Prof. Alketa Koroshi
Në jetën e njeriut ka dy periudha të rritjes së prostatës: periudha e parë është në kohën e pubertetit e atëherë kjo gjendër dyfishohet si madhësi. Pas moshës 25 vjeç prostata fillon të rritet përsëri.
Kjo rritje pas shumë vitesh mund të na rezultojë në hipertrofinë beninjë të prostatës. Rritja e prostatës rrallë shkakton problem para moshës 40 vjeç, por më vonë në moshën 60-vjeçare gjysma e njerëzve kanë simptoma të rritjes së prostatës dhe në vitet 70-80 të jetës gati 90 % e njerëzve kanë shqetësime nga prostata.
Kur rritet shumë gjendra, cipa e saj e jashtme nuk e lë të zmadhohet, por ushtrohet presion në kanalin e urinës që kalon në mes të gjendrës duke e shtrënguar atë. Nga ana tjetër fillon dhe shtypet nga poshtë fshikëza e urinës dhe kjo jep mosmbajtje gjatë të urinës e njeriu ka ndjenjën e urinimit të shpeshtë.
Me kalimin e kohës, muskulatura e fshikës së urinës dobësohet dhe kur urinon njeriu nuk nxjerr jashtë të gjithë urinën, por një pjesë qëndron në fshikezën e urinës. Kjo urinë që ngelet pa u zbrazur mund të infektohet e kjo sjell pasoja të mëtejshme të infeksionit urinar.
Në të vërtetë, rritja e prostatës është normale gjatë plakjes sikurse janë flokët e thinjura. Në vendin tonë çdo vit vizitohen tek mjeku për problemet e prostates afro 40 mijë vetë.
