Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Në kuadër të reformës në shëndetësi, para 5 vitesh, u fol se spitali i Burrelit mund të mbyllet. Të shqetësuar, mjekë të spitalit dhe banorë të rretheve Mat dhe Bulqizë, protestuan për këtë problem.
Ky spital ka plotësuar boshllëkun e mungesës së mjekëve specialistë të spitalit të Bulqizës si reaminator, kirurg, otorino-laringolog, gjinekolog, aq të domosdoshëm në kushtet kur në rajonin krommbajtës të Bulqizës veprojnë mbi 1300 minatorë që përballen në mënyrë permanente me aksidentet e mundshme të punës në nëntokë. Ndërkohë që sot as spitali i Burrelit nuk i mbulon shumicën prej këtyre specialiteteve.
Spitali i Burrelit u përmend vetëm para pak ditësh për dorëheqjen e drejtuesit të saj Yllin Berberin e ku vendin e tij brenda javësh e zuri Dritan Neli. Burime brenda këtij spitali bëjnë me dije se drejtuesi i ri nuk ka ardhur ende në zyrë për ta marrë detyrën e re.
Parregullsitë në spitalin e Burrelit janë evidentuar edhe nga Raporti Përfundimtar i Auditimit i ushtruar në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor, Burrel, me objekt “Mbi zbatimin e ligjshmërisë në aplikimin e tarifave për shërbimet mjekësore që ofrohen ndaj pacienteve sipas bazës rregullatore të nxjerrë nga ministria e shëndetësisë”, për periudhën 01.01.2013 deri 31.12.2014, si dhe masat për përmirësimin e gjendjes, janë miratuar me Vendim të Kryetarit të KLSH-së Nr. 33, datë 31.03.2015.
Në raportin e auditit thuhet se në Spitalin e Burrelit janë konstatuar mangësi në plotësimin e regjistrit të recepsionit, në të cilën nuk ishin të plotësuara të gjitha të dhënat e pacientit, për konsultë apo ekzaminime, i siguruar /i pa siguruar, numrin e librezës shëndetësore etj.
Raporti vazhdon më tej duke nxjerrë në pah faktin se në regjistrat e recepsionit nuk regjistroheshin emrat e pacientëve të cilët marrin vërtetime për aftësi pune (KML), patentë, leje arme, por bëhet vetëm regjistrimi i pacientëve që kryejnë vizita mjekësore, duke sjellë kështu pa mundësi të kontrollit të pacientëve që u shërbehet si mbas regjistrit të recepsionit dhe atyre të regjistrit të mjekëve.
Kontrollet e kryera nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare dhe e Kontrollit Spitalor), në këtë spital duket të kenë qenë formale, dhe këtë fakt e evidenton edhe vetë raporti i cili thotë se:
“Për periudhën 2013-2014 në Spitalin e Burrelit janë kryer auditime nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare dhe e Kontrollit Spitalor), Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Drejtoria Dibër, si dhe nga Auditi i Brendshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kishin si pika programi për auditimin “Të ardhurat Dytësore”, por nga sa gjetjet e këtij auditimi ka qenë formal dhe pa gjetje të problemeve që hasem në këtë sistem”.
Shkeljet në këtë spital kanë shkaktuar edhe dëme ekonomike. Gjatë auditimit të kryer në Spitalin Civil të Burrelit u konstatuan shkelje dhe parregullsi, në kundërshtim me Udhëzimet e nxjerra nga Ministri i Shëndetësisë, të cilat kanë shkaktuar një vlerë të munguar në arkën e shtetit 4,016,300 lekë.
Gjatë auditimit u konstatua se në magazinën e spitalit gjendja fizike e mandat-arkëtimeve nuk ishte e barabartë me gjendjen kontabile, në të cilën mungonin në total 309 mandate 3 arkëtime me çmim 200 lekë, duke shkaktuar dëmin ekonomik në vlerën 61,800 lekë.
Si masë disiplinore, raporti i auditit ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të kontratës së punës për disa punonjës të cilët i konsideron fajtor për shkeljet. Megjithatë asnjë nga këto kërkesa të auditit nuk janë realizuar, pasi asnjë punonjës nuk është larguar nga puna.


