Arben Beqiri, mjek gastro-hepatolog
Kanceri i pankreasit quhet një sëmundje “e heshtur”, “tinzare”, pasi simptomat apo shqetësimet lidhur me të shfaqen vetëm në fazat më të avancuara të sëmundjes. Kështu, me avancimin dhe përhapjen e kancerit, fillon të zhvillohet dhimbja në pjesën e
sipërme të abdomenit dhe shpesh duke u përhapur prapa në shpinë.
Dhimbja mund të përkeqësohet pas vakteve të ushqimit apo kur personi shtrihet. Simptoma të tjera të kësaj sëmundjeje janë zverdhja, ndjenja e të vjellit, humbja e oreksit, rënia në peshë, lodhja, dobësia trupore dhe depresioni.
Shkaqet e kancerit të pankreasit
Megjithëse shkaku i kësaj sëmundjeje nuk është krejtësisht i njohur, faktorët e rrezikut që duket se ndikojnë në shfaqjen e tij janë :
– Duhanpirja si faktor kryesor rreziku, ku statistikat tregojnë se duhanpirësit janë 2 herë më të prekur se ata joduhanpirës.
– Mosha është po ashtu një faktor, pasi vihet re se sëmundja prek kryesisht personat pas moshës 45 vjeç.
– Diabeti është gjithashtu i lidhur me kancerin e pankreasit, pasi është një faktor rreziku dhe simptomë e kësaj sëmundjeje.
– Faktorë të tjerë rreziku janë patologji si pankreatiti kronik dhe cirroza e mëlçisë.
– Historia familjare për kancer pankreasi, dieta e pasur me yndyrna, mbipesha (obeziteti) dhe jeta sedentare me mungesë të aktivitetit fizik, mundet të jenë gjithashtu faktorë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje.
