Denisa Canameti
Padiskutim që të gjithë e duan dhe e vlerësojnë për talentin e tij, për origjinalitetin dhe për mënyrën e të bërit humor. Kërkesës së gazetës “Shëndet+” për të bërë një intervistë, Albano Bogdo i përgjigjet natyrshëm “Si mund të flas për shëndetin unë kur jam 200 kg?!” Edhe pse talent i ri në skenën shqiptare, ai mund të renditet sot në listën e personave më të dashur jo vetëm nga të rinjtë. Nën optikën e tij Shqipëria është vendi i mundësive të mëdha, si dhe të rinjtë shqiptarë janë në kushte për të bërë gjëra të bukura e të mëdha.
Albano, ç’do të thotë fjala shëndet për ty?
Fjala shëndet do të thotë të jesh i shëndoshë. Do të thotë të jesh mirë fizikisht, mos të kesh sëmundje. Shëndeti është të kesh një jetë të qetë, pa stres, të lumtur, mundësisht të kesh lekë.
A është leku shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e shëndetit?
Leku tingëllon si fjalë jo shumë e këndshme, por mendoj që mirëqenia është e lidhur ngushtë me mbarëvajtjen e shëndetit. Mendoj se të gjitha sëmundjet vijnë nga truri.
Në fakt, stresi është konsideruar si sëmundja e shekullit, veçanërisht për të rinjtë. Pse mendoni që të rinjtë sot janë kaq të stresuar?
Bëjnë jetë shumë të ngarkuar, me shumë pak mundësi, përpiqen shumë dhe realizojnë shumë pak. Ky është kapitalizmi, vetë e deshëm, vetë e shembëm komunizmin, ta mbajmë tani.
Kanë gjë në dorë të rinjtë për ta ndryshuar këtë realitet kapitalist?
Sigurisht, të rinjtë mund të ndryshojnë gjithçka.
Të duket se të rinjtë tanë janë në kushte për ta ndryshuar këtë realitet?
Çdo njeri, në çdo cep të botës ka mundësi për të ndryshuar diçka. Të rinjtë shqiptarë kanë më shumë mundësi seç mendojnë. Imagjino kur nuk ka mundësi një i ri shqiptar, çfarë mund të thotë një i ri në Kenia, ku nuk ka as ujë për të larë sytë? Janë mundësitë, po shkollohen. Pavarësisht se për keq, por Berisha ua mundësoi shkollimin të gjithëve.
Si e shkon këtë raportin auditore bosh e kafene plot, pavarësisht se mundësitë për tu shkolluar siç e cilësuat janë të hapura?
Nuk kanë faj studentët për këtë punë. Faj kanë mësuesit, pedagogët që nuk shkojnë në mësim. Se po të jesh në mësim, do të vijë dhe studenti se i vë mungesën, e ngel në klasë. Kështu ndodh kur nuk shkon pedagogu, se vënë në punë pedagogë të papërgjegjshëm.
Meqë jemi tek shkolla dhe tek mundësitë, në çfarë kushtesh e shikon shkollën e artit në Shqipëri dhe artin në përgjithësi?
Më duket në kushte të mira: mund të ishte edhe më keq.
A kemi artistë të mirë ne?
Sa të duash.
Kemi vend për artistë të mirë?
Sigurisht që kemi. Kjo Shqipëria që nuk ta mbush syrin, ka nxjerrë Inva Mulën që është sopranoja më e madhe në botë, ka nxjerrë tenorët më të mirë në botë. Kadareja që është shkrimtari më i mirë artistik në botën e shekullit XX, është shqiptar, ka dalë nga kjo Shqipëri, është më i vlerësuar se Markezi. Për mua, Kadareja është në një nivel me Markezin. Po ta mendosh askujt nuk mund t’ia priste mendja që Shqipëria mund të nxjerrë shkrimtar të këtij kalibri. Fakti që jemi vetëm 3 milion banorë nuk na bën më pak të rëndësishëm se të tjerët, të qenit i madh në numër nuk të bën më të mençur. Nëse je shtet me një numër të madh banorësh, mund të jesh më i zhvilluar ushtarakisht, ekonomikisht, por nuk është e thënë që je më i zhvilluar nga ana intelektuale apo artistike.
Për t’u kthyer sërish tek shëndetësia, si i keni marrëdhëniet me mjekun?
Shumë të mira. Kam shumë miq mjek. Infermieret i kam shumë qejf (qesh).
Ke mjek personal?
Kam mamanë. Nëse i them që jam sëmurë, e ka ilaçin për çdo gjë. Siç e kanë të gjitha mamatë tona.
Analiza rutinë bën?
Po, bëj çdo ditë. Shkoj dhe i them infermieres më bëj ndonjë analizë, çfarë ka dalë ndonjë e re… (qesh).
Marrëdhënien me stomatologun si e keni?
Shumë të mirë. Shkoj shpesh.
Shkon në palestër?
Palestër bëj çdo ditë.
Si ka mundësi që pavarësisht kësaj, thua se je 200 kg?
Ndoshta, sepse ha më shumë sesa bëj palestër.
Atëherë, si mund të jesh i famshëm dhe i suksesshëm edhe me 200 kg, eksperienca ka treguar që në ekran duan të bukurën?
I suksesshëm me femrat? (qesh). Unë kam një lloj pune ku pamja nuk ngre shumë peshë. Po të isha prezantues ose diçka tjetër, ku pamja është plus do ishte tjetër gjë. Puna që bëj, nuk ka nevojë për njerëz të bukur, ka nevojë për njerëz të vërtetë, për njerëz spontanë. Ne nuk jemi këngëtarë, nuk bëjmë videoklipe.
Sipas jush, cili është raporti i ekranit me të bukurën?
Nuk ka asnjë gjë të keqe. Unë e admiroj të bukurën. E bukura bëhet akoma më e bukur në ekran. E shëmtuara bëhet akoma më e bukur në ekran. Dhe unë ndoshta përdor ekranin për të mos nxjerr në pah shëmtinë time të vërtetë.
Ndjek Albano dieta?
Kam bërë një herë një dietë me një dietologe, kam rënë 7-8 kg për një muaj. Më pas fillova të pi birra fshehurazi dhe e lashë. Nuk kisha durim më.
Çfarë mendon për kirurgjinë plastike?
Mendoj se nëse një vajzë ka gjoksin e vogël dhe i ka 2000 euro, ta bëjë dhe ajo që të hyjë në treg.
Tani që je pjesë e ekranit, besoj se ke filluar t’i përdorësh produktet kozmetike?
Jo. Jam i vetmi në staf që nuk bëj grim, dal gjithmonë pa grim në televizor. Kam 4 vjet e gjysmë dhe dal pa grim, nuk më pëlqen.
I paragjykon ata që bëjnë?
Jo, nuk i paragjykoj. Unë bëj gjëra të tjera. Nëse mua do më dukej çudi që dikush bën grim kur del në ekran, atëherë të tjerët do të bënin çudi se si unë nuk bëj. Unë ky jam dhe kaq.
Për të folur pak për sistemin shëndetësor në vendin tonë, në çfarë gjendje e shikon?
Jam shumë optimist nga natyra. Mendoj që mund të ishte dhe më keq. Unë ndoshta përfitoj që jam i famshëm, pa dashje. Po sa herë kam shkuar në spital, nuk kam paguar asnjë lek.
Unë zgjedh spitalet shtetërore dhe asnjëherë në jetën time nuk kam shkuar në spitalet private. Kjo sepse ata mjekë që punojnë në spitalet shtetërore paradite, të njëjtët punojnë dhe në spitalet private pasdite. Edhe dentistja po të kishte shtetëror, atje do të shkoja.
Unë kam shumë besim. Edhe një herë që kam operuar mamanë në Spitalin Ushtarak, kam dashur të jap diçka të vogël për qejf dhe mjeku nuk pranoi.
Nëse do të propozonin të bëje një emision gatimi, do të pranoje?
Unë jam kuzhinier shumë i mirë. Bëj çudira. Por emision gatimi nuk më pëlqen.
Nëse do merrje një sipërmarrje tënden, çfarë do të pëlqente të bëje?
Nëse do të ishte në dorën time, do martohesha me Paris Hilton. Se nga “Hilton Hotel” do të bëhej “Bogdo Hotel” se do të merrte mbiemrin e burrit (qesh).
Në vendin tonë ka shumë mjekë popullorë dhe mjekësi popullore, sa e vlerëson?
Mbaj mend që një futbollist i Bajernit të Mynihut dëmtoi ligamentin e kofshës pak ditë para ndeshjes. U bë bujë rasti i tij. Shkoi te një mjeke popullore në Serbi dhe ajo merrte plëncin e kalit dhe ia mbështillte rreth kofshës. Ai u shërua, nuk pati asnjë shqetësim gjatë lojës.
Ti vetë do shkoje?
Unë asnjëherë se lë veten deri në atë pikë sa të kem nevojë për zgjidhje emergjente. Kur e shikoj që kam një shqetësim, iki te mjeku dhe nuk e lë të përkeqësohet. Këtu mund ta kritikojmë pak, se shumica prej nesh themi: “Hë, se nuk kam gjë”. Kjo është e gabuar, sigurisht që të gjen gjë dhe e merr vesh shumë vonë se çfarë të ka gjetur.
Për një dhimbje koke zgjedh çajin apo medikamentet?
Direkt OKI.
Cila është marrëdhënia me miqtë?
Nuk kam shumë shokë.
Më shumë shokë apo shoqe?
Shoqe nuk kam fare (qesh). Bëj shaka, kam shoqëri shumë të mirë.


