Fakti që një person është i infektuar me virusin HIV, s’do të thotë se ai duhet të izolohet apo damkoset nga shoqëria. Duhet të ndryshojë mendësia rreth sëmundjes HIV DHE AIDS
Aishe Thartori
Besjana Xhani është punonjëse sociale e cila punon në spitalin infektiv me personat e prekur me HIV dhe AIDS. Në një intervistë për gazetën “Shëndet Plus”, ajo flet lidhur me paragjykimet me të cilat ndeshen personat me të cilët ajo punon dhe keqkuptimin që kanë shumë njerëz për sidën.
Sa e vështirë është të punosh me persona të prekur nga HIV dhe AIDS?
Nuk është e vështirë të punosh me personat e prekur nga infeksion HIV. Ata janë njësoj si pacientët e tjerë që mund të kenë probleme të tjera shëndetësore, por impakti negativ, paragjykimi që shoqëron HIV DHE AIDS –in, e bën kompleks trajtimin e kësaj sëmundjeje.
A ndihen ata të paragjykuar nga shoqëria?
Po, shumë. Ky është një nga problemet më madhore për ta. Paragjykimi ndikon negativisht në cilësinë e jetës së tyre dhe vështirëson procesin e trajtimit të sëmundjes.
A paraqiten pranë qendrës ku ju punoni për të marrë këshillim?
Po. Të gjithë personat që trajtohen në spitalin e sëmundjeve infektive, kanë nevoje për këshillim, informim, mbështetje psiko-emocionale.
Sa e vështirë është t’ua komunikosh se janë të infektuar me HIV dhe AIDS?
Kjo gjë është pjesa më e vështirë e punës së gjatë të trajtimit të sëmundjes, dhe ti nuk bën dot gjë për ta ndryshuar këtë fakt të dhimbshëm ose t’i thuash pacientit se ky fakt mund të ndryshohet, edhe pse jo në të gjitha rastet jam unë ajo që ua komunikon diagnozën.
Në përgjithësi individët kanë dyshime për sëmundjen apo vijnë të rekomanduar nga mjekët?
Pjesa më e madhe e rasteve të diagnostikuar me HIV DHE AIDS shtrohen në spital për problem të ndryshme shëndetësore, dhe pas një kontrolli të plotë të kryer nga mjeku, rezulton se personi është HIV+. Një nga problemet madhore të shoqërisë sonë e lidhur me HIV DHE AIDS-in është moskryerja e testimit vullnetar, gjë që bën që sëmundja të kapet në faza të avancuara të saj.
Cila është mbështetja që ju si qendër iu ofroni këtyre personave?
Spitali infektiv është i vetmi institucion që ofron mbështetje mjekësore, psiko-sociale, që është spitalore dhe ambulatore për këta persona. Përveç medikamenteve ARV që ata marrin çdo muaj, ne ofrojmë këshillim, mbështetje psiko-emocionale, mbrojtje ligjore kur na kërkohet, informim, edukim , ndërmjetësim për burime mbështetëse për nevoja specifike kur arrijmë të gjejmë mbështetje etj.
Po nga pikëpamja integruese dhe rehabilituese, sa i rëndësishëm është integrimi i këtyre pacientëve në shoqëri?
Së pari, personat që janë me HIV DHE AIDS nuk duhet të shikohen si “UFO”. HIV DHE AIDS është një sëmundje dhe duhet të shikohet dhe trajtohet si të gjitha sëmundjet e tjera. Fakti që një person është i infektuar me virusin HIV, s’do të thotë se ai duhet të izolohet apo damkoset nga shoqëria. Duhet të ndryshojë mendësia rreth sëmundjes HIV DHE AIDS dhe këta persona duhet të trajtohen ashtu si trajtohen pacientët me zemër, diabet etj.
Si çdo individ që ka nevojë për të qenë pjesë aktive e ambientit social ku jeton, dhe një person që jeton me HIV DHE AIDS duhet të integrohet dhe të jetojë jetën si gjithë të tjerët.
Sigurisht, nuk duhet lënë pa përmendur në këtë drejtim edhe mbështetja e madhe e dhënë nga UNFPA.
Besjana Xhani
Është e diplomuar për punë sociale dhe ka bërë masterin në kërkim shkencor në punë sociale. Ka kryer një trajnim njëmujor në Izrael në lidhje me HIV dhe AIDS dhe ka 7 vjet që punon pranë spitalit infektiv, duke qenë e para punonjëse sociale në këtë institucion.
*Ky suplement është mundësuar nën kujdesin e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik


