Mungesa e transparencës së organeve vendore hap mundësi për abuzim me fondet e menaxhimit të mbetjeve
Rita Strakosha
Sipas raportit anti-korrupsion të BE-së publikuar më 2014, sektori i mbetjeve në BE është më i priruri për korrupsion në nivelin lokal. Sipas Olivier de Clercq, anëtar i direktoratit të mjedisit në BE, ka një mungesë të theksuar transparence në menaxhimin e mbetjeve, çka ndihmon korrupsionin.
Sipas deputetit francez Gaston Franco, psh. disa vende të BE-së shformojnë statistikat duke përfshirë në shifrat e riciklimit mbetjet e importuara, duke nxjerrë kështu përqindje më të larta riciklimi se ato reale.
Shqipëria nuk mbetet prapa me skandalet në fushën e mbetjeve. Skandale me mbetjet ka pasur në trajtimin e mbetjeve spitalore, me riciklimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës, me eksportin e mbetjeve në Durrës etj.
Gjithashtu, statistikat shqiptare të mbetjeve kanë kontradikta, të cilat hedhin dyshime nëse këto statistika janë të sakta dhe, nëse nuk janë, përse.
Statistikat e INSTAT-it për mbetjet tregojnë një rritje vit pas viti. Nga viti 2003 në vitin 2012, sasia e mbetjeve është trefishuar nga 358,226 ton/vit në 1,136,802 ton/vit. Por nuk vërehet rritje kaq drastike në nivelin e jetesës së popullsisë, çka do të justifikonte dhe shtimin e mbetjeve.
Po sipas statistikave të INSTAT-it shpenzimet mesatare mujore të shqiptarëve nga viti 2002 – 2003 janë rritur në vlerë reale me vetëm 14% për frymë, ndërkohë që popullsia nuk është rritur gjatë kësaj periudhe.
Rritja kaq drastike e mbetjeve nuk mund të justifikohet as me ndonjë fluks masiv turistësh. Statistikat e INSTAT-it për numrin e turistëve dhe ditët e qëndrimit të tyre në Shqipëri flasin për shifra që nuk kanë ndonjë ndikim të ndjeshëm në mbetjet e gjeneruara.
Me të dhënat e INSTAT-it Shqipëria gjeneron më shumë mbetje për frymë se vendet më të zhvilluara në botë. Sidomos, vërehet një shtim i beftë i mbetjeve për frymë në vitin 2009-2010, viti i krizës ekonomike.
Përse janë shifrat kaq absurde?
Një arsye mund të jetë interesi financiar i organeve vendore për të fryrë statistikat e mbetjeve, në bazë të të cilave përcaktojnë dhe tarifën e pastrimit për frymë që duhet të paguajnë banorët. Buxheti i Durrësit parashikonte 203 milionë lekë (të rinj) të ardhura nga tarifa e pastrimit për vitin 2014, ose 10% të buxhetit total të saj. Pavarësisht këtyre shumave, në vendgrumbullimin e Porto Romanos, sipas Planit të Menaxhimit të Mbetjeve të Durrësit 2010-2025 nuk kishte urë-peshore, e sipas informacioneve nuk ka ende urë-peshore për të matur sasinë e mbetjeve të depozituara.
Ndërkohë që urë-peshorja kaq e munguar mund të kushtojë 10 000 dollarë, Bashkia e Durrësit bën tender për palma me vlerë 5,000 euro secila, për të zbukuruar Durrësin e intoksikuar nga plehrat e paricikluara dhe të patrajtuara në landfille. Mungesa e urë-peshores i lë dorë të lirë bashkisë të raportojë shifra të supozuara mbetjesh, në bazë të të cilave përcaktohet një tarifë pastrimi.
Organet vendore vuajnë dhe nga mungesa e transparencës, çka hap mundësi për abuzim me fondet e menaxhimit të mbetjeve.
Psh. Bashkia e Tiranës, Vlorës publikojnë në faqen e tyre në internet, në një vend të dukshëm, buxhetet e përgjithshme, por pa nxjerrë buxhetet e detajuara me të dhënat e të ardhurave nga taksa e pastrimit. Bashkia e Sarandës nuk ka fare faqe interneti, ku të interesuarit mund të marrin informacion.
Fenomeni tjetër në bashkitë tona është mungesa e plotë e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve. Bashkia e Durrësit, e Fierit, Lezhës etj. kanë bërë projekte pilot për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, por kanë shpallur dështimin e tyre për faj të mungesës së edukatës qytetare. Por edukata qytetare krijohet dhe me ndihmën e gjobave bashkiake.
Një vullnet qeverie po ndryshon brenda vitit edukatën qytetare të pagesës së dritave, një vullnet i bashkive mund të jetë po kaq i suksesshëm në futjen e grumbullimit të diferencuar.
Mjafton etiketimi i koshave, përfshirja e bizneseve sociale të romëve në grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme, dhe përfshirja e kompanive konçesionare në grumbullimin e mbetjeve të pariciklueshme. Sasia e mbetjeve që shkojnë në landfill do të pakësohej, kostoja e grumbullimit të mbetjeve, kostoja e vendgrumbullimeve dhe e ndotjes do të pakësohej.
Por në mbi 3 vjet asnjë bashki nuk ka përparuar. Ndoshta nuk shikojnë përfitime parash në grumbullimin e diferencuar!


