Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet

Të qenit i pashëndetshëm nuk lidhet vetëm me ushqyerjen apo mungesën e aktivitetit fizik. Ky koncept është më i gjerë dhe përfshin zakonet e përditshme, faktorët e rrezikut për sëmundje, si dhe praninë e problemeve shëndetësore që mund të jenë të patrajtuara ose nën trajtim.

Këtë e shpjegoi endokrinologia Dr. Sara Zavalani, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, ku foli për faktorët që ndikojnë në shëndetin e njeriut dhe kuptimin e termit “i pashëndetshëm”.

Sipas mjekes, shpesh njerëzit e lidhin shëndetin vetëm me dietën ushqimore dhe aktivitetin fizik, por në të vërtetë bëhet fjalë për disa elemente që ndikojnë te mirëqenia e përgjithshme.

“Termi ‘i pashëndetshëm’ është më i gjerë dhe përfshin disa koncepte, si ushqyerja jo e shëndetshme, kur konsumojmë më shumë yndyrna apo sheqerna sesa i nevojiten trupit, ose kur nuk pimë mjaftueshëm ujë. Gjithashtu, përfshin mungesën e aktivitetit fizik dhe një mënyrë jetese sedentare”, u shpreh Dr. Zavalani.

Mjekja solli si shembull edhe personat që punojnë për shumë orë në zyrë dhe që mund ta kenë më të vështirë të përfshijnë aktivitetin fizik në rutinën e përditshme.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rreziku për të zhvilluar sëmundje në të ardhmen, si dhe prania e sëmundjeve shoqëruese, pavarësisht nëse ato janë të patrajtuara apo po trajtohen.

Sipas Dr. Zavalanit, shëndeti nuk përcaktohet nga një faktor i vetëm, por nga ndërthurja e zakoneve të përditshme, faktorëve të rrezikut dhe gjendjes shëndetësore të secilit individ. Për këtë arsye, vlerësimi i shëndetit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të mos kufizohet vetëm te ushqyerja apo aktiviteti fizik.

Postime të ngjashme

EMRI/ Ndalohet drejtori i Spitalit të Fierit, zbardhen detajet e para
Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?