Një nga problemet shëndetësore me të cilat po përballet popullata shqiptare, është rritja e sëmundjeve pulmonare kronike. Një raport i Institutit të Shëndetit Publik të realizuar në disa qarqe të vendit evidenton se shumica e pacientëve, mbi 70% e tyre janë në stadin e tretë dhe të 4 të sëmundjes.
Sipas të dhënave paraprake, grupmosha e personave të cilët kanë një gjendje të rënduar të sëmundjes i përket atyre mbi 50 vjeç.
37.7% e pacientëve të marrë në studim janë në stadin e tretë të sëmundjes dhe 35.4% në stadin e katërt, e ndjekur nga stadi i dytë të sëmundjes me 14.5%.
Sëmundjet kronike të frymëmarrjes, ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës së individëve të prekur dhe potencialisht çojnë në vdekje të parakohshme.
Sipas rezultate te raportit të specialistëve të shëndetit publik të realizuar në Tiranë, Elbasan, Fier, Kukës dhe Korçë, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, dieta ushqimore, obeziteti, ndotja e ajrit si edhe profesioni ishin ndër faktorët risk kryesorë të cilët kanë ndikuar në zhvillimin e problematikave pulmonare (SPOK) në 82.1% rasteve dhe kryesisht tek meshkujt mbi > 50 vjeç.
Edhe raportet ndërkombëtare tregojnë se prevalenca e sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (COPD) në Evropë pritet të rritet për shkak të rritjes së faktorëve të rrezikut si duhani dhe ndotja e ajrit, shkruan TV Klan.
Në një artikull për Gazeta Shëndeti mjekja Entela Nako tregon sesi duhen trajtuar sëmundjet pulmonare (të mushkërive)?
SPOK është një sëmundje që karakterizohet nga ngushtimi i bronkeve që nuk është plotësisht reversibël (e kthyeshme). Ngushtimi i bronkeve është i vazhdueshem dhe shoqërohet më një përgjigje inflamatore jo normale të mushkërive ndaj grimcave dhe gazeve të dëmshme.
SPOK diagnostikohet vetëm kur kjo sëmundje është klinikisht e dukshme dhe mesatarisht e avancuar. Nga studimet është parë që SPOK-u është më i përhapur në vendet ku pirja e duhanit është e lartë.
Faktorët e riskut për SPOK-un
Faktorët e vetë organizmit
Genet (alfa 1 antitripsina), mbindjeshmëria e bronkeve
Faktorët e jashtëm
Pirja e duhanit, pluhurat dhe kimikatet profesionale, ,dotja e ajrit të ambienteve të mbyllura dhe të hapura, infeksionet
Shenjat e SPOK-ut
Kolla kronike dhe pështyma, marrja e frymës
Diagnoza e SPOK-ut
Bazohet në marrjen e të dhënave ndaj faktorëve të riskut dhe pranisë së ngushtimit të bronkeve që nuk është plotësisht reversibël, me ose pa praninë e shenjave të sëmundjes.
Pacientët që kanë kollë kronike dhe prodhim të pështymës me një histori të ekspozimit ndaj faktorëve të riskut duhet t’i nënshtrohen provave respiratore edhe nëse ato nuk kanë marrje fryme.
Parandalimi i SPOK-ut
Ndalimi i pirjes së duhanit.
Pakësimi i ekspozimit ndaj grimacave dhe kimikateve profesionale që shkaktojnë SPOK.
Pakësimi i ndotjes së ajrit në ambientet e brendshme dhe të jashtme.
Duhet theksuar se ndalimi i pirjes së duhanit është mënyra e vetme efektive dhe më e lirë në shumicën e njerëzve për të pakësuar rrezikun e shfaqjes së SPOK-ut dhe ndalimin e përparimit te saj.
Trajtimi i rasteve të rënda të SPOK-ut
Përkeqësimet e simptomave të aparatit të frymëmarrjes (në rastin e SPOK-ut; rritja e vështirësisë së frymëmarrjes, shtimi i kollës, prania e sekrecioneve të verdha në gëlbazë, temperaturë e lartë, dhimbjet e gjoksit, dobësia trupore etj,) kërkojnë këshillim me mjekun për trajtimin e tyre.
Shkaqet më të zakonshme të një përkeqësimi janë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes dhe ndotja e ajrit.
Në rreth 1/3 e përkeqësimeve nuk mund të zbulohet shkaku.
Bronkodilatatoret inhalatore, theofilina, dhe glukokortikoidet nga goja ose me injeksione janë mjekimet efikase në rastet e rënda të SPOK-ut.
Pacientët që paraqesin përkeqësime të SPOK-ut me shenja klinike të infeksionit të rrugëve të frymëmarrjes mund të përfitojnë prej mjekimit me antibiotikë.
Marrja e oksigjenit me rrugë jo invazive në rastet e rënda akute përmirëson gazet e gjakut dhe pH, pakëson vdekshmërinë në spitale, pakëson nevojën për oksigjenim invaziv dhe intubimin e të sëmurit dhe shkurton kohën e qëndrimit në spital.