Shpenalizimi i kanabisit mjekësor, një lëvizje në mbarë botën

Genc Burimi

Në çështjen e kanabisit, e pakta që mund të thuhet është se Shqipëria ndërmori një lëvizje radikalisht të kundërt me atë që po vërehet në mbarë botën. Vendi ynë, në emër të moralit apo të presioneve ndërkombëtare, vendosi t’i hyjë “me shpate” plantacioneve të kanabisit, në të njëjtin moment kur vende të tjera i gjenin po të njejtës bimë virtyte të mahnitshme terapeutike, për të mos thënë financiare. Biznesi dhe fitimet që parashikohen në vitet e ardhshme nga tregtia e kanabisit mjekësor llogaritet në dhjetëra miliarda euro. Një ndër vendet e pakta perëndimore konservatore që po i rezistonte kësaj lëvizjeje, është Franca.

kanabisPor dhe në këtë vend gjërat po lëvizin me shpejtësi dhe ilaçi i parë me bazë kanabisi pritet të hidhet në treg nga dita në ditë. E përditshmja më e madhe franceze “Le Monde”, ishte ajo që ndërmori inicitaven për legalizimin e kanabisit në përgjithësi dhe për përdorim mjekësor në veçanti, e ndjekur nga një pjesë e madhe e medieve franceze. Me editorialet dhe artikujt e saj, “Le Monde” nuk ka rreshtur gjithë këto muaj që të sensibilizojë klasen politike franceze, se në epokën e globalizmit, ku çdo produkt mund ta gjesh tek fqinji, një vend nuk mund ta lërë t’i ikë nga duart oportuniteti që përfaqëson kanabisi terapeutik. Në këtë dosje, i paraqesim lexuesit shqiptar një “buqetë” artikujsh nga “Le Monde”, por dhe nga shtypi më i gjerë francez e ndërkombëtar për të kuptuar më mirë se çfarë është kanabisi mjekësor, interesi që ka një vend që ta kultivojë një biznes të tillë dhe si po përhapet kjo lëvizje në mbarë botën.

Siç do ta shohë lexuesi shqiptar, “Le Monde” shkon edhe më larg, në një editorial të saj, ku kërkon me forcë nga politika franceze që, jo vetëm kanabisi mjekësor, por kanabisi “shqeto” të legalizohet, sepse policia ka të tjera prioritete sesa të merret me një drogë të butë, të cilën, sa më shumë ta bllokosh aq më shumë ia rrit konsumin. Pa folur për të ardhurat që fut shteti në arkën e tij nga tregtia legale e kanabisit. Urojmë që kjo dosje të mos mungojë të hapë një debat në Shqipëri. Po e mbyllim këtë hyrje të shkurtër, me një fakt të thjeshtë: në qershor 2014 policia shqiptare me vendim të kryeministrit Rama zhvilloi operacionin në shkallë të gjerë në Lazarat që njihet mirë nga publiku shqiptar. Rama plotësonte në këtë mënyrë jo vetëm një bindje të tijën për të shkulur këtë kancer nga toka shqiptare, por dhe një urdhër të bashkësisë ndërkombëtare e veçanërisht të fqinjit italian. Ajo që di ndoshta më pak opinioni publik shqiptar, është se në të njëjtën kohë Italia zbatonte parimin “bëni si them une, por mos bëni si bëj unë”.

Kështu në shtator 2014 qeveria italiane i hapte rrugën kanabisit për qëllime mjekësore në Itali. Një fermë eksperimentuese është ngritur pranë Venecias. Prodhimi i vërtetë do të fillojë në një fermë ushtarake(!!) ultra të mbrojtur prane Firencës. Kanabisi po shfaroset kështu në Shqipëri, por, çuditërisht, ai po merr vlerë strategjike në Itali! Qëllimi i Italisë është që të mos e blejë më kanabisin jashtë, 15 euro grami i importuar, as ta marre kontrabandë nga Shqipëria, por ta prodhoje vetë me gjysëm çmimi. Italia nuk është e vetmja në këtë vrap që ka ndërmarrë mbarë planeti drejt kanabisit, me Francën konservatore në krye. Kur shqiptarëve t’u ndërrohet mendja, nuk është se do të jetë vonë, thjesht çmimet e kanabisit në tregjet botërore do të kenë rënë. “Si kofini pas të vjelave”, nuk është thjesht një proverb shqiptar, por një realitet i trishtë shqiptar. Kur s’jemi të zotët vetë, të paktën të mësojmë se ç’bën bota që na rrethon. Lexim të këndshëm…

