Elton Peci, gjinekolog
Anestezia epidurale është metoda më e mirë për të lehtësuar dhimbjen gjatë lindjes dhe femrat e preferojnë më shumë se çdo teknikë tjetër anestezike. Në momentin që përgatiteni për lindje është e nevojshme që të dini të gjitha mënyrat e lehtësimit të dhimbjes së lindjes, në mënyrë që të merrni vendimin më të mirë për ju dhe fëmijën tuaj.
Anestezia epidurale është një anestezi lokale, që e bllokon dhimbjen në një pjesë të veçantë të trupit. Qëllimi i saj është të sigurojë analgjezi (mungesë dhimbje), në ndryshim nga anestezia totale, ku ndjeshmëria është e frenuar në të gjithë trupin. Anestezia epidurale bllokon impulse nervore në segmentet e poshtme të palcës së kurrizit (medulla spinale), duke dhënë një ulje të ndjeshmërisë nga mesi e poshtë. Në këtë mënyrë, lehtësimi prej dhimbjes arrihet me doza minimale. Këto medikamente mund të përdoren në kombinim me adrenalinën, morfinën, klonidinë me qëllim zgjatjen e efektit anestetik ose për të stabilizuar tension arterial të nënës.
Anestezia epidurale nuk mund të praktikohet në përdorimin e gjatë të holluesve të gjakut, në gjendje shoku, ose në një infeksion në shpinë apo infeksion në gjak. Ajo nuk mund të përdoret as kur mjeku nuk e lokalizon dot hapësirën epidurale, si dhe në një lindje të shpejtë që s’na jep mundësinë për përdorim të medikamentit.


