Pavioni i hematologjisë, mungojnë edhe alkooli, jodi e dorezat

Denisa Canameti

Mungesa e medikamenteve në spital ka qenë dhe vazhdon të mbetet një problem shumë i madh. Një problematikë e mbartur ndër vite. E sidomos për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, kjo mungesë është kthyer në një makth të vërtetë.

Vetëm para disa ditësh u bë lajm rasti i gazetarit 29-vjeçar që vdiq nga sëmundja e leucemisë akute. Medikamenti bazë për kurimin e kësaj sëmundje është vesanoidi. Një medikament që nuk gjendet në pavion. Vesanoidi, na shpjegon një mjek, është i shtrenjtë dhe mund të shkojë 350-400 euro në muaj. Sigurisht që kjo është një kosto shumë e madhe dhe e pabërballueshme QSUT 6-kateshipër xhepat e një familje me të ardhura mesatare, për të mos folur pastaj për familjet me të ardhura të pakta. Por edhe nëse të ardhurat sigurohen, vështirë të sigurohet medikamenti.

“Ka dy rrugë: ose pacientët e gjejnë këtë medikament në rrugë private, ose pacienti vdes”. Kjo është përgjigja që jep mjeku kur e pyesim për këtë medikament që, sipas tij, ka vite që mungon. Por, a është vesanoidi i vetmi medikament që i mungon këtij pavioni dhe të sëmurëve me probleme të rënda shëndetësore? Sigurisht që jo!

Pacientët që vuajnë nga leukoza akute, përballen me mungesën e medikamentit bazë që është Citozari. Ky medikament, thonë mjekët, vazhdon të mbetet një problem shumë i madh, sepse ai që pacientët po blejnë në farmaci, nuk shfaq efekt. A kemi të bëjmë me medikamente të skaduara? Këtë nuk mund të themi, por që sigurisht mund ta dyshojmë. Do të ishte fatale, por jo e panjohur, pasi ky nuk është i pari rast që flitet për paefektshmëri të medikamenteve jetike.

Edhe pse këto dy medikamente janë kryesore dhe jetike për të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të rënda të gjakut, duhet thënë që në pavionin e hamtologjisë mungojnë edhe “elementet” e shportës bazë.

“Në pavionin tonë nuk ka as alkool, as betadinë. Mos pe ndonjë mjek me doreza? Asnjë!” thotë mjeku. “Këtu nuk ka asgjë. Nuk ka pasur asnjëherë!”

Hemofilia rasti 1Kjo gjendje konfirmohet edhe nga pacientët, të cilët nuk duan të prononcohen. Ata e konfirmojnë që medikamentet bazë i blejnë vetë dhe janë pajtuar me atë fakt.

Sëmundjet e gjakut, përveç të tjerash, kanë edhe një kosto të lartë mjekimi. Shpeshherë është vënë në pikëpyetje profesionalizimi i mjekëve e faji për (mos)trajtim u hidhet atyre. Ndaj  pacientët janë dërguar jo rrallë jashtë vendit për një mjekim më të mirë. Për këtë arsye ndodh shpesh të dëgjojmë se “këta mjekët tanë…”. Por, a është gjithmonë faji i mjekëve?

Sot, në një vizitë në pavionin e hematologjisë, aty ku janë të shtruar një numër i madh pacientësh që vuajnë nga sëmundje të rënda, reflektohej dhe artikulohej një gjendje shumë e rëndë, gati gati mjerane e kushteve në të cilat këto pacientë trajtohen. E vetmja gjë që u ofrohet këtyre pacientëve, është krevati dhe humanizmi e dëshira pozitive e mjekëve për të ofruar shërbim. E në fakt një ndër pikat e shënuara në kartën e të drejtave të pacientëve parashikohet pikërisht kjo: “Pacientët kanë të drejtë për kujdes human deri në fund dhe të vdesin me dinjitet”.

Po e drejta për kurim? Po e drejta për medikamente? Po e drejta për të luftuar me sëmundjen edhe nëse të ardhurat personale nuk ta sigurojnë? A është shëndeti luks? Në vendin tonë mund të thuhet pa frikë që po.

Edhe pse mjekët e dinë, nuk u pëlqen që të flasin për probleme, ose të paktën nuk duan që t’i thonë ato me zë e figurë. Pa dashur të krijojnë konflikte me më të mëdhenjtë. Sepse, siç shprehet njëri prej tyre: “Kështu ka qenë gjithmonë, nuk është një problem që po shfaqet sot”.

Postime të ngjashme

Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU
Sa kafe mund të pimë në ditë pa rrezikuar shëndetin? Ja çfarë thonë studimet
Alarm në Zvicër dhe Francë, identifikohen rastet e para me Hantavirus
Alarm në det: Shpërthen hantavirusi në anije turistike, 3 të vdekur
Brokoli apo lulelakra: Cila ka më shumë fibra dhe cila është më e shëndetshme?
3 rregulla të thjeshta për të humbur peshë shpejt
Shqipëria, drejt “superplakjes” raporti: Nevoja për shërbime të kujdesit afatgjatë në rritje