kanabis terapeutikLe Monde: Kanabis, fundi i një tabuje

60 vjet pasi u dëbua nga enciklopedia farmaceutike franceze, kanabis pritet që të rikthehet në mënyrë zyrtare në farmacitë e Francës. Ilaçi i parë i dalë nga kjo drogë, Savitex, që shitet tashmë në rreth 20 vende pritet nga dita në ditë në farmacite franceze. Ky ilaç prodhuar nga një firme britanike dhe që shërben për të qetësuar të sëmuret nga multiskleroza paraqitet në formë spray që hidhet në gojë. Ai është kombinim i dy molekulave që përmban kanabisi, i tetra-hidro- kanabinolit (THC) dhe i kanabidiolit (CBD). I përhapur në një numër gjithnje e më të madh vendesh në Europë dhe në botë (përfshirë dhe Kanadanë dhe gjysmen e shteteve në SHBA), përdorimi mjekësor i kanabisit ka mbetur për një kohë të gjatë një temë e ndjeshme, bile një tabu në Francë.

Gjë që ka shkaktuar debate mjaft të ashpra ndërmjet politikanëve francezë dhe korpusit të mjekëve. Ka patur ndonjëherë edhe skena komike siç ka qenë rasti i një kongresi europian për trajtimin e sëmundjes së multisklerozës dhe ku në seancën e debateve mbi virtytet e kanabisit në terapinë e kësaj semundjeje, mjekët francezë u ndaluan të merrnin pjese me pretekstin se çdo përdorim i kanabisit është i ndaluar në Francë. Me këto anekdoda kuptohet vlera “revolucionare” e autorizimit nga autoritetet franceze që Savitex të shitet më në fund edhe në farmacitë franceze. Vlerat mjekësore të kanabisit njihen, megjithatë, prej shumë kohësh.

“Kanabisi përmendet në mënyrë të dokumentuar për herë të pare në një dokument mjekësor i vitit 2700 para erës sonë që përshkruan përdorimin e tij në rastet e reumatizmave dhe të malaries. Përgjatë shekullit të 19, kanabisi është shitur bile në shkallë të gjerë si një qetësues për dhimbjet. Profili i kanabisit konsiderohej si më i përshtatshëm se opiumi, sepse shkaktonte më pak efekte sekondare dhe kushtonte më lirë. Por nga fundi i shekullit të 19-të, përdorimi i kanabisit për arsye mjekësore u la pas dore fale daljes në treg të aspirinës. Është për këtë arsye që rikthimi në modë i kanabisit mjekësor shihet me sy shumë të mirë nga mjekët, sidomos nga specialistët e multisklerozës. Sipas tyre, për një kohë të gjatë, kerkimet mbi këtë semundje ishin përqendruar të ilaçet sesi të shërohej ajo, ose se si të ndalohej a të ngadalësohej progresi i saj te i sëmuri. Por kërkimi në fushën e ilaçeve se si të qetësohen dhimbjet nga kjo sëmundje ka qenë i neglizhuar. Një shef neurologjie në spitalin e Dizhonit tregon se shumë pacientë i pohonin se kishin vendosur ta merrnin vetë vehten në dorë duke blerë kanabis në treg të zi për të qetësuar dhimbjet.

Lejimi i Savitex- it nëpër farmacira do të jetë kështu një ndihmë e madhe për ta. Savitex, si i vetmi ilaç i lejuar sot për sot, paraqet interes se është bërë objekt i studimeve klinike nga më rigorozet. Kjo do të thotë se Savitex përpiqet të kombinojë maksimumin e efikasitetit me minimumin e përmbajtjes në molekulë THC, molekula bazë e kanabisit. Por efektet mjekësore të kanabisit po njihen edhe në fushën e forcimit të imunitetit të trupit gjë që po çon te përdorimi i kanabisit mjekësor gjithnjë e më shumë nga të sëmuret me Sida si dhe nga kancerët në përgjithësi, por gjithashtu edhe në rastet e hepatitit C apo të sëmundjes së Parkinsonit. Të tjerë mjekë mendojnë se bari natyror i kanabisit është më efikas nga pikëpamja mjekësore sesa kanabisi i përpunur në formën e ilaçit të markës Savitex. Por një pjesë e madhe e mjekëve francezë, mendojnë se kanabisit mjekësor nuk i duhet lënë një zhvillim artizanal, por vetëm mbi bazë licensash shtetërore, pasi rreziku për abuzime nga konsumi mjekësor në konsum për qejf është i madh. Edhe në vende të avancuara në kërkimet mjekësore rreth kanabisit, si Zvicra, rezervat janë mjaft të mëdha pikërisht për shkak të frikës se mos kalohet nga ç’penalizimi i kanabisit për arsyre mjekësore tek ç’penalizimi i çdo përdorimi të kanabisit.

