Mjekja tregon keqkuptimin më të madh në lidhje me obezitetin

Pesha trupore nuk është treguesi i vetëm i gjendjes shëndetësore të një personi. Edhe pse mbipesha dhe obeziteti lidhen me një rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme, jo çdo person me peshë të lartë ka domosdoshmërisht komplikacione shëndetësore, ashtu siç pesha normale nuk garanton mungesën e tyre.

Këtë e theksoi endokrinologia Dr. Sara Zavalani, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, ku shpjegoi se një nga keqkuptimet më të mëdha për obezitetin është lidhja e drejtpërdrejtë mes peshës trupore dhe shëndetit.

“Keqkuptimi më i madh është që pesha është treguesi për shëndetin e dikujt. Nuk do të thotë që, nëse kemi një peshë të mirë, jemi më të shëndetshëm sesa dikush që ka një peshë më të madhe. Mund të kemi një person me peshë normale, por që të ketë disa sëmundje shoqëruese, dhe një person me BMI të lartë që nuk ka asnjë sëmundje shoqëruese”, u shpreh mjekja.

Sipas Dr. Zavalanit, në vlerësimin e gjendjes shëndetësore ndikojnë edhe predispozita gjenetike dhe historia familjare. Disa persona mund të kenë prirje gjenetike për të qenë mbipeshë, pa shfaqur aktualisht komplikacione, ndërsa të tjerë, pavarësisht peshës normale, mund të përballen me probleme të ndryshme shëndetësore.

Mjekja nënvizoi se vlerësimi i shëndetit duhet të marrë parasysh një kompleks faktorësh, përfshirë praninë e sëmundjeve shoqëruese, cilësinë e ushqyerjes dhe stilin e jetesës, si dhe gjendjen e përgjithshme të organizmit.

“Jo çdo njeri që e shohim mbipeshë apo me obezitet është domosdoshmërisht i pashëndetshëm. Patjetër që te këta pacientë ekziston një rrezik më i lartë se te personat me peshë normale, por pesha trupore nuk është treguesi i vetëm”, theksoi Dr. Zavalani.

Mesazhi i mjekes është se shëndeti nuk duhet të gjykohet vetëm nga pamja e jashtme apo numri që tregon peshorja. Një vlerësim i plotë mjekësor është i rëndësishëm për të identifikuar rreziqet, për të zbuluar në kohë sëmundjet shoqëruese dhe për të përcaktuar kujdesin e duhur për çdo individ.

Postime të ngjashme

Sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të mbahet nën kontroll
Pse qumështi i gjirit është kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës
Si fotoja e një personi mund të ndihmojë në parashikimin nëse një pacient me kancer mund ta përballojë trajtimin apo jo
Sa shpesh duhet të bëjnë kontrolle personat me obezitet dhe kur duhet të nisin ato?
Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit
Si të zgjidhni pastën e duhur të dhëmbëve?
Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet
hipertensioni
Nga hipertensioni te diabeti, sëmundjet që mund të shkaktojë obeziteti