërohen me ndjenjën e djegies gjatë urinimit dhe urinim të shpeshtë. Nëse këto infeksione shoqërohen me temperaturë dhe dhimbje në ije, që tregojnë përfshirjen e veshkave, kërkohet trajtim i specializuar nga ana e mjekut urolog. Agjencia Europiane e Barnave (EMA) nënvizon faktin se përgatesat bimore nuk duhet të përdoren për të trajtuar probleme serioze shëndetësore, si pamjaftueshmëria kardiake ose sëmundjet e veshkave.
Në vazhdim do të përshkruhen disa prej bimëve mjekësore të miratuara për përdorim nga EMA, monografitë e të cilave janë të pranishme në Farmakopenë Europiane.
Archtostaphyllos uva-ursi Sprengel.(Gërdeci) është një shkurre e drunjëzuar e familjes Ericaceae, me blerim të përhershëm, 1 deri në 2 m e lartë, e përhapur në Hemisferën Veriore. Në vendin tonë bima është e rrallë, takohet në zonën subalpine nëpër shkëmbinj e kullota, si dhe në zona të zhveshura të veriut. Në Europë konsiderohet përgjithësisht si specie e rrezikuar, faktorët që kanë ndikuar: bima rritet shumë ngadalë, ndryshimi i habitateve dhe i klimës, kërkesa e rritur nga ana e industrisë farmaceutike, grumbullimi pa kriter. Sikurse dokumentohet në shkrime të shumta, gjethet e gërdecit janë përdorur për qëllime të ndryshme mjekimi prej shekujsh. Ato tani gjejnë përdorim kryesisht në saje të veprimit antiseptik në traktin urinar. Po ashtu, ekstraktet e përftuara nga gjethet shfrytëzohen nga industria kozmetike për prodhimin e produkteve të përkujdesjes për lëkurën. Frutet me ngjyrë të kuqe të gërdecit piqen në dimër dhe janë të ngrënshme. Grumbullimi i gjetheve kryhet zakonisht në vjeshtë, për shkak të përmbajtjes së lartë të arbutinës që konsiderohet përbërësi kryesor bioaktiv. Tharja e materialit bimor bëhet në shtresa të holla, në gjysmë-hije, larg rrezeve të forta të diellit. Rekomandohen mjedise me ventilim të mirë, si dhe përdormi i rrymave të ngrohta të ajrit. Materiali bimor i tharë paketohet në kuti të përshtatshme dhe ruhet në vende të freskëta. Ndër përbërësit fitokimikë kryesorë të pranishëm në gjethet e thara bëjnë pjesë rrjedhësit e hidrokinonit, taninet, flavonoidet, acidet fenolike, triterpenet. Droga mjekësore ”Folium Uvae ursi” është e përfshirë në farmakope të ndryshme, midis tyre në botimin e fundit të Farmakopesë Europiane, ku kërkohet të përmbajë jo më pak se 7% arbutinë.

Përdorimi, përgatesat
Përgatesat nga gjethet e bimës përdoren në trajtimin e infeksioneve të pakomplikuara të traktit të poshtëm urinar. Veprimi antibakterial i detyrohet çlirimit të hidrokinonit nga arbutina në mjedisin bazik të urinës, prandaj duhet të shmangen ushqimet me natyrë acide, si për shembull lëngu i limonit. Përgatesat mund të përdoren vetëm pas përjashtimit të gjendjeve serioze nga ana e mjekut. Ato nuk duhet të përdoren nga persona me sëmundje të veshkave, nga gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji, apo nga fëmijët dhe adoleshentët nën 18 vjeç.
Çaji përgatitet në raportin: 1.5 – 3 g gjethe të grimcuara / 150 ml ujë i valuar. Përzierja lihet të qëndrojë për 15 minuta, pastaj kullohet. Merret nga një gotë çaji, 3 herë ditën. Doza ditore maksimale është deri në 8 g gjethe të thara. Çaji nuk duhet të përdoret për më shumë se 2 javë.
Përzierja nuk duhet të valohet, sepse taninet e ekstraktuara shkaktojnë acarim të stomakut.
Ekstrakti i lëngët përgatitet me etanol 25% v/v, në raportin material bimor : ekstraktues (1:1).
Si dozë e vetme merret 1.5 – 4 ml ekstrakt në një gotë me ujë. Doza ditore maksimale është 8 ml.
Ekstrakti i thatë i standardizuar përdor si ekstraktues etanol 60% v/v, në raportin (1:5). Qarkullojnë tableta të veshura që përmbajnë 200 – 300 mg ekstrakt të thatë. Merret nga një tabletë, 4 herë ditën.
Shënim. Gjatë përdorimit të përgatesave nga gjethet e gërdecit marrja e lëngjeve duhet të jetë e rritur, mbi 2 litra ditën. Trajtimi duhet të kombinohet me dietë të pasur në ushqime që kanë natyrë bazike. Nëse pas 4 ditësh të përdorimit simptomat vazhdojnë ose përkeqësohen, kërkohet konsultimi me mjekun. Përdorimi në doza më të larta nga ato të rekomanduara ose për kohë më të gjatë, rrezikon dëmtimin kronik të mëlçisë.
Equisetum arvense L. (Këputja), e njohur edhe me emrat bisht kali apo krisma, bën pjesë në grupin e Pteridofiteve, bimë primitive të cilat riprodhohen me anë të sporeve. Gjinia Equisetum është e vetmja gjini e familjes Equisetaceae. Këputja është bimë barishtore shumëvjeçare, me rizomë të degëzuar, nga e cila dalin dy tipe kërcejsh mbitokësorë. Për qëllime mjekimi grumbullohen kërcejtë shterpë të bimës. Kërcejtë kanë lartësi 20 deri 60 cm, ngjyrë të gjelbër të çelur, me degëza të vendosura në qerthuj. Bima ndeshet në toka argjilo-ranore të lagëta. Materiali bimor, i grumbulluar zakonisht në fund të pranverës ose në fillim të verës, thahet me shpejtësi në shtresa të holla, në mënyrë që të ruhet ngjyra e gjelbër. Ruhet në enë të mbyllura mirë. Pjesa mbitokësore sterile e Equisetum arvense L. përmban rreth 10% lëndë inorganike (kryesisht acid silicik), flavonoide, sasi të vogla alkaloidesh, fitosterole, acide organike, triterpenoide etj.
Këputja ka një histori të gjatë përdorimi në Europë për qëllime të ndryshme mjekimi, por vetëm disa nga këto përdorime janë përfshirë tashmë në udhëzuesit zyrtarë. Provat mbështetin përdorimin mjekësor të ”Barit të Këputjes” në saje të veprimit diutetik, anti-inflamator dhe antioksidant.
Shënim. Rekomandohet përdorimi vetëm i drogës bimore që ka kaluar kontrollin laboratorik sipas kërkesave të Farmakopesë Europiane, sepse gjatë grumbullimit ekziston rreziku i ngatërrimit me Equisetum palustre ose specie të tjera të ngjashme, të cilat përmbajnë alkaloide toksike.

Përdorimi, përgatesat
Përgatesat bimore me përmbajtje ekstraktesh të këputjes përdoren në trajtimin e infeksioneve bakteriale dhe inflamacioneve të traktit të poshtëm urinar. Përgatesat janë të sigurta vetëm kur përdoren sipas rekomandimeve për një kohë të shkurtër. Ato nuk duhet të përdoren në trajtimin e edemave të shkaktuara nga probleme kardiake apo renale. Po ashtu, nuk duhet të përdoren nga gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji apo nga personat nën 12 vjeç. Nëse simptomat për të cilat merret përgatesa përkeqësohen ose vazhdojnë për më shumë se 5 ditë, përdorimi duhet të ndërpritet. Ekstraktet gjejnë përdorim mbështetës në mjekimin e plagëve sipërfaqësore të lëkurës.
Çaji përgatitet nga 2 – 3 g material bimor i grimcuar mbi të cilin shtohen 250 ml ujë i valuar, lihet të qëndrojë për 15 minuta, pastaj kullohet. Merret nga një gotë çaji, 3 herë ditën. Kohëzgjatja e përdorimit është 2 deri në 4 javë. Gjatë përdorimit kërkohet të konsumohet sasi e shtuar lëngjesh, mbi 2 litra lëngje në ditë.
Lëngu i shtrydhur nga presimi i materialit bimor të freskët merret nga goja si dozë e vetme 10 deri në 20 ml. Doza ditore maksimale e rekomanduar është 60 ml.
Për përdorim të jashtëm: 40 ml lëng i shtrydhur hollohet me ujë deri në 500 ml. Përgatiten kompresa të njomura që vendosen mbi plagët e lëkurës.
Ekstrakti i lëngët përgatitet me etanol 25% v/v, në raportin material bimor: ekstraktues (1:1). Merret nga 1- 4 ml, 3 herë ditën. Doza ditore për të rriturit është deri në 12 ml ekstrakt i lëngët.
Ekstrakti i thatë: si ekstraktues përdoret etanol 60% v/v. Qarkullojnë kapsula dhe tableta me përmbajtje ekstrakti të thatë që përmbajnë 200 mg ekstrakt, merren 3 herë ditën nga një tabletë.
