Po kërkoni për një mënyrë që kthen orën pas? Tai çia (Tai Chi, Tai Ji) një art marcial kinez, mund të jetë zgjidhja juaj. Një studim i ri, i publikuar nga “Cell Transplantation” zbuloi se Tai çia mund të ndihmojë rritjen e numrit të qelizave burimore (staminale), të rëndësishme për shumë funksione të trupit, si dhe për strukturën e tij.
Për të vlerësuar efektet mbi ndikimin e tai çisë në jetëgjatësi, kërkuesit kryen një studim vjetor duke krahasuar efektet kundër plakjes mes tre grupeve vullnetare të moshës nën 25 vjeç të cilët ose bënin tai çi, ose bënin ecje të shpejtë, ose nuk ushtroheshin fare.
“Përdorëm vullnetarë të rinj, sepse ata kanë aftësi më të mira të rigjenerimit të qelizave sesa të vjetrit dhe gjithashtu donim të shmangnim ndërhyrjen e ilaçeve që merren nga të moshuarit për sëmundjet e zemrës apo sëmundje të tjera”, u shpreh një nga autorët e studimit, dr. Shin-Zong Lin i Spitalit Universitar të Kinës, në Tajvan.
Sipas autorëve të studimit, ata që praktikonin tai çinë, kishin një numër më të lartë qelizash staminale sesa personat në grupet e tjera.
“Ky studim siguron një hap shumë të rëndësishëm mbi mundësitë e të mirave shëndetësore të tai çisë”, tha në një njoftim për shtyp dr. Paul R.Sanberg i Universitetit të Floridës së Jugut. “Gjithashtu janë të rëndësishme studime të mëtejshme për të parë se si tai çia mund të sjellë të mira në njerëz të ndryshëm dhe në parametra të ndryshëm të plakjes, në mënyrë që të vërtetohet ndikimi i saj i plotë.”
Megjithatë, studimet e shumta të kryera përgjatë viteve kanë treguar se tai çia sjell shumë të mira shëndetësore.
Për shembull, një studim i vitit 2012 zbuloi se tai çia ndikon për të pasur një kujtesë më të mirë. Në fakt, shkencëtarët kanë parë se kinezët e moshuar të ciëlt praktikonin tai çinë thjesht tre herë në javë, pas tetë muajsh kishin një kujtesë më të mirë sesa ata që nuk praktikonin tai çinë.
Gjithashtu, një tjetër studim i vititi 2012, i cili përfshiu njerëzit e prekur nga parkinsoni, zbuloi se tai çia rriste ekuilibrin dhe ulte rrezikun e rrëzimeve.
Tai çia është një art marcial i cili e ka origjinën në Kinën e mbi 2000 vjetëve më parë. Tai çia përfshin frymëmarrje të thellë dhe ka lëvizje të ngadalta në formë rrethore të pandërprerë./ Përshtati në shqip: Arlinda Gjypi


