Xhoi Bejko: Gjithçka rregullohet nëse ke shëndetin

Jam njeriu i të shijuarit të ushqimeve, dhe jo i dietave. Sigurisht, mundohem të konsumoj ushqime të shëndetshme pa ekzagjeruar në masë

Denisa Canameti

Edhe pse po i mungon ekraneve këto kohë, Xhoi Bejko vazhdon të jetë njësoj e dashur dhe e njohur për publikun. Çdo mungesë e ka një arsye dhe Xhoi na tregon se po punon me një projekt të ri që uron të mirëpritet. Në përgjigje shumë të shkurtra ajo arrin të përcjell gjithë pozitivitetin në çdo pyetje. Një vajzë e njohur e ekranesh, një vajzë e ëmbël, e buzëqeshur, ku këtë të fundit e shikon si dhuratë të natyrës.

Xhoana Bejko1E pyetur për marrëdhënien me bashkëshortin dhe nëse ka qenë e vështirë për Gentin fakti që ajo është e famshme, Xhoi jep një përgjigje shumë të këndshme: “Po ai prandaj më do, se më ka parë në televizor”.

Si nis një ditë e zakonshme për Xhoin?

Me zgjim nga gjumi si gjithë të tjerët. Përcjellim më pas fëmijët në shkollë dhe çerdhe dhe bëhemi gati për ditën tonë të re.

A ka ndonjë projekt të afërt që do të donit ta ndanit me lexuesit tanë dhe ndjekësit e tu të rregullt?

Po punoj për një projekt të ri, por do të preferoja të flisja mbas konkretizimit të tij. Shpresoj të jetë një surprizë e bukur për të gjithë.

Njerëzit ju identifikojnë me atë vajzën e qeshur dhe të ëmbël. Cili është sekreti i një buzëqeshjeje të tillë?

Sepse qesh kur më qeshet, mundohem të më zotërojnë mendimet pozitive dhe të jem vetvetja në çdo hap.

Meritë e dentistit apo besoni se lumturia e bën çdo buzëqeshje të bukur?

Dentistes! Po nuk ka ndërhyrë aq shumë dentistja. Kam përshtypjen që e kam të lindur.

Çfarë do të thotë për Xhoin “lumturi”?

Përveç njërës nga hallat që ma quajnë Lumturi (qesh) nuk e di nëse është termi i saktë për të shprehur gëzimin, harenë apo çastet më të bukura të jetës.

A mund ta cilësoni veten si një amvisë e mirë dhe nënë e përkushtuar?

Për këtë duhet të pyesni familjarët e mi ose të shihni sesa të buzëqeshur janë ata. Por një gjë është e sigurt: me kalimin e viteve mamaja ime ma konfirmon pjesën e trashëgimisë së amvisës.

A ju pëlqen ta kaloni një pjesë të mirë të ditës në kuzhinë? Apo kuzhina nuk është “sport” i preferuar i femrave në karrierë ?

Kuzhina është një përditshmëri e nevojshme për t’i shërbyer më mirë vetes dhe familjes. Sigurisht që ka momente që më shijon, por nuk mund të them se ndodh përditë. Më bukur është kur gatuaj me Gentin. Dhe pastaj shijojmë enët që lan… lavastovilja.

Xhoana Xhoi BejkoMban dietë? Ke ndonjë preferencë?

Jo. Jam njeriu i të shijuarit të ushqimeve, dhe jo i dietave. Sigurisht, mundohem të konsumoj ushqime të shëndetshme pa ekzagjeruar në masë. Kryesisht preferoj ushqimet e detit. Sidomos krudot.

A të kanë shqetësuar ndonjëherë kilet e tepërta?

Jo shumë. Kryesisht mbas shtatzënive, por asnjëherë nuk i kam pasur problem edhe për shkak të metabolizmit tim.

Nëse do t’u propozohej të prezantonit një emision gatimi, do ta bënit?

Do ta bëja, sepse aty edhe do të mësoja sesi të gatuaj më mirë ushqimet që më pëlqejnë më shumë. 😀

Genti, më i mire si aktor apo si bashkëshort?

Nëse ka një gjë që Genti ka më shumë inat, është të bëjë aktorin jashtë skenës. Sidoqoftë, mendoj se është më i mirë si regjisor se aktorin e ka në xhep.

Sa e vështirë është për dy bashkëshortë të jenë të dy të njohur, të dy të suksesshëm, të dy me angazhime?

Nuk është se ka një njësi matëse. Por duhet gjithmonë bashkëpunim dhe bashkërendim i gjërave. Ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ne mundohemi që të ruajmë gjithmonë ekulibrin.

Kush toleron më shumë në marrëdhënie?

Mundohemi të gjejmë ekulibrin e duhur. Në periudha të ndryshme ia lëmë stafetën njëri-tjetrit.

A e ka bezdisur ndonjëherë fakti që ti je “vajzë ekrani”? Ju ka kërkuar ndonjëherë të hiqni dorë?

Absolutisht që jo! Përkundrazi, më ka mbështetur gjithmonë. Prandaj më do madje, se më ka parë në televizor!  Madje vdes kur i thonë “Burri i Xhoit”! (qesh)

Për çfarë ka nevojë ekrani sot?

Për atë që do të vuajë gjithmonë dhe që shuuuumë rrallë mund ta ketë… Sinqeritetin.

Çfarë mendoni për “kukullat” e ekranit?

Duhen për të kënaqur syrin e atyre që duan vetëm të shohin.

Xhoana BejkoSi i keni marrëdhëniet me doktorin? A keni doktor personal?

Kemi mjekun e familjes si të gjithë, por fatmirësisht nuk na bie të takohemi shpesh.

Për t’u ndalur pak në aktualitet, si e komentoni çështjen e testimit të mjekëve?

Jam shumë e ftohtë karshi kësaj çështjeje, por kam ndjerë peshën e indinjatës që ky ‘testim’ shkakton tek ata që dashur pa dashur janë në testim çdo ditë. Sistemi ka nevojë për përmirësim, por nuk mendoj që duhet të fillonte tek testimi, por tek financimi.

Nëse do të kishe mundësinë të bëje ndryshime në sektorin e shëndetësisë, çfarë do t’i ndryshoje?

Që nga kushtet, financimi në pajisjet më bashkohore, barnat e domosdoshme, përmirësimi i sistemit dhe pastaj edhe disa ‘mjekë’ që njollosin emrin e shumë mjekëve që realisht janë të përkushtuar në misionin e tyre.

Çfarë konsideroni si parësore sot në shëndetësi duke e parë nga këndvështrimi i pacientes?

Ato që thashë më sipër, duke shtuar pastërtinë dhe besimin që mund të marrësh vërtet shërbimin e duhur.

Ju zgjidhni spitalet private apo shtetërore?

Më së shumti shtetëroret.

Më mirë mjeke apo artiste?

Në Shqipëri, asnjëra! Por në fund, gjithsekush duhet të bëjë atë që di të bëjë më mirë.

Një mesazh për lexuesit e “Shëndet+”.

Nuk thuhet kot: “Jet’ e Shëndet” se gjithçka tjetër rregullohet! 🙂

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!