Juniperus communis L. (Dëllinja e zezë) është një shkurre ose dru i vogël i familjes Cupressaceae, me gjethe halore me blerim të përhershëm. Në teritorin e Europës njihen 4 subspecie të Juniperus comunis L. Në vendin tonë ndeshet në pyjet konifere dhe në pyjet e përzierë, deri në 2000 m lartësi mbi nivelin e detit. Fruti i rremë i bimës (pseudo-fruti) fillimisht ka ngjyrë të gjelbër, më pas kur fruti piqet ngjyra kalon në vjollcë të errët. Kokrrat e dëllinjës shkunden në vjeshtë kur ato janë plotësisht të pjekura, kanë ngjyrë blu të errët dhe shije të pëlqyeshme. Duhet theksuar fakti se, specie bimore të ngjashme me dëllinjën përmbajnë përbërës me veprim toksik, prandaj kërkohet kujdes gjatë grumbullimit. Frutet e dëllinjës ruhen për kohë të gjatë kur thahen në temperaturën e dhomës, tharja zgjat rreth tri javë. Ruhen në enë të përshtatshme, në vende të freskëta.
Përbërja kimike e frutit të dëllinjës ndikohet nga faza e pjekjes, si dhe nga origjina e bimës. Ndër përbërësit kryesorë renditen: vaji esencial, proantocianidinat, taninet, sheqernat e invertuar, acidet organike, lignanet etj. Në monografinë ”Juniper”të Farmakopesë Europiane kërkohet që frutet e thara të përmbajnë të paktën 1% vaj esencial.

Përdorimi, përgatesat
Tradicionalisht frutet e dëllinjës janë përdorur për shkak të veprimit diuretik, në lehtësimin e problemeve që lidhen me çrregullime të tretjes së ushqimit dhe si stimulues të oreksit. Përveç veprimit diuretik, në disa farmakope zyrtare përmendet veprimi antiseptik i përgatesave. Ato përdoren për shpëlarjen e rrugëve urinare në rastet e infeksioneve të lehta. Nuk rekomandohet përdorimi i tyre nga të sëmurët me veshka, nga gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji, apo nga personat nën 18 vjeç. Nëse simptomat zgjatin për më shumë se 2 javë nga koha e fillimit të trajtimit, kërkohet konsultimi me mjekun.
Çaji përgatitet nga 2 g fruta të thara të grimcuara dhe 150 ml ujë i valuar. Përzierja lihet të qëndrojnë për 15 minuta, pastaj kullohet. Merret nga një gotë çaji, 2 deri në 3 herë ditën. Doza ditore e rekomanduar është 6 g fruta të thara. Kohëzgjatja e përdorimit: 2 javë.
Ekstrakti i lëngët përgatitet me etanol 25% v/v, në raportin material bimor : ekstraktues (1:1). Merren 2 deri në 4 ml, 3 herë ditën. Gjatë trajtimit përdoren sasi të përshtatshme lëngjesh.
Referenca
- Maisto M. et al. Natural polyphenols for prevention and treatment of urinary tract infections. International Journal of Molecular Sciences 2023; 24 (4): 3277.
- Kekrenberg M.C.A., Bachmann H.S. Diuretics a contemporary pharmacological classification? Naunyn-Schmiedeberg’s Archives of Pharmacology 2022; 395: 619-627.
- Hsu Y. T. et al. Plant extracts and natural compounds for the treatment of urinary tract infections in women. Current Issues in Molecular Biology 2025; 47 (8): 591.
- EAU Guideline on Urological Infections. European Association of Urology, 2026.
- Seifert R., Schirmer B. A case to stop the use of the term “antibiotics”. Trends in Microbiology 2021; 29 (11): 963-966.
- Anger J. et al. Recurrent uncomplicated urinary tract infections in women AUA guideline. Journal of Urology 2019; 202 (2): 282-289.
- Sugier P. et al. Chemical characteristics and antioxidant activity of Arctostaphylos uva-ursi Spreng. at the southern border of the geographical range in Europe. Molecules 2021; 26 (24): 7692.
- European Union herbal monograph on Arctostaphylos uvae-ursi Spreng, folium. HMPC 2018.
- Assessment report on Equisetum arvense L, herba. EMA/HMPC 2016.
- Carneiro D.M. et al. Equisetum arvense: new evidences support medical use in daily clinic. Pharmacognosy Reviews 2019; 13 (26): 50 – 58.
- European Union herbal monograph on Juniperus communis L. (pseudo-fructus). March 2023.


