Genci Fuga: Për familjen do hiqja dorë nga aktrimi

Bisedoi: Denisa Canameti

Genci Fuga është një emër i njohur i fushës së artit. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+” ai na tregon shumë gjëra për jetën e tij familjare dhe profesionale. Marrëdhënia me bashkëshorten Enin, marrëdhënia me fëmijët, me artin dhe sa e vështirë është kombinimi i tyre. Genci gjithashtu bën një analizë të shkurtër të sistemit tonë shëndetësor, duke vlerësuar bluzat e bardha për profesionalizmin dhe përgatitjen e tyre.

Genci Fuga (4)Genci, cili është mëngjesi yt rutinë?

Për shkak të punës dhe shkollës së Stinës (vajzës sime), që fillon në 08.00, pi kafen rreth orës 08.15 dhe mëngjesin e vërtetë e marr rreth orës 10.30. Kryesisht janë gjëra të thata (sanduiçe, toste apo byrekë të vegjël). Ky është mëngjesi i ditëve rutinë të javës. Gjatë fundjavës, mëngjesi është më i vonë dhe gjithnjë fillon me një kafe, pastaj, sigurisht që preferohet mëngjesi i shtëpisë, kryesisht çaj, omlet apo gjalp e djathë (të kripura).

Jashtë shtëpisë cili është vendi i preferuar për kafenë e mëngjesit?

Gjatë javës, kafja e preferuar është pranë Universitetit të Arteve. Gjatë fundjavës, kafe lagjeje ose ndonjë lokal që ka gjelbërim, për të argëtuar vajzat. Në fundjavat jashtë Tiranës dëshiroj një kafe sa më pranë detit.

Cilat janë pasionet  tuaja? Është gatimi njëri prej tyre?

Pasionet e mia kanë të bëjnë me udhëtimet familjare, apo udhëtimet me motor a me makinë (kur kam mundësi të jem vetëm). Gatimi është ndër pasionet e mia, por nuk është se e kam shumë të zhvilluar. Jam përqendruar te gatimet e tiganit e zgarës. Kam edhe një dëshirë që kur kemi të ftuar në shtëpi (shokë apo familiar), kam qejf të shtroj tavolinën e të përgatis mesoret apo antipastat. Kam qejf “të shërbej”…

Thonë se dashuria vjen nga stomaku… Vlen vetëm për një mashkull?

Është e vërtetë. Këtë shprehje e kuptoj në devotshmërinë që duhet të kenë partnerët ndaj njëri – tjetrit. Sigurisht që Eni gatuan shumë më mirë se unë dhe “ma ka fituar zemrën”, por edhe unë përpiqem duke përgatitur darkën për të gjithë, edhe për Enin.

Genci Fuga (6)Si fitohet dashuria e një femre? Ndikoi gatimi në dashurinë e Enit për ty?

Nuk mund të ketë formula të gatshme se si fitohet një femër. Fitimi i saj ka lidhje me ç’kërkon një femër nga ty. Nuk më është dashur të gatuaj shumë në momentet kur “fitoja” Enin. Në atë periudhë isha i përqendruar te krijimi i atmosferës së duhur për takimet tona. Atmosfera fliste deri një të tretën e fjalëve që vërtiteshin në mendjen time, e që duhej të shkonin te Eni. Mbaj mend që nuk kishim një restorant fiks, dhe mundohesha të provonim sa më shumë “shkolla kuzhine”. Ndonjëherë besonim tek shijet e shefave të kuzhinës, që gjithnjë nuk na zhgënjenin. Njëri nga këta ka qenë shef Flori, që ka qenë ndër të vetmit që e kemi ndjekur edhe kur ka lëvizur nga Tirana në Durrës.

Ju dhe Eni jeni persona publikë dhe me shumë angazhime, kush gatuan në shtëpi?

Drekën e gatuan Eni, gjithmonë. Darkën e gatuaj unë, kur jam në shtëpi. Mëngjesi është i ndryshëm. Tani Eni çohet shumë më herët se pjesa tjetër e familjes. Kur del ajo, unë zgjohem. Para se të dalë, Eni ka përgatitur edhe bukën e Stinës për në shkollë.

Çfarë mendimi keni për femrat që janë të fiksuara pas dietave?

Sigurisht që “e bukura” është e lakmueshme, POR jo gjithnjë e bukura gjendet te dietat dhe regjimet e forta… Para se të hyjnë në dietë, do të ishte mirë që këto femra të kishin të qartë se ku qëndron e bukura te ato, në mendje, sy apo pamje fizike…

Sekreti qëndron se çfarë do që të vendosësh në vitrinë. Në rast se kemi dikë që është e varur nga dietat, mos do të fusë në dietë edhe partnerin e ardhshëm?! Mos, duke qenë në dietë, i jep të drejtë partnerit të ndaheni kur i shket këmba e shton ndonjë kile?! Po kur të mos funksionojë bukuria fizike, aq shumë e investuar, mos merr fund “lidhja”?!

Të gjesh se çfarë është e bukur tek ty, nuk është e thjeshtë. është një proces që shkon paralel me njohjen e vetvetes. Para se t’i hyni një diete, shikoni edhe një herë partnerin në sy. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që, pasi të lidheni, të rendin të dyja palët drejt “obezitetit”

Genci Fuga (2)Cila është marrëdhënia me spitalet? A bëni analiza rutinë? Spitale private apo shtetërore?

Nuk jam tip që rend në spitale. Kur përfundoj në spital, jam vërtet sëmurë dhe i kam “ezauruar” veprimet parandaluese.

Nuk bëj analiza rutinë. Bëj analiza kur kam anomali.

Pushkini ka thënë: “Sëmundja është një e keqe që njeriu e përmend me një lloj krenarie”. Unë nuk bëj pjesë në këtë kategori njerëzish. Nuk më pëlqen të sëmurem, dhe kur sëmurem, dua që të shqetësoj sa më pak njerëz. Mendoj se këtë ndjesi e kam të trashëguar nga prindërit e mi. Babai im, që ishte vërtet i sëmurë, kur mungonte në tavolinat e shokëve, atëherë kuptohej që ishte në spital, dhe shokët e kërkonin direkt atje, “të revoltuar” që nuk ishin njoftuar për këtë hap.

Çfarë mendimi keni për shëndetësinë në Shqipëri?

Kemi një shëndetësi në nivel të njëjtë me të gjithë fushat e jetës. Specialistë shumë të mirë, të talentuar e të devotshëm, pa asnjë lloj komoditeti profesional apo investimi nga shoqëria.

Ne nuk vuajmë nga mungesa e specialistëve, por nga mungesa e kushteve spitalore (investim i drejtpërdrejt i shoqërisë) dhe ilaçeve të siguruara me të ndër nga dikasteret ekzekutive.

Kemi një terren shumë të mirë për zhvillimin e mjekësisë alternative (jemi të pasur me bimë medicinale, të njohura që në lashtësi).

Sa vlen për ju shprehja “Jeto momentin”?

Do të doja të jetoja momentin dhe e bëj shpesh, POR jo në kuptimin që përdoret gjerësisht. Kur jam në skenë e në aktivitet artistik, jetoj gjithnjë momentin. E di shumë mirë që pas “momentit” vjen një tjetër moment (por tashmë i pamenduar). Nuk pëlqej të zhgënjehem në jetë, prandaj bëj pak veprime “të momentit”. Ajo që ia njoh vetes, është që jam mirënjohës për çdo moment të bukur që kaloj, jo vetëm familjes sime, por edhe shoqërisë e studentëve.

Tregoni për një arritje tuajën për të cilën jeni shumë krenar?

Familja ime dhe prejardhja ime! Është burimi i krenarisë për mua në çdo moment. Pjesa “artistike” apo krijimtaria ime?! Do të isha i lumtur të bëjnë krenar familjarët dhe të njohurit e mi.

Genci Fuga (1)I beson shprehjes “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”?

Jo në kuptimin popullor… Mendoj se mendja e shëndoshë krijon e mban një trup të shëndoshë. Por nuk “funksionon” gjithnjë e kundërta. Jetojmë në një kohë që trupa të bukur ka dhe sheh… Nuk shoh kaq shumë mendje të shëndosha.

A ju kanë shqetësuar ndonjëherë kilet e tepërta?

Aftësia e interpretimit apo krijimtaria nuk kanë të bëjnë fare me kilet e tepërta. Kinematografia e skena botërore është mbushur me raste të tilla. Mendoj se kur shtrohet një kërkesë për dobësim, është lënë diçka mangët në këtë marrëdhënie. Asnjë aktor nuk i bën dot të gjitha rolet që kërkon, por kjo nuk të pengon të bësh më të mirën në ato role që të janë besuar. E, kur bën më të mirën, i heq kilet e tepërta, madje pa dieta e palestra, thjesht ti bën më të mirën.

Stresi është konsideruar sot si shkaktar i të gjitha sëmundjeve. Është sëmundja moderne. Çfarë bëni tjetër që të mbani veten çdo moment larg stresit?

Stresi tek ne është edhe në trajtë “virale”. Është shumë e vërtetë që shumica e sëmundjeve origjinohen e kurohen nga truri njerëzor. Në mendimin tim kemi një problem më të madh se stresi. Jemi larg shprehjes: “Bukën e Punën e përditshme falna Zot!”. Kemi idhuj të gabuar, shembuj suksesi të gabuar, asnjëherë nuk pyesim “Si u arrit deri këtu?, Ç’duhet bërë që edhe unë të jem në paqe me veten e me ëndrrat e mia?”

Si i keni marrëdhëniet me doktorin? A keni doktor personal?

Jo fort të rregullta. Shkoj tek mjeku pasi mendoj se kam bërë të gjitha në bazë të eksperiencës e kërkimeve që bëj në internet për shqetësime të ndryshme. Do të dëshiroja të isha “mjek i vetvetes”. Kam besim te mjekësia “shtetërore”. Jam shumë paragjykues ndaj mjekësisë “private”. Besoj në mjekësinë “alternative” dhe atë “popullore”. Në gjykimin tim, jetojmë në një kohë të një konspiracioni tregtar, ndërmjet “mjekësisë zyrtare” dhe “farmaceutikës” dhe mundohem të mos vendosem në radhën e “fitimprurësve” të këtij binomi. Nuk kam doktor personal, por kam specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë, që konsultohem me ta.

Puna-shëndeti-familja… cila ka më shumë rëndësi dhe si arrin t’i menaxhosh të tria?

Familja e puna vijnë të parat, duke “abuzuar” mbi shëndetin. Edhe virozat mundohem t’i kaloj “në këmbë”. Nuk më pëlqen të “shtrihem i sëmurë”. Kur kam mundësi të shtrihem, pushoj, nuk dua të sëmurem ndërkohë.

E ke ndjerë ndonjëherë nevojën për të hequr dorë nga puna, sepse të ka marrë dhe kohën që ia dedikon të dashurve të tu?

Patjetër, që kam pasur fatin t’u them “jo” disa angazhimeve, për t’iu dedikuar familjes. Jam i sigurt që familja bënte të njëjtën sakrificë, kur unë kam një periudhë intensive pune. Përsa i përket shoqërisë, ajo është e lidhur me punën, më së shumti, dhe gjithnjë gjej kohë e takohem me ta, duke qenë i sigurt që më çlodh e më jep forca.

Cila është pika juaj e fortë? Po pika më e dobët?

“Vrapi” dhe “përkushtimi”. Them shumë pak “jo”. Nuk jam tip “dembel”. Këto mund të jenë karakteristikat e mia. Dhe janë gjithnjë edhe pikat e mia “të forta”, por edhe “të dobëta”, mendoj.

Ka ndonjë gjë që mund t’ju bëjë të hiqni dorë nga aktrimi?

Mirëqenia e familjes sime! Mesa duket në këtë moment ka vëmendjen time më të madhe!

Çfarë do të thotë jesh aktor në një vend të vogël, të varfër dhe pa shumë perspektiva për talentet?

E kam thënë gjithnjë! Jemi të gjithë si interpretë e krijues, në “nivel mbijetese”. Në mungesën totale të një strategjie zhvillimi për artin skenik, fati i tij është tërësisht i varur në dëshirën (ose jo) të drejtuesve të Ministrisë së Kulturës. Do të isha i lumtur që shpërblimet për figurë artistike (apo indekse të tjerë financiar të investimit dhe shpërblimeve artistike) të rriteshin sa rritja ekonomike (në %) sa rritja ekonomike 1998 – 2015.

Aktualisht jam pedagog në Universitetin e Arteve, me titullin Profesor i Asociuar, dhe jam ende i kujdesshëm me studentët e rinj      që t’u shpjegoj se rruga e artit është shumë e bukur, por mund ta kenë vështirë të fillojnë e të “mbajnë familje”.

Nëse u referohemi roleve që keni vënë në skenë, cilin prej tyre keni dashur më shumë?

Nuk kam role “të preferuara”. Kam periudha aktiviteti “të preferuara”. Një nga këto periudha te preferuara, është periudha e bashkëpunimit me të madhin Roland Trebicka. Ka qenë një bashkëpunim si në telefilma ashtu edhe në skenë, tepër familiar, intensiv e shumë profesional. Jam krenar që pata fatin të kem atë fat!

Cilat janë momentet më të bukura artistike dhe momentet që cilësoni si më pak të bukura?

Momentet më të bukura për mua janë duartrokitjet e publikut në fund të shfaqjeve teatrale. Ato duartrokitje janë shpërblimi më i mirë për lodhjen e përgatitjes së shfaqjes. Momentet më pak të bukura janë ballafaqimi me shpërblimet financiare të punës artistike.

Cila është mbrëmja e zakonshme në shtëpinë tënde? Po idealja cila do të ishte?

Gjithnjë duke gatuar për Enin e vajzat. Gatimi i darkës është detyrë imja. Darka ideale do të ishte fundjavë jashtë Tiranës, sidomos në vendet malore, Dajt, Voskopojë, Përmet, Ersekë, Shkodër… Klima malore më pëlqen. Ndërsa gjatë verës vajzat kanë disa vite që shijojnë gjithë bregdetin e jugut.

Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël”?

Eni! Pasi i kam thënë natën e mirë edhe vajzave.

Cili është mesazhi juaj për lexuesit e “Shëndet +” dhe për të gjithë shqiptarët në aspektin e përkujdesjes dhe edukatës shëndetësore?

Lexoni sa më shumë për shëndetin tuaj dhe si mund të kalohen shqetësimet tuaja (sëmundjet tuaja). Mos besoni verbërisht këshillat që ju thonë! Kontrollojini ato me burime të tjera. Pyesni mirë për ilaçet që ju japin, për efektin e tyre, dhe, në rast se keni mundësi, këmbejeni me “bimë medicinal”. Të jeni të sigurt se luftën më të madhe e kemi me STRESIN. Lufta kundër tij nuk ka formula, është shumë e vështirë, por duhet fituar. Vetëm virozat, nuk origjinohen nga truri. Çdo sëmundje tjetër origjinohet, por edhe “shërohet” nga truri… Kujdes! Shëroni trurin!

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!