Kanabisi terapeutik dhe shtrirja e tij në Europë

Ministria franceze e shëndetësisë ka vendosur para pak kohësh që, duke filluar nga viti 2015, të lejohet shitja legale në farmaci e Sativex-it, një ilaç me bazë kanabisi i fabrikuar nga firma britanike GË Pharmaceuticals, për perdorim nga pacientët e prekur nga multiskleroza. Është hera e parë që në një vend konservator si Franca të lejohet shitja e një produkti që përmban kanabis, megjithëse autoritetet insistojnë të theksojnë se kjo nuk përbën ende një legalizim të kanabisit mjekësor. Ndërkaq në Europë, në vendet fqinje me Francën levizja drejt legalizimit të kanabisit mjekësor ka kohë që ka filluar. Rasti më i njohur është i Holandës.

Ky vend përfaqëson prodhuesin më të madh në botë të kanabisit mjekësor. Që prej vitit 2003, me recetë, mund të blesh në farmacitë holandeze kanabis mjekësor natyral, ose të përpunuar. Holanda është vendi që zotëron të vetmen fabrikë në Europë, Bedrocan, e afte të prodhojë kanabis të analizuar dhe të certifikuar në katër varietete sipas sasisë së molekules THC, molekula bazë e kanabisit. Në Holandë, shpërndarja në treg e kësaj substance kontrollohet nga ministria e shëndetësisë, e cila i ka dhënë licensë vetëm fabrikës Bedrocan.

Gjermania lejon edhe kultivimin në shtëpi

Në Gjermani, kanabisi mjekësor ka shkaktuar një debat të një lloji tjetër pikërisht për koston e lartë të tij. Në vitin 2008 Gjermania autorizoi kanabisin mjekësor vetëm me recetë mjeku. Por recetat u dhanë vetëm për 7 pacientë gjithsej në të gjithë Gjermaninë. Tri ilaçe kanabisi u autorizuan, i pari Savitex, por dhe drobaniboli dhe nabiloni. Nga këta të tre, vetëm Savitex që shërben në rastet e multisklerozës, u rimbursohet pacientëve nga sigurimet sociale gjermane. Përballë një çmimi shumë të lartë që duhet marrë përsipër buxheti publik për të rimbursuar ilaçet e shtrenjta me bazë kanabisi, Gjermania ndryshoi legjislacionin e saj më 2012- ën dhe u lejoi pacientëve që të blejnë në farmaci kanabis bruto meqenëse kushton më lirë se kanabisi-ilaç.

Në 22 korrik 2014 Gjermania shkoi dhe më larg kur drejtësia, për herë të parë, u lejoi tre pacientëve që të kenë mundësi që ta kultivojnë vetë kanabisin në shtëpitë e tyre për përdorim mjekësor me një autorizim të posaçëm nga Zyra federale e narkotikëve. Edhe Spanja e ka lehtësuar shumë legjislacionin e saj kundrejt kanabisit gjatë viteve 2000. Ndonëse edhe sot, shitja e kanabisit ndalohet penalisht, konsumi i kanabisit për arsye mjekësore nuk është i ndalur. Bima e kanabisit mund të kultivohet për këtë qëllim në shtëpi ose nëpërmjet shoqatave apo klubeve të specializuara. Ky liberalizim i legjislacionit spanjoll ka favorizuar zhvillimin e kanabisit për përdorim mjekësor; Sot Savitex është i lejuar legalisht në të gjitha farmacitë e Spanjës. Janë dhe një seri vendesh të tjera që i kanë hapur rrugën kanabisit mjekësor qoftë duke e importuar qoftë duke e prodhuar vetë. Kështu Italia dhe Finlanda e importojnë kanabisin mjekësor, pikërisht nga fabrika holandeze Bedrocan dhe e lejojnë shitjen me recetë në farmaci.

Britania e Madhe që mban marken Savitex, që po shitet në të gjithë botën, sigurisht që e lejon konsumin e këtij ilaçi me bazë kanabisi në vendin e saj, por qeveria britanike nuk pranon ta rimbursojë këtë ilaç të shtrenjtë për pacientët. Në Europën Lindore mund të përmendet rasti i Republikës çeke, vendi në Europë që ka numrin më të lartë të konsumatorëve të kanabisit, ku kanabisi për përdorim mjekësor është legalizuar vetëm nga fundi i vitit 2012, por deri tani asnjë pacient nuk ka mundur të përfitojë pasi qeveria çeke nuk ka dhënë asnjë licensë për firmat që duan të bëjnë import ilaçesh me kanabis. Kjo për të njëjtin problem si në vende të tjera: çështja nuk është nëse duhet legalizuar apo jo kanabisi për arsye mjekësore, por i takon apo jo shtetit ta rimbursojë këtë lloj kanabisi kur ky konsiderohet si ilaç. Gjetkë në botë, Nju Jorku u bë në korrik 2014 shteti i 23-të në SHBA që legalizoi përdorimin e kanabisit për arsye mjekësore./ Shekulli

Postime të ngjashme

Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure