Denisa Canameti
Edhe pse pa kështjella e këpucë kristali, Elia Zaharia pa dyshim që ka bukurinë, shkëlqimin dhe madhështinë e një princeshe përrallash. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” ajo tregon shumë gjëra rreth vetes duke nisur që nga përditshmëria e saj. Vajzë e aktores së mirënjohur Yllka Mujo dhe e fejuara e Princ Lekës, Elia tregon se gjatë jetës së saj ka pasur dëshirë që të çajë vetë përpara. Për të, të qenët “publik” duhet përdorur me mençuri dhe dëshirë, për të përcjellë mesazhet e duhura, për të dhënë një shembull të drejtë, për të sensibilizuar njerëzit mbi kauza të drejta.
Si nis një ditë e zakonshme për Elian? Sa e lexoni shtypin e ditës?
Ditët e mia nisin me një kafe mëngjesi me mamin ose Princin, ndonjë biskotë dhe momente afeksioni dhe lodrash me qenushët tanë. Nuk jam shumë e dhënë pas shtypit ditor, por sidoqoftë kafeja e parë vërtitet rreth bisedave mbi problematikat e përditshme.
Cila është marrëdhënia me princin? Të qenët i/e njohur e ndihmon apo e pengon jetën bashkëshortore?
Ne të dy jemi miq shumë të mirë. Flasim për çdo gjë, pasi komunikimi është baza. Pas gjithë këtyre vitesh arrijmë ende të befasojmë njeri-tjetrin. Të qenët persona publikë nuk ka ardhur papritmas në jetët tona, pasi të dy kemi lindur nga prindër “të njohur”, ndaj që në fëmijëri kemi jetuar me këtë rrethanë. Sot të qenët person publik me një status të veçantë, me ndihmon të kontriboj, nëpërmjet fondacionit “Mbretëresha Geraldinë”, në jetën shoqërore të vendit tim. Mendoj se të qenët “publik” duhet përdorur me mençuri dhe dëshirë për të përcjellë mesazhet e duhura, për të dhënë një shembull të drejtë, për të sensibilizuar njerëzit mbi kauza të drejta…
Çfarë të pëlqen në Shqipëri dhe çfarë jo?
Shqipërinë e ka bekuar Zoti në shumë aspekte. Klima, dielli, toka ku mund të mbjellësh çdo gjë, nëntoka me mineralet, bregdeti përrallor, malet e veriut… Jemi gjithashtu të bekuar me një popullsi të re dhe energjike, me një rini të talentuar dhe kurioze që përvetëson gjuhë të huaja dhe dije me ritëm shumë optimist. Harmonia fetare është për t’u marrë shembull. Por kemi pak problem me administrimin e këtyre dhuratave të çmuara.
Çdokush ka shijen e tij për të arreduar dhe organizuar shtëpinë, hapësirën e tij. Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, ndaj po nuk punuam të tërë sipas disa standardeve, rrezikojmë kaos. Nuk më pëlqejnë zgjidhjet e shpejta që sjellin përfitime afatshkurtra dhe pa vizion. Nuk më pëlqen dhuna që ushtrojmë ndaj natyrës dhe njëri-tjetrit. Do doja shumë që shoqëria dhe politika ta donin vendin e tyre përtej tifozerisë, pra, jo vetëm kur ka ndeshje futbolli, por me vepra, me kujdes dhe respekt për njëri-tjetrin, me dëshirën për t’i dhënë këtij vendi, jo vetëm për t’i marrë.
Çfarë do të thotë të jesh princeshë në Shqipëri? Sa larg është koncepti i princeshës për Elian nga ai i princeshave në përrallë?
Të jesh princeshë në përralla përkthehet me kështjella, lavdi, këpucë kristali etj etj. Për mua personalisht do të ishte shumë e thjeshtë t’i kushtoja rëndësi vetëm performancës, veshjeve, flokëve etj, pa marrë asnjë përgjegjësi. Nuk paragjykoj askënd që zgjedh të jetojë në formë, dhe jo në përmbajtje për sa kohë kjo zgjedhje ia mbush jetën. Thjesht, ky nuk është rasti im. Për mua, ky status shërben për të punuar me njerëzit për njerëzit, pra për të qenë në shërbim të komunitetit, të fëmijëve në nevojë, të shkollave dhe spitaleve në kushte të vështira.
Nuk do ta kuptoja dot të qenët princeshë pa qenë e dobishme në jetën time. Unë besoj shumë në Zot. Secili prej nesh ka një mision në këtë botë, nuk mendoj se vijmë kot. Do të ishte fatkeqësi të humbnim rrugën tonë duke ndjekur xixëllonjat, dëshirat dhe tekat që në thelb nuk na bëjnë njerëz më të mirë.
Ju vini nga një familje me personazhe të njohur e të dashur për publikun shqiptar. Mendoni se edhe kjo ka qenë një prej arsyeve që Princ Leka u afrua me ju?
Nëse Princ Leka do të kishte lindur dhe do të ishte rritur me filmat e kinostudios “Shqipëria Sot” , ndoshta edhe mund të ishte joshur, por në rastin e tij ai më njohu si një studente teatri që kalonte pushimet e verës në Shqipëri.
Nëse kërkon emrin tuaj në internet, prezantimi fillon “Elia Zaharia (lindur më 8 shkurt 1983 Tiranë, Shqipëri) është aktore shqiptare, e fejuara e Princit Leka dhe vajza e aktores Yllka Mujo”. Sa ju kanë ndihmuar këto dy fakte, pra të qenit vajza e një aktoreje shumë të madhe dhe e fejuara e Princit në jetën tuaj profesionale?
