Mund të mos e mendoni shumë në jetën tuaj të përditshme, por zemra juaj punon pa ndërprerje për ju. Dhe si çdo motor, ajo ka nevojë për “karburantin” e duhur për të vazhduar të funksionojë siç duhet. Një hulumtim i ri shkencor i botuar në European Journal of Nutrition thekson se një filxhan, qoftë edhe gjysma, me perime me gjethe jeshile në ditë mund të bëjë diferencën kundër sëmundjeve vaskulare aterosklerotike (ASVD), të tilla si ataku në zemër dhe goditja në tru.
Studimi, i kryer nga Universiteti Edith Cowan, sugjeron që vitamina K1, e cila gjendet në perimet me gjethe dhe ato kryqëzore si spinaqi, lakra jeshile dhe brokoli, mund t’ju mbrojë nga forcimi i arterieve.
Siç shpjegon studiuesja Dr. Montana Dupuy në Medical Express: “Vitamina K1 ndihmon në parandalimin e kalcifikimit vaskular, i cili është një faktor kyç në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Gjëja e mirë është se këto perime mund të përfshihen lehtësisht në dietën tuaj të përditshme.”
Vitamina K gjithashtu ka efekte pozitive në shëndetin muskuloskeletal, duke ndihmuar në ruajtjen e forcës së kockave.
Dr. Marc Sim, një studiues i lartë në ECU, vëren se gratë që konsumonin rreth 30% më shumë K1 sesa sasia e rekomanduar nga Udhëzimet Australiane Dietike kishin një rrezik më të ulët afatgjatë të sëmundjeve të zemrës.
“Duke analizuar enët e gjakut në qafë, vumë re se ata që konsumonin më shumë vitaminë K1 kishin gjithashtu më pak trashje të mureve të enëve të gjakut – gjë që tregon një gjasë më të ulët për arteriosklerozë”, shpjegon ai.
Ekipi i kërkimit po harton tani ushqime të reja funksionale të pasura me perime jeshile dhe vitaminë K1, me qëllim që t’u ofrojë këto përfitime njerëzve me nevoja të veçanta ushqyese, siç janë të moshuarit në institucionet e kujdesit.


