Ndërhyrjet estetike mund të thuhet që janë kthyer në modë jo vetëm për të rinjtë, por nga të gjitha grupmoshat. Prirja më e madhe është drejt operacioneve për rregullimin e defektit në hundë. Vajza që duan të duken të bukura, e veçanërisht vajzat e ekranit.
Kështu shprehet mjeku turk prof. dr. Atilla Arıncı që punon në spitalin “Acibadem” në një vizitë në Tiranë në Zyrën e Përfaqësisë “Acibadem”, gjatë një projekti për konsulta falas të Kirurgjisë Plastike, Estetike dhe Rindërtuese. Kjo falë një stafi me shumë vite përvojë.
I pyetur nga gazeta “Shëndet+” rreth prirjes së përgjithshme që kanë njerëzit për të bërë ndërhyrje estetike, mjeku shprehet së gjatë këtyre viteve është rritur shumë numri i personave që kërkojnë të bëjnë këto ndërhyrje. Mjeku e konsideron një punë jo shumë të vështirë, përkundrazi, shumë të bukur, sepse, siç thotë edhe ai, bukuria do të thotë lumturi dhe është bukur t’i bësh njerëzit e lumtur.
Doktor, a është rritur numri i personave që duan të bëjnë ndërhyrje estetike dhe kush është më i prirur për të bërë ndërhyrje të tilla?
Vitet e fundit ka pasur një numër të madh njerëzish të cilët vijnë për t’iu nënshtruar operacioneve plastike, sidomos të rinj, dhe jo vetëm nga Shqipëria. Mendoj se bukuria është e rëndësishme dhe shumë njerëz e vlerësojnë atë, sidomos femrat. Shumë femra duan të kenë pamje tërheqëse për t’u dukur bukur para miqve apo të dashurit. Njerëzit të cilët janë pjesë e botës të medias dhe televizionit, gjithashtu janë të prirur t’i nënshtrohen rinoplastikës (ndërhyrjes në hundë) për të përmirësuar pamjen e jashtme, pasi ndiqen nga një masë e gjerë njerëzish dhe duan të kenë një pamje tërheqëse.
Cila është mosha e duhur për të realizuar këto ndërhyrje?
Këto ndërhyrje fillojnë të kërkohen dhe të realizohen që në moshën 15 vjeç. Pas kësaj moshe duhet thënë që nuk ka asnjë problem që të realizosh një ndërhyrje estetike. Nëse flasim për një moshë ideale, do të ishte mosha 18 vjeç. Gjithsesi ne përpiqemi t’i shpjegojmë çdokujt që vjen në klinikë nëse është apo jo në kushtet e duhura për ta bërë atë ndërhyrje që kërkon.
Çfarë ndodh nëse një pacient pas ndërhyrjes mbetet i pakënaqur?
Kjo është diçka e rëndësishme dhe e ndërlikuar. Duhet treguar shumë kujdes në shpjegim. Para operacionit, unë bëj gjithmonë foto të pacientit dhe i përshkruaj se si mund të duket pas ndërhyrjes.
Çfarë e siguron suksesin e një ndërhyrjeje?
Teknologjia e mirë është e rëndësishme. Sigurisht, edhe një kirurg i mirë që ka përgatitjen dhe përvojën e duhur për ta bërë atë gjë. Janë shumë faktorë dhe një pjesë e suksesit varet edhe nga vetë pacienti.
Cili është statusi social i njerëzve që u nënshtrohen këtyre ndërhyrjeve?
Nuk ka rëndësi. Janë njerëz që vijnë nga pozita të ndryshme. Njerëz që vijnë nga fshati ose nga qyteti. Por kryesisht janë njerëz me një status social të ngritur. Njerëz që janë në karrierë dhe që janë shumë të interesuar që pamja e tyre të jetë perfekte.
A kushtojnë shumë ndërhyrjet?
Nuk janë shumë të shtrenjta. Varet nga ndërhyrja. Në spitalin tonë, në “Acibadem”, sigurisht që kemi menduar që mos ta shikojmë çmimin si faktor kryesor, por që të kënaqim më shumë njerëzit që kanë komplekse me veten. Është shumë e rëndësishme t’i bëjmë njerëzit e lumtur.
Përsa i përket operacioneve të hundës apo rinoplastikës, siç quhet ndryshe, da kohë pas operacionit e merr veten lëkura?
6 deri 8 muaj. Gjatë kësaj kohe duhet bërë një kujdes shumë i madh me lëkurën. Ekspozimi në diell, për shembull, nuk do të ishte fare i favorshëm.
Të kthejmë objektivin tonë për ato që i nënshtrohen ndërhyrjes së plastikës gjenitale, gjë që ndikon edhe në rritjen e vetëvlerësimit. A ndodh që vajza të cilat nuk janë të virgjëra të kërkojnë të bëjnë ndërhyrje për t’u bërë të tilla?
Po, disa herë ndodh. Sidomos në Turqi. Në Shqipëri nuk kam konstatuar shumë raste të tilla. Shumë femra shkojnë tek gjinekologu për t’i bërë këto ndërhyrje, që në fakt duhet të bëhen nga kirurgu plastik.
A mund ta kuptojë një mashkull rastin kur vajza ka kryer një ndërhyrje të tillë?
Varet shumë nga mashkulli. Edhe mundet.
Ja llojet e ndërhyrjeve estetike në vaginë
Labioplastika – Bëhet fjalë për reduktimin e buzëve vaginale, e cila zakonisht kryhet vetëm për arsye estetike në emër të rinisë së përjetshme aq shumë të dëshiruar. Ndonjëherë kërkesa lidhet me shqetësime dhe irritime për shkak të dimensioneve të tyre shumë të mëdha.
Vaginoplastika – Me këtë ndërhyrje synohet ngushtimi i vaginës. Zakonisht gratë e kërkojnë këtë pas një lindjeje, për të kuruar simptomat e lidhura me kanalin e pasëm vaginal dhe për të përmirësuar aktivitetin seksual.
Përtëritja e vulvës – Objektivi për këdo që i nënshtrohet ndërhyrjes, është ai i përmirësimit të pamjes së jashtme të gjenitaleve, gjë që ndikon edhe në rritjen e vetëvlerësimit. Injektohet acid hialuronik ose yndyrë në mënyrë që buzët vaginale të bëhen tonike. Përtëritja mund të arrihet edhe nëpërmjet “liposuction”-it ose thithjes së dhjamit të tepërt.
Doktor, ju pëlqen puna që bëni?
Sigurisht! Nëse bëjmë një njeri të lumtur, kemi bërë një familje të lumtur. Kjo është lumturi edhe për ne.



