5 muaj nga vdekja tragjike e binjakëve në Berat, zbardhet shkaku

Pas 5 muajsh është zbardhur ngjarja e bujshme në Berat, ku dy binjakë 5 muajsh humbën jetën.

Sipas analizave të kryera në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë dhe që tashmë kanë mbërritur zyrtarisht pranë institucionit të Prokurorisë së Beratit, ka rezultuar se vdekja e dy foshnjeve 5-muajshe ka qenë aksidentale dhe ka ardhur për shkak të asfiksimit nga mungesa e ajrit. Mbulimi i tepërt i fëmijëve me batanije, pas ushqyerjes së tyre ka sjellë-sipas ekspertëve, asfiksimin e foshnjeve dhe vdekjen e tyre.

Në raportin e analizave thuhet se në organizmin e fëmijëve nuk kanë rezultuar mbetje toksike, ndërkohë që edhe qumështi me kuti që përdorej për të ushqyer fëmijët nuk ka pasur në përbërjen e tij elementë toksikë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 26 Janarit të këtij viti në lagjen “Uznovë” në qytetin e Beratit. Nëna e foshnjeve 5-muajshe Merushe Agalliu, pasi kishte ushqyer fëmijët e saj binjakë me qumësht kutie, i kishte vendosur ata në krevatin e tyre për të fjetur, por-siç edhe ka nxjerrë përfundimi i mjekësisë-ligjore, ajo i kishte mbuluar më tepër se ç’duhet fëmijët dhe kjo ka sjellë asfiksimin e tyre në gjumë dhe më pas vdekjen.

Fëmijët mbërritën pa jetë në Spitalin Rajonal të Beratit dhe prindërit e tyre, Eduart e Merushe Agalliu kanë pasur asokohe dyshime se, vdekja mund të kishte ardhur për shkak të helmimit të qumështit me kuti që përdornin për ti ushqyer fëmijët që nga dita e tyre e lindjes.

Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6-vjeçe dhe vëllain 5-vjeç në një banesë dy katëshe në periferi të qytetit,në lagjen “Uznovë”.

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni
Medikamentet GLP-1 RA: Çfarë duhet të presin personat me obezitet nga trajtimi me këto barna?
QSUT prej muajsh pa aparaturën e Litotripsisë, pacientët me gurë në veshka pa shërbim
Tragjedi në Spitalin e Traumës në Tiranë/ Pacienti hidhet nga kati i tretë dhe humb jetën, policia nis hetimet