Unë kam zgjedhur të studioj në Francë pikërisht për t’iu shmangur ndikimit të prindërve. Nuk kam qenë dhe nuk jam natyrë që të më pëlqejë t’i gjej gjërat të gatshme. Emrin tim dua ta vë në sajë të punës dhe investimit tim. Unë kam performuar në disa teatro në Paris, kam fituar konkurse në shkolla mjaft serioze dhe prestigjioze. Aty askush nuk e njihte familjen time. Kjo më ka bërë të besoj në artin tim, në atë që unë dua të bëj në jetë. Nëse nuk do kisha marrë vendimin për t’u larguar, do bashkëjetoja me dyshimin: Sa e meritoj këtë rol, këtë buqetë lulesh, këtë çmim? Mami për mua është një frymëzim dhe pikë referimi shumë e fortë, Princ Leka është një mbështetje morale dhe shpirtërore, por emrin artistik po e ndërtoj me shumë përkushtim, seriozitet, dashuri dhe pasion.
Cila është marrëdhënia juaj me librin?
Lexoj rregullisht, rrallë ndodh të humb një ditë pa lexim.
Çfarë mendoni për kirurgjinë plastike? Do ta bënit ju një ndërhyrje thjesht për estetikë?
Nuk di ç’të them, nuk jam akoma në moshë për ta pasur këtë shqetësim. Sidoqoftë, mendoj që është më e thjeshtë të jetosh me një ndërhyrje sesa me një kompleks. Nëse dikë e ndihmon për t’u ndjerë më mirë, pse jo? Është e paevitueshme që jeta lë gjurmë në fizikun tonë, por çdo rrudhë është një emocion, është një e qeshur apo e qarë, një moment që tregon se kemi jetuar. Them se është shumë personal si përjetim.
Sa kujdeset Elia për veten? Sa kohë i kushton pamjes së jashtme dhe sa e rëndësishme është dukja për ju?
Unë bëj minimumin sindikal (qesh). Kujdesem të jem e pastër dhe e rregullt. Pra, ujë e sapun në të shumtën e ditëve. Nuk shpenzoj orë të tëra para pasqyrës, bëj grim kur është rasti, jo në përditshmëri. Kjo mbase edhe për faktin që tualetin e lidh me profesionin. Nuk jam shumë e dhënë pas modës. Kam jetuar një kohë të gjatë në Paris dhe ajo që kam mësuar mirë është se moda është ajo që të shkon. Rëndësi ka të njohësh veten, fizikun dhe karakterin dhe ciladoqoftë veshja, të mos dalësh nga vetja.
Çfarë mendimi keni për spitalet shtetërore?
Në disa sektore janë bërë përmirësime, por sidoqoftë realiteti me të cilin përballen pacientët, mbetet dëshpërues. Ne kemi mjekë shumë të përgjegjshëm që, me gjithë kushtet e vështira, bëjnë maksimumin për pacientët e tyre, por unë shpresoj të mos mbeten raste të veçuara. Ndërgjegjësimi në mjekësi është për mendimin tim, urgjent dhe prioritar.
Cila është marrëdhënia me mjekun? Cili është mjeku që takoni më shpesh? A e shqetësoni mjekun e familjes për një dhimbje koke apo ju pëlqen ta kaloni me një kamomil?
Të jem e sinqertë nuk jam shumë e rregullt me kontrolle mjekësore. Gripin dimëror e kaloj me çajra të ngrohtë dhe mjekime bimore. Sidoqoftë, përpiqem të bëj një jetë të shëndetshme.
Cili është sekreti për një buzëqeshje kaq të bukur sa ajo e Elias?
Faleminderit (qesh)! Ndoshta vërtetësia. Nuk shtirem në buzëqeshje ose çfarëdo ndjenje që shpreh.
A do donit që të ishit shembull për adoleshentët?
Mendoj se adoleshenca është një fazë shumë e rëndësishme ku formohet karakteri dhe individualiteti i secilit. Shoqëria jonë është e mbushur me “shembuj” që shpesh deformojnë këtë formim. Nuk di të them a do të doja të isha një shembull, pasi çdokush ka personalitetin e tij, shijet dhe pikat e referimit. Unë do të doja që adoleshentët të mos e humbin komunikimin me familjen në këtë fazë, pasi kjo shmang shumë probleme që mund të lënë pasoja afatgjata.
Cila është pika juaj e fortë? Po pika më e dobët?
Pika ime e fortë familja.
Pika ime e dobët: nepsi përpara pjatave të të tjerëve (qesh)!
Ka ndonjë gjë që mund t’ju bëjë të hiqni dorë nga aktrimi?
Nëse do të ishte në dorën time, do të thoja jo. Por dihet që aktori përzgjidhet nga regjisori, dhe jo gjithmonë për role që atij i pëlqejnë. Unë preferoj të bëhem pjesë e projekteve që më frymëzojnë dhe ku e ndiej veten të plotësuar. Nuk më pëlqen të bëj kompromise në zgjedhjet e mia, ndaj preferoj të bëj pushim sesa të jem duke luajtur vend e pa vend.
Sa e fortë duhet të jetë arsyeja që të lësh Francën për Shqipërinë? Cila ishte arsyeja juaj, thjesht dashuria për Princin apo dëshira për të investuar talentin në vendin tënd?
Mendoj se shtëpia është aty ku është zemra. Vitet në Francë më kanë formuar, por malli për familjen time ka qenë i pranishëm çdo ditë. Dashuria ishte vendimtare në këtë zgjedhje. Sigurisht, të performoj në gjuhën time, me aktorë që i kam adhuruar që fëmijë, është një emocion i pashoq.


