Skandal/ MSH jep këshilla për të nxehtin, pacientët e QSUT-së freskohen me copa kartonësh

Elona Tereziu / Shendeti.com.al

...Kisha menduar të bëja nja dy-tre foto t’ia çoja kryeministrit, t’i tregoj se ç’është Rilindja, por më mirë që erdhët ju! Kemi ardhur për t’u shëruar, por po sëmuremi më keq. Djersitemi, lagemi e thahemi prapë. Ditën me kompresa, natën pa gjumë…!

Ky është makthi i pacientëve të Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, të cilët në kushtet ku temperaturat e larta kanë arritur kulmin, janë të detyruar të përballen me një situatë të tillë, ku institucioni i cili pretendohet se “ofron” shëndet, nuk siguron as kushtet më minimale siç është kondicionimi.

Në të 6 katet e godinës, duke nisur nga Kardiologjia, në pavionet ku qëndrojnë të shtruar pacientët, Endokrinologji, Gastroenterohepatologji, Hematologji, Nefrologji, me përjashtim të repartit të Hemodializës, mungojnë kondicionerët.

Të ndodhur në një situatë të tillë, shumë pacientë janë munduar ta zgjidhin vetë, dikush duke marrë një freskuese nga shtëpia, të tjerë me mjetë rrethanore (copa kartonësh, napa, peshqir të lagur, çarçafë të kthyer në perde etj).

Burime brenda QSUT-së deklarojnë se për shkak të një situate të tillë, është shtuar dhe numri i pacientëve që paraqesin komplikacione me hipertensionin dhe çrregullimet e frymëmarrjes, ndërkohë që shumë prej tyre po mbahen me oksigjen.

Të indinjuar, pacientët nuk ngurrojnë të shprehin dhe ankesat e tyre.

Myzejen Sila është një nga pacientët e shtruar në repartin e nefrologjisë prej 6 ditësh.

“Kam 6 ditë që jam shtruar këtu. Unë jam me diabet, tension po e po, por kam hequr dhe veshkën. Shikojeni se në çfarë vape na kanë lënë. Më thoni si mund të bëhet një serum në kushte të tilla, ku temperaturat në dhomë kanë arritur 40 gradë?!”

Zoje Xhekollari: “Kisha menduar të bëja një dy-tre foto t’ia çoja kryeministrit, t’i tregoja ç’është Rilindja, por më mirë që erdhët ju.  Jemi shtruar për t’u shëruar por po sëmuremi më keq. Djersitemi, thahemi, lagemi prapë. Ditën me kompresa, natën pa gjumë”.

A.H: “Kam mamin të shtruar që prej të shtunës. Jo vetëm freskuesen, por edhe karrigen e kam sjellë nga shtëpia pasi nuk kam ku të ulëm. Rrimë me napa e kompresa të lagura tërë kohën. Nuk dimë as ku të ankohemi”.

Zaide Lami: “Sot është dita e parë që jam shtruar dhe  veç sëmundjes, po mendoj si do të përballoj vapën. Rrimë me napa të lagura tërë ditën, por kjo nuk është zgjidhje”.

Ndërkohë që vetë Ministria e Shëndetësisë pati publikuar pak ditë më parë një sërë masash për përballimin e temperaturave të larta, ku në një prej pikave të protokollit thuhet: “Ambienti në të cilin jetojnë të jetë i freskët dhe i ajrosur mirë, nëpërmjet ajrit të kondicionuar, ventilatorëve ose nebulizatorëve për lagështimin e ajrit”, duke rënë ndesh kështu me realitetin./ Shendeti.com.al

 

 

 

Postime të ngjashme

U plagos me plumb gome në sy gjatë protestës, MSHMS: Erjon Vishkulli kalon me sukses operacionin në Romë
Check-up falas për qytetarët, por sa kushton për buxhetin e shtetit?
Minutat e errësirës dhe paniku për jetën e pacientëve! KLSH zbulon faktin e rëndë, Trauma ka vetëm 1 gjenerator në punë dhe pa servis
U lëndua në sy gjatë protestës në Tiranë, Prokuroria e Tiranës nis hetimin për Erjon Vishkullin
Ministria e Shëndetësisë përditëson bilancin e të lënduarve nga protesta, katër persona të paraqitur në spitale
“Në Itali kanë çuar familja dhe miqtë, jo shteti”/ Rama i përgjigjet motrës së protestuesit: Iniciativën e mora unë, i kam uruar të shkuara para se të nisej
13 të lënduar pas protestës në Tiranë! Si paraqitet gjendja e të riut të goditur në sy
Diabeti në shtatzëni vazhdon edhe pas lindjes apo ndërpritet