Dita Botërore e Shëndetit – Fillime të shëndetshme për një të ardhme me shpresë

Shëndeti i nënave dhe foshnjave është themeli i familjeve dhe komuniteteve të shëndetshme, duke ndihmuar në sigurimin e të ardhmes shpresëdhënëse për të gjithë ne.

Dita Botërore e Shëndetit manifestohet çdo vit më 7 prill dhe vendos në qendër të vëmendjes çështje urgjete globale të shëndetit dhe mobilizon veprime për të përmirësuar rezultatet e shëndetit publik. E nisur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1950 , ajo bashkon qeveritë, institucionet dhe komunitetet në adresimin e prioriteteve kritike shëndetësore çdo vit.

Për vitin 2025 tema është, “Fillime të shëndetshme, e ardhme shpresëdhënëse”, dhe fokusohet në një aksion njëvjeçar mbi shëndetin e nënëns dhe të porsalindurve, duke u kërkuar shteteve t’u japin fund vdekjeve të parandalueshme dhe t’i japin përparësi mirëqenies afatgjatë të grave.

Të ndihmojmë çdo grua dhe foshnjë të mbijetojnë dhe të lulëzojnë

Sipas OBSH, bazuar në vlerësimet e publikuara aktualisht, afër 300 000 gra humbasin jetën për shkak të shtatzënisë ose lindjes së fëmijëve çdo vit, ndërsa mbi 2 milionë foshnja vdesin në muajin e parë të jetës dhe rreth 2 milionë të tjerë lindin të vdekur. Kjo është afërsisht 1 vdekje e parandalueshme çdo 7 sekonda.

Situata në Shqipëri

Shqipëria renditet ndër vendet me normën më të lartë të vdekshmërisë neonatale në Europë, sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Sipas të dhënave, në vendin tonë regjistrohen 7 vdekje për çdo 1000 lindje, një shifër që tejkalon ndjeshëm mesataren europiane prej 2,2 fatalitete për 1000 lindje të gjalla.

Situata në rajon dhe Europë

Shqipëria mban vendin e parë në rajon për vdekshmërinë neonatale, ndërsa shtete fqinje si Mali i Zi regjistrojnë një normë shumë më të ulët, me vetëm 1 vdekje për 1000 lindje të gjalla. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit:

  • Rumania – 3,3 vdekje për 1000 lindje të gjalla
  • Serbia – 3,2 vdekje për 1000 lindje të gjalla
  • Bullgaria – 2,7 vdekje për 1000 lindje të gjalla
  • Maqedonia e Veriut – 2,2 vdekje për 1000 lindje të gjalla
  • Mali i Zi – 1 vdekje për 1000 lindje të gjalla

Në nivel europian, vendi me vdekshmërinë më të ulët është San Marino, me vetëm 0,7 vdekje për 1000 lindje të gjalla, ndërsa në Turkmenistan kjo normë arrin në 23 për 1000 lindje.

Rritja e vdekshmërisë neonatale në Shqipëri

Të dhënat e OBSH tregojnë se në Shqipëri vdekshmëria neonatale është rritur me 1,4% gjatë viteve 2018-2022. Kjo tendencë rritëse është vërejtur edhe në disa vende të tjera si:

  • Qipro – +11,1%
  • Zvicra – +3,4%
  • Luksemburgu – +1,4%
  • Sllovakia – +1,4%
  • Kazakistani – +0,8%

Ekspertët shëndetësorë theksojnë se rritja e vdekshmërisë neonatale lidhet me faktorë të tillë si kujdesi shëndetësor para dhe pas lindjes, cilësia e shërbimeve mjekësore dhe aksesibiliteti i tyre për gratë shtatzëna.

Nevoja për masa të menjëhershme

Shifrat alarmante tregojnë nevojën për ndërhyrje urgjente për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për foshnjat dhe nënat në Shqipëri. Organizata “Together For Life” advokon prej disa vitesh për ofrimin e shërbimeve cilësore, të përballueshme dhe të aksesueshme nga e gjithë popullata. Institucionet shëndetësore dhe autoritetet përgjegjëse duhet të marrin masa konkrete për të reduktuar këtë normë dhe për të garantuar standarde më të larta në sistemin shëndetësor.

 

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë