Denisa Canameti
Fakti që ka mundësinë t’i zgjidhë hallet me ministrin drejtpërdrejt, nuk e bën aspak më të privilegjuar se pjesa tjetër e njerëzve që duhet të përballen me stafin mjekësor dhe kushtet në spitale. Edhe pse menaxher në një klinikë private, Genti nuk mbron as punën e mjekut dhe as kushtet në spitalet private. Ai e nis rrëfimin e tij me kulturën shëndetësore që duhet të kenë të gjithë,
mjekë e pacientë. Kjo gjë, sipas tij, nuk është më ndryshe dhe në spitale apo klinika private ku pacienti shikohet si klient e jo si pacient. “Korrupsioni në shëndetësi, – vazhdon Genti, – na tregohet që tek hyrja e spitalit, aty ku të kërkohet 100-lekëshi. Nis me një gjë “simbolike”, pasi kur të takosh mjekët duhet të nxjerrësh 1000-lekëshin që të të sigurojnë një krevat për fëmijën, edhe pse fëmija mund të ketë shkuar aty me temperaturë 40”. Të gjitha këto ai i tregon nga eksperienca e tij personale.
Djali i tij vetëm 2 vjeç prej disa ditësh vuante nga një temperaturë shumë e lartë. Edhe pse paraqitet si rast urgjent në Pediatrinë e Tiranës, infermieret nuk e marrin ta shtrojnë për t’i dhënë trajtimin që duhet. Pas një “lufte” të gjatë, tregon ai, arrin ta shtrojë djalin. Pas disa ditësh, mjekët e nxjerrin nga spitali, por nuk kalon shumë kohë dhe djali përkeqësohet. Në kushte të tilla ai vendos t’i bëjë mesazh ministrit ku i kërkon që ta ketë në vëmendje rastin e tij, duke i kërkuar që t’i tërheqë vëmendjen stafit mjekësor që nuk e çojnë shërbimin deri në fund dhe i përcjellin njerëzit në shtëpi të pakuruar. Ministri sigurisht që me një mesazh apo telefonatë mund të zgjidhë shumë gjëra. Por ky mesazh apo telefonatë e ministrit mërzit pa fund infermieret, të cilat bëhen edhe më arrogante se në fillim. Megjithatë, me dëshirë ose jo arrin që të “mbarojë” punë.
Këto raste janë kthyer në fenomene që dëmtojnë pacientët që vijnë në QSUT. Genti është një individ, por rasti i tij mund të identifikojë shumë njerëz që i prekin çdo ditë të tilla problematike, i prekin çdo ditë këto përplasje duke çuar, detyrimisht, në një krisje të marrëdhënies mjek-pacient.


