Elvira Diamanti: Çdokush e ka në jetë një “por”

Denisa Canameti

Elvira është e ëmbël! Ndoshta mbiemri i saj ka pak ndikim në bukurinë që i ka falur Zoti (apo natyra), por mirësjellja që tregon, modestia me të cilën flet, e bën atë edhe më të përzemërt, edhe më të dashur për gazetarin që i vihet përballë. E kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, aktorja e pranon kërkesën për Elvira Diamanti (3)intervistë me buzëqeshje. Një intervistë me përgjigje të shkurtra që thonë pak dhe shumë për karakterin e saj. Për publikun shqiptar, Elvira Diamanti mbetet e përjetësuar në figurën e Marigosë, një femër me dëshirat, dramat dhe rebelimin e saj. E ngjashme edhe me Elvirën. Shumë e ngjashme me të gjithë ne.

Ju jeni një nga figurat më të vlerësuara të kinematografisë shqiptare për rolet tuaja dhe një nga femrat më të lakuara për bukurinë dhe formën e shkëlqyer fizike. Sipas jush, si qëndron raporti midis bukurisë dhe talentit për një femër ekrani?

Ju falënderoj për fjalët e mira. Sigurisht, një paraqitje e mirë ka rëndësinë e vet, por nuk është thelbësore. Gjithsesi, një ekuilibër midis dy të bukurave, asaj të shpirtit, të brendshmes dhe asaj që shohin të gjithë, do të ishte perfekte.

Dukeni përherë e më në formë. A ka Elvira ndonjë sekret për bukurinë e saj?

Nuk do thoja të njëjtën gjë. Di vetëm që janë të pashmangshme gjurmët që të lë koha që ikën. Megjithatë, nuk më duket tragjike, sepse jeta të shpërblen në njëfarë mënyrë dhe gëzimet apo përvojat  t’i bëjnë rrudhat më të padukshme në pasqyrën ku shihemi çdo mëngjes.

Sa vlen për ju shprehja “shëndeti mbi të gjitha”?

Është një shprehje që e kujtojmë rrallë, për fat të keq, gjithmonë kur nuk jemi mirë ose kur dikujt pranë nesh i ndodh diçka. Është e vërteta e madhe se pa një shëndet të mirë, nuk mund të kemi një jetë të mirë.

Cili është raporti me mjekun dhe me cilin prej tyre i keni marrëdhëniet më të mira?

Raporti im me mjekun? Shumë i mirë. Bashkëshorti im është mjek. Edhe vajza ime shumë shpejt do jetë e tillë.

Elvira Diamanti (4)Sa ju ka mbështetur familja në rrugën tuaj si aktore? Ka qenë një profesion që e zgjodhët vetë apo dëshirë e familjes suaj?

Le të themi që as më ka mbështetur fort, por as nuk më ka penguar.

Keni arritur gjithçka që keni dashur të arrini?

Jo, natyrisht që nuk kam arritur gjithçka që kam ëndërruar. Por… gjithmonë në jetën e gjithkujt do ketë një “por”.

Çfarë do të thotë jesh aktore në një vend të vogël, të varfër dhe pa shumë perspektiva për talentet?

Sigurisht që në disa profesione nuk të jep përparësi fakti i të jetuarit në një vend të vogël, sepse, në fund të fundit, një vend i vogël do të thotë një treg i vogël. Por edhe pse kemi nisur karrierat tona artistike në një kohë të varfër diktature, jemi shpërblyer nga publiku, i cili na ka dashur dhe vazhdon të na dojë dhe respektojë.

Nëse u referohemi roleve që keni vënë në skenë, cilin prej tyre keni dashur më shumë? Nën petkun e cilës personazh jeni futur më mirë?

Personazhet janë si fëmijët. Ata kanë nevojë për ty, për kujdesin tënd, dhe ti nuk mund të duash dikë më shumë e dikë më pak. Janë spektatorët që bëjnë diferencën.

Pse nuk po e harrojnë njerëzit figurën e Marigosë, është meritë juaja si aktore apo lidhet me mesazhin që përcjell figura e saj?

Aaaa jo jo! Marigoja nuk është merita ime. Marigoja është krijesë e Anagnostit, dhe fakti që njerëzit e duan, tregon që nuk është një personazh i trilluar në hiç, por ka të vërteta që gjithsecili prej nesh i mbart brenda. Si Marigoja kemi ëndrra, si Marigoja kemi drama, si Marigoja rebelohemi.

Elvira Diamanti (1)Cilat janë momentet më të bukura artistike dhe momentet që cilësoni si më pak të bukura?

Do më pëlqente të flisja për momentet e bukura, jemi fundvit, le ta lëmë mënjanë trishtimin… Më kujtohet në vjeshtën e vitit ’90 kur jepej teatri “Natë pa hënë” dhe ishte koha kur Ismail Kadareja kishte lënë Shqipërinë, dhe në ajër ndihej atmosfera e diçkaje që po ndodhte, që më në fund muri i diktaturës edhe në Shqipëri po merrte të çarat e para.

Nuk kishte bileta dhe ata që kishin njohje, ngjesheshin nëpër llozha apo rrinin në këmbë në fund të sallës. Për ne aktorët ishte emocion i veçantë që i përcillnim publikut, me anë të tekstit të Kadaresë, atë që nuk do guxonim ta shprehnim me fjalë.

A ka pasur ndonjë rol për të cilin, nëse do të ktheheshit dhe një herë, do ta bënit ndryshe?

Nuk besoj se do ndryshoja gjë. Personazhet janë edhe produkt i momenteve në të cilat janë krijuar.

Elvira Diamanti (5)Njerëzit vazhdojnë të kenë nostalgji për filmat e para viteve 90’, si e vlerësoni ju këtë fakt?

Mendoj se njerëzit kanë nostalgji për të kaluarën e tyre. Filmi shqiptar i para viteve ‘90 është pjesë e kësaj nostalgjie, në fund të fundit, është një pjesë e jetës për shumëkënd.

Në cilat kushte e shikoni artin shqiptar sot? 

Arti shqiptar në përgjithësi apo kinemaja shqiptare janë pjesë e realitetit shqiptar. Ka përpjekje për identitet, ka guxim për të bërë më të mirën dhe ka ende rrugë për të bërë për të qenë aty ku duhet.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin