A mund të kalojë diabeti i tipit 2 në remision pas humbjes së peshës?

Mjekja endokrinologe Bariola Duro, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti, le të flasim për të”, ka shpjeguar nëse diabeti i tipit 2 mund të kalojë në remision pas humbjes së peshës.

“Fatmirësisht po”, shprehet Duro, duke shpjeguar se remisioni nënkupton një gjendje ku një pacient me diabet mund të qëndrojë pa medikamente për diabetin dhe me vlera normale të sheqerit për më shumë se tre muaj.

Sipas saj, remisioni mund të ndodhë edhe te pacientët që kanë vite me diabet, por mundësia varet nga disa faktorë.

Një prej tyre është kohëzgjatja e diabetit. Sa më pak vite të kenë kaluar nga diagnostikimi, aq më të larta janë shanset për remision. Sipas mjekes, te pacientët që kanë më pak se 6–8 vite me diabet, remisioni është më i mundshëm.

Një tjetër faktor kyç është sasia e humbjes së peshës. Sa më e madhe të jetë humbja e peshës, aq më i lartë mund të jetë shansi për remision. Duro thekson se një humbje mbi 10–15% të peshës lidhet me mundësi më të larta për arritjen e tij.

Rëndësi kanë edhe sëmundjet bashkëshoqëruese, pasi sa më kompleks të jetë profili i pacientit, aq më e vështirë mund të jetë arritja e remisionit.

“Pika kyçe është sasia e humbjes së peshës”, thekson mjekja, duke bërë dallimin edhe me prediabetin, ku një humbje prej 5–10% e peshës mund të sjellë përmirësime të rëndësishme.

Megjithatë, remisioni nuk do të thotë se diabeti është shëruar përfundimisht.

“Diabeti është aty, sepse është një sëmundje kronike shumë komplekse, por sa më gjatë të qëndrojë në remision pa nevojën e medikamenteve, është një fitore edhe për pacientin”, shprehet Duro.

Postime të ngjashme

Mjeku Tritan Kalo zbulon dy parazitët që “fshihen” në zorrë gjatë verës: Ja si dallohen dhe çfarë pasojash shkaktojnë
Si ndikon vaji i ullirit në ngopje dhe kontroll të oreksit
Konfirmohet rasti i parë i Virusit të Nilit Perëndimor në Shqipëri
Prediabeti, çfarë duhet të bëjë pacienti? Flet endokrinologia Bariola Duro
A na hidraton vërtet çaji i ftohtë? Çfarë thonë ekspertët
Shkoi te Spitali i Traumës se e kishte më afër, nëna lind të shëndetshëm foshnjën në Tiranë
VIDEO/ Çfarë është prediabeti?
Pas PPP-së, shteti tenderon dializën me kosto 43 % më të lartë se mesatarja e koncesionit