Denisa Canameti
Shpesh jemi mësuar të shikojmë nëpër ekrane buzëqeshje të sforcuara, vajza të bukura, por jo të lindura për të qenë aty. Krejt e kundërta mund të thuhet pa frikë për Fiori Dardhën. Një vajzë pozitive dhe energjike, që arrin të përcjellë të gjithë dashamirësinë dhe thjeshtësinë e saj tek njerëzit. Nuk i është dashur të dalë e të mbushë hapësirat boshe të televizioneve, por vetëm me dy ndërmarrje ka arritur ta pozicionojë veten në radhët e prezantueseve që meritojnë dhe duhet të jenë në ekran. Edhe në këtë intervistë për “Shëndet+” ajo di ta zgjedhë mirë fjalinë e parë që njerëzit duhet të lexojnë: Fiori ka gjithçka për të qenë e lumtur.
Jeni gjithë kohës e qeshur. Është Fiori vërtetë kaq e lumtur apo jeni e mendimit se televizioni dhe njerëzit kanë nevojë për më shumë pozitivitet?
Po jetoj një periudhë ku i kam të gjitha arsyet për të qenë e lumtur. Pavarësisht se njeriu nuk mund të jetë çdo ditë në super formë, unë përpiqem që problemet e shqetësimet e mia të mos reflektohen në ekran. Nuk ka arsye ta ngarkoj publikun me to. Plus që më është mbushur mendja se dukem më simpatike kur qesh. 🙂
Cilat kanë qenë dëshirat e tua? Sa ndryshuan me kalimin e viteve?
Unë e mbaj mend veten gjithmonë me të njëjtën dëshirë: të dilja në televizor. Pyetjes së famshme “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh”, i përgjigjesha gjithmonë “Dua të bëhem prezantuese”.
Është rritur Fiori me mikrofon të improvizuar në dorë apo pasioni për gazetarinë u zbulua me kohën?
Unë kam bërë 12 vjet violinë dhe duke qenë se më duhej të studioja, nuk kam pasur luksin të luaja shumë, por, pa diskutim argëtimi më i madh për mua ishte të “intervistoja” nënën, gjyshin, mamin e babin.
Çfarë kujton tani nga vitet e shkollës së mesme dhe të viteve studentore?
Kujtoj orët e para të mësimit që shpesh i lija, sepse jam një gjumashe e pandreqshme dhe stresin që përjetoja për të justifikuar mungesat.
Përtej shakasë, Liceu Artistik dhe Universiteti i Arteve kanë qenë dy shtylla të forta në formimin tim.
Çfarë të bën të lumtur?
Të lumtur më bën Abeli, djali im 3 vjeçar. Lumturohem kur dëgjoj prindërit e mi që thonë me krenari se jam bija e tyre, kur vlerësohem për punën që bëj…
Cilat janë dëshirat që keni për djalin tuaj?
Abeli është kryevepra e jetës sime! Unë dua të rritet i lumtur e të gëzojë shëndet.
Nga buron gjithë kjo energji e Fiorit?
Energjia ime nuk është e stimuluar, por e lindur. Madje mund të them se është edhe pjesë e karakterit.
Cila është marrëdhënia me mjekun? Si ju duket mjekësia sot? Zgjidhni spitalet private apo shtetërore?
Mjekët janë ata që ne u besojmë jetën tonë. Janë ata që punojnë pa orare për të na shërbyer. Janë ata që sakrifikojnë qetësinë e tyre për t’u gjendur pranë pacientëve.
Mjekësia sot ka shumë probleme, por edhe shumë alternativa dhe sigurisht që spitalet shtetërore nuk të ofrojnë komoditetin e atyre private.
Nëse do të të kërkohej të dilje në terren për të “goditur” një nga problematikat e shëndetësisë nga do t’ia nisje?
Sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për financim. Nëse do të akordohej një buxhet më i madh, sigurisht që do të evitoheshin shumë probleme.
Është e trishtë që në spitalet tona diskutohet ende mungesa e medikamenteve e cilësia e shërbimit.
Edhe pse u shkëputët për një periudhe të gjatë nga televizioni, prapë njerëzit nuk e harruan Fiorin e Bla bla bla-së. Çfarë mendoni se duan dhe vlerësojnë njerëzit më shumë te ju?
Për këtë duhen pyetur njerëzit!
A është puna në “Top Channel” maja e suksesit? Apo thjesht një synim i realizuar si çdo gjë tjetër?
Puna në “Top Channel” është një përgjegjësi e madhe. E kam thënë dhe më parë: Të prezantosh “Fiks-in” është sfidë! Të jesh jesh në “Top Channel” është super sfidë.
Cila është marrëdhënia me doktorin? A e patët të vështirë të gjenit “gjuhën” e përbashkët?
Doktori është një partner i shkëlqyer! Profesionist i vërtetë dhe një bashkëpunëtor shumë i mirë.
Kur dëshiron diçka i gjithë universi komploton për të ndihmuar që ta arrish atë… I besoni rastësisë apo gjithçka është produkt i punës dhe përpjekjes?
Nuk i besoj rastësisë! Gjithçka është produkt i talentit, i cilësive, i punës!
(Intervista e plotë u botua në numrin e 16 shkurtit 2015 të gazetës “Shëndet+”)



